Ballistët kërkojnë përgjegjësi nga Kasami për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës, Komuna: Tenderi shpallet së shpejti

Ballistët, tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija” të Tetovës kërkojnë përgjegjësi për premtimin për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës. Konkretisht, ata kërkojnë llogari nga kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami për premtimin e tij se deri në shtator të këtij viti do të përzgjidhet kompania ndërtuese. Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës javën e kaluar për Portalb.mk tha se tenderi për të njëjtin do të shpallet shumë shpejtë, por pa dhënë afate konkrete.

Ballistët thonë se stadiumi i qytetit është tema dhe ëndrra e kamotshme e qytetarëve të Tetovës, simpatizuesve kuqezi, gjë e cila u premtua qe nga viti 2016 nga vetë pronari i kompanisë “Ekolog”, Lazim Destani. Ata theksojnë se kaluan shtatë vite të plota dhe investimi mbeti vetëm premtim i boshatisur, sepse punë nuk shohin ende.

“Ne muajin korrik të këtij viti, në seancën e këshillit të komunës, kryetari Bilall Kasami para opinionit dha premtim, se deri në Shtator 2023 do të përzgjidhet kompania ndërtuese e stadiumit, por edhe paraqiti një video material në rrjetet sociale se stadiumi i qytetit në Tetovë do të rindërtohet së shpejti?! Fillimisht kërkojmë llogari për premtimin e dhënë dhe transparencë për mënyrën se si e sheh realizimin e kësaj ëndrre të qytetarëve të Tetovës në përgjithësi dhe Ballistëve në veçanti, pasi që tani kur të gjithë prisnim që të shpallet tenderimi dhe projekti i stadiumit, kryetari Bilall Kasami del me postime të reja, ku thirret në bashkëpunime për të mirën e qytetit dhe në fund poston një fjali gjysmake për stadiumin”, thuhet mes tjerash në reagimin e Ballistëve, të cilët theksojnë se ju ka mbaruar durimi.

Ndonëse në muajin korrik kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami paralajmëroi se tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit pritet të shpallet në shtator apo tetor, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se Ndërmarrja e Transportit Publik do të jetë përgjegjëse e punimeve të rikonstruksionit, ndërsa tenderi do të shpallet së shpejti. Ndërkaq afatet konkrete pritet të përcaktohen pasi të finalizohet procesi i tenderimit.

“Procedurat e tenderimit janë në fazën e përgatitjes dhe pritet që tenderi me projekt të detajuar të shpallet në një të ardhme të afërt. Në këtë proces është që nuk ka asnjë marrëveshje të paracaktuar me asnjë kompani specifike për rikonstruksionin e stadiumit. Procedura e tenderimit do të jetë e hapur për të gjithë operatorët potencialë që janë të interesuar për të marrë pjesë. Kjo do të sigurojë një konkurrencë të shëndetshme dhe mundësi të barabarta për të gjithë atë që dëshirojnë të aplikojnë”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami së fundmi në faqen e tij zyrtare në Facebook njoftoi se ka pasur takim me pronarin e kompanisë “Ecolog”, Lazim Destanin.

“Në kuadër të bisedës gjatë takimit, një nga temat ishte edhe projekti i stadiumit të qytetit për të cilin janë gjetur zgjidhjet për çështjet kontestuese dhe tashmë janë hapur rrugët ligjore për realizimin e projektit”, shkroi Kasami.

Portalb.mk në të kaluarën disa herë ka kërkuar qëndrim nga kompania “Ecolog” në lidhje me stadiumin, por pa marrë përgjigje nga atje.

Paraprakisht, Kasami në muajin maj theksoi se vjeshta ishte afati i pritshëm për fillimin e punimeve, por aso kohe pa dhënë detaje.

Ndërkaq, edhe vitin e kaluar disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti, por kjo nuk ndodhi.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.