Montreal-Oslo: Shpresa n’klasë

 

Të gjitha faktet flasin se Ballkani përjeton një shpërngulje të paparë në kushte paqeje të popullatës në drejtim të vendeve me ekonomi të zhvilluar. Ky sindrom i kohës moderne, i tranzicionit shoqëror, e ka përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, prej ku çdo ditë nisen autobusë që bartin pjesën më dinamike dhe më vitale të shoqërisë në një gjeografi tjetër. Janë këto pamje shumë shpresëthyerëse. Në faqen virtuale DÇP lexojmë edhe këto fjalë: “Po ikim nga zullumi dhe keqmenaxhimi… po ikim sepse nuk jemi anëtarë partish në pushtet, sepse jemi të injoruar, ikim nga zori jo sepse duam të ikim. Stacioni përplot me të rinj që ikin, shumë e dhimbshme.”

Gjithnjë e më tepër “komshinjtë distancohen nga ne”. Boshatisen vatra, kështu që komshiu i afërt s’është, më fqi ju bëhet dikush që është dy tre shtëpi më larg. Kushtrimi invizibël ka marrë dhenë dhe të gjithë “janë të bindur” se ky vend s’bëhet, besojnë se diku atje është më mirë, se ardhmëria është “n’Europë dhe n’Amerikë.” Në këtë drejtim më trishtuese  është “shpërngulja e trurit” (brain drain), që përkufizohet si migrim i potencialeve shkencore, i inxhinierëve dhe intelektualëve nga vendet në zhvillim e sipër drejt atyre të zhvilluara në kërkim për standard më të mirë të jetesës, paga më të larta, akses në teknologji të avancuar dhe kushte politike më stabile.” Të dhënat flasin për një pakënaqësi frapante te të rinjtë. Secili i treti prej tyre dëshiron të shpërngulet nga RMV – tregon hulumtimi i Agjencionit për të Rinj dhe Sport i realizuar në periudhën janar-shkurt 2022. Dy të tretat e të rinjve mezi që presin që të ikin sepse janë të pakënaqur me arsimin, nuk shohin mundësi për zhvillim, janë pesimistë për të hapur biznes të vetin këtu. Ata rrugëdaljen e shohin jashtë klufijve të vendit. Rezultatet e Regjistrimit të fundit tregojnë se për dy dekada numri i banorëve të Maqedonisë së Veriut është ulur për 185.834 veta, ose për 9.2%. Nëse në vitin 2002 të rinjtë kanë përbërë 23.8% të popullatës së përgjithshme, sot ata përbëjnë vetëm 17.8%. (MT, 2023)

Por ama, shyqyr që tabloja nuk është bash kështu, njëdrejtimëshe. Ka raste edhe të lëvizjes në drejtim të kundërt, sado të rralla qofshin ato. Pra tek-tuk ka edhe persona që kanë jetuar dhe që kthehen, madje edhe qytetarë akademikë që nga Anglia, SHBA-të kanë zgjedhur të vijnë në vendlindjen e tyre. Nga bota ka storje suksesi në tërheqjen e diasporës që të kthehet në vatan. “The Irish Times” në vitin 2018 ka shkruar se numri i njerëzve që kthehen në Irlandë prej jashtë për herë të parë pas dhjetë vitesh kapërcen numrin e atyre që emigrojnë jashtë. Dikur irlandezët destinacion të popullarizuar e kanë pasur Australinë, ndërsa fuqizimi i tregut të punës dhe afirmimi i punës hibride (McCorry, 2021) dhe teknologjive që mundësojnë atë, kanë bërë që sot numri i njerëzve që bëjnë mobilitet për atje ka rënë goxha: nga 17.400 në vitin 2012 në 4500 në vitin 2018. Numri i të kthyerve nga SHBA është rritur për 35 % krahasuar me vitin 2017. (Cenny, 2018)

Në këtë drejtim hapa ka bërë edhe Turqia. Ilustrativ është rrëfimi i inxhinierit të ri Taha Uluhan, që me ftesën e “Luginës Informatike” ka braktisur Gjermaninë, ish i punësuar në Mercedes-Benz, që merret me riciklimin e baterive të litiumit-jonit (dhe materialeve brenda tyre) të veturave elektrike, që tani ka krijuar një ekip punë pre 12 vetave, gjashtë nga të cilët vijnë nga Gjermania dhe Zvicra. (arti33.com) Nga viti 2018 kur ka nisur projekti për “Kthim në vatër”, në Turqi janë kthyer rreth gjashtë mijë njerëz të shkencës. Në këtë drejtim rol të fuqishëm luan edhe TÜBITAK (Këshilli për Kërkim Shkencor dhe Teknologjik).

Rreth 60% e imigrantëve indianë dhe 90 % e atyre kinezë janë kthyer në vendet e tyre të origjinës si rrjedhim i bumit ekonomik (Ismail, 2014), i trajektores pozitive të zhvillimit dhe mundësive  për punësim në veçanti në fushëmn e STI-së (shkencës, teknologjisë dhe inovacionit).

Dhe mikro-realiteti ynë. Një shkëndijë shpresë më është ngjallur këto ditë kur para vetes në sesionin e provimeve në UEJL kisha dy studentë, njëri i lindur në Kanada, tjetra që ka jetuar në Norvegji. Dhe të dy të shkëlqyer, me entuziazëm të jashtëzakonshëm, briliantë në fjalë dhe në shkrim. Njëri përgjigjet anglisht, tjetra shqip. Për bukuri. Më dukej si ëndërr. Duke pasur McGill-in e famshëm dhe UiO (Universitetin e Oslo-s), të zgjedhin një institucion shqiptar-vendor, nuk është pak. Misioni i tyre është shumë fisnik. Ata mes tjerash janë ambasadorë të atdhetarisë: ndryshojnë kornizën mentale të kolegëve të tyre me të cilët janë në leksione, debatojnë pa doreza në ligjërata, kërkojnë më tepër nga profesorët. Ata kanë impakt edhe gjatë kafesë së pirë me shokët dhe shoqet e tyre. Sjellin frymë skandinave dhe amerikanoveriore në një ambient shkupjan. Ky është brendim për universitetin, është prestigj dhe është një fije shpresë se megjithatë nuk do tretemi, se globalizimi nuk do na zeroizojë si komb dhe si qenie me vlera autentike. Një psikologji e veçantë që nga momenti kur i vëren këta dy të rinj entuziastë. Një vijë e kundërt e zhvillimit të dukurive sociologjike. Janë pak, por me vlerë. Dhe sëra e të kthyerve tanë në alma mater-in zgjatet edhe në nivelet më të larta: një studiues i inteligjencës artificiale dhe robotikës pranë Audi AG, Amazon, me post-doktoratë nga Universiteti i Kembrixhit. Mos të harrojmë të ndjerin H. Selmani i cili prej këtu qe zgjedhur MVP i Microsoft, SEEU profesorin e ekonomisë që me punë ia ka dalë të radhitet në 2% e shkencëtarëve më të cituar në botë. Pra në epokën e planetarizmit, suksesi është afër; nëse ke karakter pune, pasion për të garuar, kuptohet me performanca që tejkalojnë në mendësinë tonë, qielli është kufiri juaj.

Herë habitem dhe pyes veten si këta dy studentë që janë kryesubjekt i kësaj kolumne kanë arritur të rikuperohen dhe të përshtaten në këtë mjedis tonin. Të tranzitosh me sukses nga Botanical Garden, Musee de beaux art, Biodome, Rue Saint Paul të qytetit të parë dhe Arkeshus Fortress, Norsk Folkemuesum, Oslofjord të qytetit të dytë në klimën e “varosheve” apo “pallankave” tona është për çdo lëvdatë.  Si kanë ulur kriteret e tyre për parkun, arredimin urban, rendin në sportele, administratë, si ia kanë dalë t’i përshtaten ritmit të ditës (zgjim, punë, gjumë), kulturës gastronomike, trafikut, si janë integruar kaq suksesshëm në një shoqëri të “purgatorit social”? Dhe them: bravo, hallall, ju lumtë! Sado që kjo ndodh spontanisht jo përmes ekonomisë si në Irlandë e Kinë, apo shtetërisht si në Turqi, kjo shkëndijë megjithatë jep shpresa.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.