Moska thirri ambasadoren e Zvicrës për shkak të hapave kundër aseteve ruse

Ambasadorja e Zvicrës në Moskë, Krystyna Marty Lang është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë për shkak të hapave të ndërmarra nga vendi i saj kundër aseteve ruse, raporton ABC. Në deklaratën me shkrim të MPJ ruse thuhet se ambasadorja Lang është thirrur në ministri dhe se është dënuar hapi i Parlamentit të Zvicrës për sekuestrimin e aseteve të ngrira ruse.

“Sekuestrimi i aseteve ruse është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Çdo cenim i aseteve të Rusisë nën maskën e një mekanizmi kompensimi nuk është gjë tjetër veçse vjedhje në nivel shtetëror”, thuhet në deklaratën e MPJ ruse.

Më tej theksohet se ambasadorja Lang është informuar se “nëse Zvicra do të ndërmerrte konkretisht hapa për sekuestrimin e aseteve ruse, Rusia do të ndërmerrte hapa të ngjashme”.

Në votimin e mbajtur në Parlamentin e Zvicrës më 7 mars, u miratua përdorimi i aseteve të ngrira ruse për Ukrainën. Zvicra ka ngrirë asete me vlerë rreth 9 miliardë dollarë që i përkasin Rusisë.