Mos prit!

Shkruan: Belkis Latifi

Shumë njerëz, presin momentin e duhur. Presin diçka. Presin gjërat të cilat do t’i bëjnë të lumtur. Presin momentet kur jeta e tyre do të ndryshojë dhe do të jenë më të kënaqur. Presin të vijë diç. Të tillët, gjithmonë do të ngelin duke pritur, një rast më të mirë, një rast më të volitshëm e përshtatshëm.

Dikush pret që të ndërtojë shtëpinë, për të qenë i lumtur. Për t’u rehatuar. Tjetri për të larë borxhet. Tjetri derisa të mbarojë studimet. Dikush, derisa fëmijët t’i rriten. Derisa të fillohet me punë. Derisa të arrijë tek makina e dëshiruar. Derisa t’i heq ca kilogramë. Derisa të martohet. Derisa të arrijë në funksion, etj. Pra, presin një ndodhi që të mund të përjetojnë lumturi dhe t’i jetojnë ca ditë të bukura. Pritje të cilat, nuk përfundojnë asnjëherë. Njeriu për nga natyra është i prirë që gjithmonë të jetë në kërkim të diçkaje. Kështu, me arritjen e objektivit, ai përsëri s’do të jetë i lumtur. Kjo sepse ai tanimë do të jetë në pritje për të realizuar një synim tjetër, dhe tjetër…

Mos e lidh lumturinë dhe kënaqësinë tënde me asgjë në botë. Lumturia nuk pranon kompromise. Mos i bëj pikësynimet tua faktor determinues edhe i kënaqësisë tënde. Përjeto dhe shijo çdo ditë. Tani dhe në moment. Jo kur të ndodhë… Jo kur të bëhet… Jo, jo!
Ji i lumtur e i kënaqur me atë që ke, do të jesh njeriu më i pasur në botë. Mos prit që të ndodhë asgjë që të mund të buzëqeshësh e të jesh i lumtur. Ji i tillë, pavarësisht të gjitha rrethanave. Mos prit momentin e artë për të qenë i lumtur ngaqë kështu, rrezikon lumturinë!

Pritja nënkupton, ikjen e viteve dhe se jeta po shkon. Të shkojë dhe ne jemi ende duke pritur?! Kohën nuk mund ta ndalim e as mund t’i rikthejmë akrepat e orës pas. Diellin nuk mund ta burgosim e lumit nuk mund t’ia ndalim rrjedhën nga është nisur.

Jeto dhe kënaqu me jetën tënde. Tani dhe në moment. Menjëherë.
Përmbushja e shpirtit dhe të qenit i kënaqur, nuk është e sinkronizuar me asgjë në botë. Ndodhë që buzëqeshja dhe fytyra e gëzuar të shihet brenda një shtëpie të ndërtuar me baltë, e brenda godinës së lartë e të gjerë të lulëzojë ankthi e depresioni. E gjitha kjo për shkak të pritjes…

Mos prit…