Monitorimi i 30 mediave online në RMV, KEMM: Gazetaria copy–paste vazhdon të jetë e pranishme
Gazetaria copy–paste vazhdon të jetë e pranishme, ashtu si edhe përdorimi i shpeshtë i postimeve nga rrjetet sociale. Megjithatë, transparenca e burimeve të informacionit dhe e strukturës së mediave është në përmirësim. Respektimi i standardeve etike për gazetari profesionale dhe të përgjegjshme nga mediat online, mbetet pikëpyetje. Këto ishin ndër rezultatet e raportit të Këshillit të etikës për media nga Monitorimi i 30 mediave online në raportimin përgjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025, nga periudha 20 tetor, deri më 10 nëntor, ku mediat online kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e opinionit publik, transmeton Portalb.mk.
“22.5% të mediave janë detektuar përmbajtje copy paste apo plagjiaturë, ku akoma merren dhe transmetohen në mënyrë të paverifikuar dhe pa burime të informacioneve. 25.7% e lajmeve mbështeten te rrjetet sociale si burim i informacionit, por nuk e kanë anën tjetër dhe nuk kanë burime të sigurta”, deklaroi kryetarja e KEMM, Leunora Kaliqi.
Raporti rekomandon që gazetarët të sigurojnë të paktën dy burime të pavarura gjatë raportimit të tyre si dhe të përforcohet praktika e verifikimit të fakteve dhe të mënjanohet senzacionalizmi, thonë nga Këshilli i Etikës.
“Fillimisht të përforcohet politika redaktuese, të miratohen (adaptohen) rregulla të brendshme të formalizuara redaktuese në raportimin mbi tema të ndjeshme, siç është raportimi gjatë periudhës zgjedhore, të përmirësohet transparenca, të përditësohen impresumi me të dhëna të sakta mbi pronësinë si dhe ekipin redaktues, në minimizohet praktika copy paste, të zhvillohet formate origjinale gazetareske, të cilat janë të realizueshme për redaksitë e vogla dhe citimi të jetë i detyrueshëm dhe i dukshëm në çdo përmbajtje të huazuar”, thadrejtoresha ekzekutive në KEMM, Biljana Georgievska.
Problematike edhe më tej mbeten akoma edhe mediat online të cilat nuk janë të regjistruara në regjistrin qendror, nënvitoi kryetarja e Komisionit për Ankesa.
“Problematikë është nëse akoma ekzistojnë online media të cilat nuk janë të regjistruara, paraqitet pikëpyetja kush duhet të mbikëqyrë punën e tyre. Këto pikëpyetje akoma nuk janë zgjidhur përfundimisht. Mendoj se duhet dikush të ndërmarrë iniciativë të përbashkët, të koordinuar, që të shikohet si mund të implementohen rregullativat ligjore, që të vendoset rend në këtë drejtim”, tha Snezhana Tërpevska, kryetare e Komisionit për ankesa në KEMM.
Në përgjithësi, monitorimi i raportimit të 30 mediave online, shumica prej tyre anëtare të regjistrit Promedia.mk, tregon se ekziston progres i dukshëm në transparencë dhe në disa praktika profesionale, por edhe se sektori online vazhdon të përballet me dobësi strukturore: burime të kufizuara dhe redaksi të vogla, informacion të pamjaftueshëm të verifikuar, praktikë të theksuar copy–paste dhe ndjeshmëri ndaj ndikimeve politike e biznesore.
Për të arritur cilësi më të lartë në gazetari, kërkohet një qasje sistemike, e koordinuar ndërmjet mediave, organeve të vetërregullimit, sektorit civil dhe institucioneve.
Ky monitorim është realizuar në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore”, i mbështetur nga UNESCO dhe i financuar nga Bashkimi Evropian, me qëllim forcimin e rolit të vetërregullimit medial dhe të Këshillit për Etikë në Media si faktor i pavarur dhe relevant në avancimin e etikës dhe standardeve profesionale në media në vend.
Kujtojmë se në fillim të muajit dhjetor, agjencia për Shërbime Mediatike publikoi raportin për mbulimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale 2025, i cili analizoi 11 televizione kombëtare. Për shkak të 153 pjesëmarrësve, mediat hasën vështirësi në respektimin e plotë të parimit të barazisë, megjithëse raportimi në lajme rezultoi kryesisht neutral. Nuk u evidentuan shkelje gjatë fushatës, përveç katër transmetuesve gjatë heshtjes zgjedhore.