Mirie Vejseli, gjinekologia për të cilën ngrihet në këmbë një qytet

Mirie Vejseli nuk është e njohur vetëm për tetovarët me që veprimtaria e saj si gjinekologe është ushtruar në këtë lokacion, ajo ka trajtuar me sukses gra që vinin nga shumë qytete për tu kontrolluar dhe për të marr një mendim nga ajo si eksperte e kësaj lëmie. Portalb.mk ju sjell jetëshkrimin e kësaj zonje që për dekada i shërbeu profesionit të shenjtë me nder.

Mirije Vejseli me një grup intelektualesh, bashkëveprimtare
Mirie Vejseli me një grup intelektualesh, bashkëveprimtare

Po tregoj fillimisht një storie se si e njoha para më shumë se një dekade, Mirie Vejselin.

Ishim në një restorant ku grupe grash organizonin iftare. Shkollat, kolektivet, grupacione të ndryshme, por që gjithnjë dominonin gratë në këto lloj organizimesh.

Fotografi personale e doktoreshës Mirije
Fotografi personale e doktoreshës Mirie

Pasi përfundoi darka, pak më larg nesh ishte një tavolinë e gjatë në të cilën kishte disa gra intelektuale, me numër ndoshta 30. Prej asaj tavoline bën të shkoj një grua dhe vetëm e di se unë që isha me diku dhjetë zonja në tavolinë, papritmas ngela vet. Të gjitha gratë e restorantit u rreshtuan për një duke e përshëndetur e duke i treguar nderime. Asnjëherë s’kisha parë një respekt të tillë për dikë. Krejt restoranti me gra në këmbë për këtë zonjë, që siç duket vetëm unë nuk e njoha, me që nuk isha nënë ende.

Pyetjes time: Kush ishte kjo zonjë?, iu përgjigjën secila me nga një rrëfim personal ku heroi kishte qenë pikërisht kjo grua që nuk e njihja edhe pse emrin e lakuar aq shpesh e kisha dëgjuar.

Po, kush është Mirie Vejseli, kjo grua që jetën ia kushtoi profesionit?

Fotografi personale e doktoreshës Mirije
Fotografi personale e doktoreshës Mirie

Mirie Vejseli u lind më 24.07.1951 në fshatin Gajre të Tetovës. Katër vitet e para të shkollës fillore i kreu në fshatin Gajre, ndërsa tetëvjeçaren e përfundoi në shkollën fillore ,,Liria’’ në Tetovë. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin ,,Kiril Pejçinoviq’’ në Tetovë. Studimet i kreu në Shkup pranë Fakultetit ,,Kiril e Metodi’’ Mjekësi e përgjithshme. Prej vitit 1978 deri në 1982 punoi si mjeke e praktikës së përgjithshme në Spitalin e Tetovës. Prej 1982 deri më 1986 e kreu specializimin e Gjinekologjisë dhe akusherisë në Shkup. Punoi në Tetovë si gjinekologe dhe akushere deri në vitin 2018 . Gjatë asaj kohe ishte 20 vite përgjegjëse e sallës së lindjes dhe operacionit. 12 vite ligjëroi në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë në lëndët: Anatomi me fiziologji dhe Gjinekologji me akusheri. 5 vjet ishte asistente e lëndës Gjinekologji me akusheri në Universitetin e Tetovës. Studentët janë entuziast kur e takojnë shkaku i karrierës së saj të gjatë në këtë drejtim si edhe përvojës dhe dashurisë që ka për profesionin.

Mirije Vejseli me një grup intelektualesh, bashkëveprimtare
Mirie Vejseli me një grup intelektualesh, bashkëveprimtare

Prej vitit 1992 deri 2002 ishte anëtare e Lidhjes së gruas shqiptare në Maqedoni, njëkohësisht udhëhiqte komisionin për shëndetësi në kuadër të Lidhjes së gruas shqiptare në Maqedoni.

Mirie Vejseli është ndër gjinekologet e para shqiptare në Tetovë dhe ka luajtur një rol të madh sensibilizues në ngritjen e vetëdijes së grave për kontrolle gjinekologjike. Ajo gëzon respekt të madh në vend e me gjerë dhe ka pasur disa herë propozime që Reparti i Gjinekologjisë në Tetovë të mbajë emrin e saj. E ëma e Miries ka qenë një lloj mjeke e mjekësisë alternative që ka provuar me bimë dhe në natyrë të kërkojë shërim për njerëzit e sëmure, kësisoj në familjen Vejseli dolën shumë mjekë dhe profesioni përcillet edhe sot e kësaj dite te mbesat e nipërit e doktoreshës Mirie. Prej vitit 2018 është pensioniste.