BERZH me kredi prej 100 milionë eurosh për EMV-në për të forcuar sigurinë energjetike

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) mbështet sigurinë energjetike në Maqedoninë e Veriut me kredi prej 100 milionë eurosh të miratuar për kompaninë shtetërore Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV), transmeton Portalb.mk.

“Kredia e likuiditetit emergjent të BERZH-it do të ndihmojë EMV-në të ruajë qëndrueshmërinë financiare dhe të vazhdojë të ofrojë shërbime thelbësore. Fondet nga kredia do të përdoren gjithashtu për të financuar importet e energjisë elektrike të EMV-së, si dhe kapitalin qarkullues, dhe do të ndalohen plotësisht për aktivitete që lidhen me çdo aset apo operacion të lëndëve djegëse fosile”, thuhet në deklaratën e BERZH-it.

Banka shton se vendi është shumë i varur nga importet e energjisë dhe ka pasur probleme për shkak të çmimeve të energjisë që rriteshin në mënyrë të pakontrolluar, si dhe nivelit të inflacionit, i cili ishte i paprecedentë.

“Si pasojë e këtyre flukseve, EMV-ja përballet me një boshllëk të madh në likuiditetin e operacioneve të kompanisë. Kredia e BERZH-it do të ndihmojë në përballimin e nevojave për likuiditet të EMV-së, do të zvogëlojë rezistencën ndaj mbështetjes shtesë nga Qeveria dhe do t’i mundësojë kompanisë të ketë qarkullim financiar për të mbështetur planin e investimeve kapitale”, shtoi BERZH.

Projekti vjen në një kohë kritike për tranzicionin energjetik në vend. Maqedonia e Veriut është e përkushtuar të reduktojë gazet neto serrë me 82 përqind deri në vitin 2030, kryesisht përmes mbylljes së objekteve të energjisë me qymyr dhe aktiviteteve të lidhura me qymyrin. EMV, e cila siguron afërsisht 90 përqind të prodhimit të energjisë elektrike në vend, është faktor kyç në këtë tranzicion. Si pjesë e investimit, EMV do të zbatojë strategji të gjerë dekarbonizimi, në përputhje me Planin kombëtar të vendit të Energjisë dhe Klimës, duke iu referuar angazhimit për dekarbonizimin.

EMV është kompani energjetike në pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 4600 të punësuar. Kompania furnizon pjesën më të madhe të prodhimit vendas me energji elektrike, me kapacitet të instaluar rreth 1.5 gigavat. EMV operon dy termocentrale, tetë hidrocentrale, dy impiante të kombinuara të ngrohjes dhe energjisë dhe platacionin e parë të erës në vend.

Deri më sot, BERZH ka investuar në Maqedoninë e Veriut mbi 2.5 miliardë euro në 175 projekte.