Gostivar, ndihmë juridike falas për qytetarët

Fushata promovuese për ndihmë juridike falas sot u shënua në Gostivar ku qytetarët patën mundësinë të informohen nga afër dhe të marrin përgjigje për mënyrën se si mund të parashtrohet  kërkesa për  ndihmë juridike falas dhe si të fitohet, duke përfshirë dhunën në familje, kujdestarinë, diskriminimin, kujdesin social dhe shëndetësor, kontestet e punës dhe procedurat trashëgimore, transmeton Portalb.mk.

Ndihma juridike falas është e dedikuar për kategorinë e cenueshme të qytetarëve, të cilët janë në gjendje të vështirë financiare, me të cilën do t’u mundësohet atyre që të marrin ndihmë juridike nga një avokat dhe gjykim të drejtë.

Fushata po realizohet në rajone të ndryshme të vendit dhe mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministri Drejtësisë – Krenar Lloga, kryetari i Komunës së Gostivarit – Arben Taravari si dhe sekretari shtetëror – Muhamed Toçi.

“Qasja në drejtësi është një nga kriteret për anëtarësimin në BE. Qëllimi ynë është që të harmonizohen kornizat ligjore dhe politikat në lidhje me ndihmën juridike falas në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës, si dhe të fuqizohen kapacitetet për dhënie të shërbimeve cilësore”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Përndryshe, qasja në drejtësi është pjesë e Kapitullit 23, “Gjyqësia dhe të drejtat themelore”.