Miqësitë pasuruese

Welcome to Paris është libër nga një krijues letrar që s’u nënshtrohet skemave. Ky libër na krijon kënaqësi estetike, na pasuron shpirtërisht dhe intelektualisht, na ofron informacione të shkallës së lartë për vepra artistike e filozofike, por edhe për procese e lëvizje kulturore dhe shoqërore.

Welcome to Paris është libër me kujtime për takimet e Skënder Sherifi me personalitete nga bota e artit dhe e filozofisë, sikurse janë: Jean – Luc Godard, Irena Papas, Annie Ernaux, Jacques Derrida, Pierre Seghers, Louis Aragon, Jacques Lacan, Claude Lévi – Strauss, Philippe Soupault, André Pieyre, Allen Ginsberg, Maurice Blanchot, Pierre Klossowski, Léo Ferré, Léos Carax, Jacques Lacarrière, Annie Girardot, Fanny Ardant, Klaus Kinski etj.

Për kësi takimesh e miqësish duhet parapërgatitje. Duhet të gjendet kodi i komunikimit me gjenitë e artit dhe mendimit. Duhet kultura e madhe dhe origjinaliteti, që i ka poeti Skënder Sherifi.

Në fillim është përkujtimi për regjisorin dhe skenaristin e lavdishëm Jean – Luc Godard-in. Sherifi nuk fokusohet vetëm te personalja e Godard-it, por edhe te krijimtaria e njërit prej kineastëve më me ndikim në shekullin XX. Poeti e ka një “treshe magjike”, që i shërbeu, siç thotë, si pikë reference. Përveç Arthur Rimbaud-it dhe Léo Ferré-së, në këtë treshe bën pjesë edhe Jean – Luc Godard-i.

Nëpërmjet përsiatjeve të poetit e njohim më mirë edhe “teorinë e dekonstrukcionit” të Jacques Derrida-s. Madje, më mirë se prej ndonjë studimi shkencor apo ligjërate akademike. Derrida, sipas Skënder Sherifit, “fokusohet në zonat e errëta, në hijet e teksteve […] ai i lexon dhe i analizon në imtësi veprat e mendimtarëve të shumtë […] i rilexon me mikroskopin e tij mendor dhe i shpërbën fije për fije, i zhveshë, për ta parë vetë, se çka na fshehin si informacion me rëndësi gjithë këto tekste në subkoshiencën e tyre”.

Derrida për çdo tekst e merr në konsideratë kontekstin (“Nuk ka asgjë jashtë kontekstit”). Një tekst flet ndryshe në kontekste të reja. Shumëçka që nuk shprehet nëpërmjet tekstit duhet të zbulohet.

Janë mbresëlënëse kujtimet e poetit për takimet me Jacques Lacan-in, për këto “takime të çuditshme ndërmjet një maestroje të adhuruar dhe të urryer me një malësor anarkist”. E bukura e zanafillës së kësaj miqësie është pranimi. Pranimi i poetit shqiptar, të cilin mendimtari planetar e deshi, e respektoi, e ndihmoi dhe ia kuptoi, siç thotë, konfuzionet, paradokset, shthurjet, shpërthimet, guximin, prirjen për aventurë dhe eksplorim, kuriozitetin fëmijëror, pasionet, revoltat, dëshirat e shprehura dhe të pashprehura, por u impresionua edhe nga rrëfimet për odat antike malësore, që ia rrëfente poeti. Lacan-i pa te Sherifi prirjen për lirinë e çmendur, pa ligje e korniza. Mendimtarit të shquar, i pëlqeu te ky “djalë i egër albanez, plot talente natyrore autodidakte, por totalisht i krisur”, ndjenja për eksplorim, “për të mos qenë me askënd, as me vetveten, por vetëm me jetën, me tokën dhe me lirinë”.

Claude Lévi – Strauss-it, babait të antropologjisë botërore, Sherifi i foli për kulturën dhe historinë tonë, për kontributet e shqiptarëve në historinë europiane dhe jo vetëm, për teatralitetin brenda odave shqiptare, për kodet dhe ritualet antike, për kanunin, kostumografinë kombëtare, por edhe për shallin rreth kokës (që në fakt ishte qefini), aq sa antropologut i dukej se poeti fliste për një botë ashtu siç përshkruhet nga autorët e lashtësisë.

Sherifi ka një peng. Ai ndjehet fajtor pa bërë faj. Shkaku i rrethanave politike, s’mundi t’i ndihmonte antropologut që ta realizonte ekspeditën studimore në Shqipëri. Studimet e Strauss-it për ritet, zakonet, folklorin, mitet, legjendat dhe kanunet e Shqipërisë veriore do të ishin pasuri e madhe dhe, me gjasë, do të zbulonin përmasa të reja në universin e trashëgimisë sonë kulturore.

Strauss-i, përveçse si kolos i shkencës, është vlerësuar edhe si intelektual që botën e shihte si “koalicion kulturash”.

Janë mbresëlënëse edhe debatet e Skënder Sherifit me Luis Aragonin – një poet i talentuar, por politikisht dogmatik. Pas Luftës së Dytë Botërore shumë shkrimtarë, poetë dhe filozofë të njohur ranë pré e dogmës ideologjike ose të mashtrimeve staliniste. Njëri prej tyre ishte Aragoni. Sherifi, sipas Aragonit, ishte poeti i talentuar, modern, por fragmentar. Aragoni prirej drejt totalitetit, kurse Sherifi beson se “bota është e fragmentuar, irracionale”, kurse “realiteti i përditshëm i atomizuar dhe i copëtuar”. Në sytë e Aragonit, politikisht dogmatik, Sherifi ishte “borgjezi dhe reaksionari”, që e kishte merituar pushkatimin. Një diskurs i frikshëm, si prej prokurori. Aragoni, ndërkaq, sipas Skënder Sherifit, është poeti i madh, por njeriu i mjerë dhe i verbër, sepse besonte në krijimin e “njeriut të ri socialist” nëpërmjet pastrimit të trurit. Koha i dha të drejtë Sherifit, i cili s’u bë rob i ideologjive. Familja e tij vuajti për shkakun e ideologjisë që e adhuronte Aragoni…

Po kaq mbresëlënëse janë përsiatjet e poetit për takimet me Pierre Seghersi-n. Falë tij, Sherifi njohu modele krijuesish, veçanërisht të margjinalizuarit, dhe e pa një botë tjetër, “një lloj bote të zezë, shejtane, pa shpresa, komplet absurde, që të çon deri në vetëvrasje nëse nuk ke një karakter të konsoliduar”. Ndryshe nga këta krijues, Skënder Sherifi është “diellori, mesdhetari, njeriu i dritës, i qiellit blu, i këngës së zogjve, i atmosferës të dolçe vitës italiane, i sharmit të femrave sublime, i kafeve dhe i tarracave, i erosit, pra, i pulsit të jetës”, ashtu siç ishte edhe Pierre Seghersi…

Kur Sherifi shkruan për Philipe Soupault-in njëkohësisht ai e “zbërthen” surrealizmin dhe psikanalizën e Frojdit. Krijimtarinë e filozofit, kritikut dhe romancierit francez, Maurice Blanchot, e përmbledh shkurt: fjalë minimale, heshtje, hiç, vdekje dhe asgjësi. Nëpërmjet përsiatjeve për krijimtarinë e Allen Ginsbergut e njohim më thellë filozofinë e “Beatnik Generation-it”, një filozofi kundër rregullave të imponuara “nga familja, shkolla, ushtria, institucionet zyrtare”, por edhe prirjen për liri pa kufi në çdo sferë jetësore.

Po aq mbresëlënëse janë përsiatjet e Sherifit për takimet me artistë dhe mendimtarë të tjerë. Nëpërmjet tyre e kuptojmë më mirë edhe botëshikimin e poetit, që është i ngjashëm me të Léo Ferré-s, i cili kaherë e kishte kuptuar se bota bëhej gjithnjë e më sipërfaqësore, se ngulfatej nga logjika e konsumit, se më nuk çmohej cilësia dhe origjinaliteti, por leku. Bota e sotme i është nënshtruar logjikës së konsumit. Është botë e hiperrealitetit, siç e përkufizoi Baudrillard-i…

Sherifi nuk shkruan vetëm për ambientin kulturor parisien, por edhe për ambientin dhe realitetin shqiptar. Ai nuk bën krahasime për snobizëm, por si njeri i dëshpëruar. Nëpërmjet krahasimeve shfaqet një realitet që s’duam ta pranojmë: se në shoqërinë tonë fjalën kryesore e kanë ata që i quajmë vip-a, artistë, këngëtarë, gjenialë. Sherifi ndjehet i pa kuptuar dhe i vetmuar në këtë shoqëri, ku askujt s’i intereson bota e brendshme dhe përvoja e një poeti. Ai është i zhgënjyeri dhe i revoltuari përballë indiferencës totale që njerëzit e kanë për artin, kulturën, sferën shpirtërore dhe intime. Ai ndjehet i zhgënjyer edhe përballë shtetit dhe shoqërisë pa baza, pa vlera, pa norma, pa identitet të qartë. Për këtë gjendje ndikuan shumë faktorë historikë. Në shoqërinë postkomuniste, ndërkaq, njeriu nuk është pastruar nga mënyra e vjetër e të menduarit. Aty “ka dredhira, spiunime, egocentrizëm, mosbesim, oportunizëm, hipokrizi dhe dallavere të ngritura si shkencë mbijetese”. Aty ka “antivlera të propaganduara si vlerë”. Aty janë “traumat e shumta, defektet psikologjike dhe morale mes nesh dhe brenda familjeve”. Aty ka “psikoza, nervoza, skizofreni”…

Welcome to Paris është libër për kryeqendrën e përjetshme të artit, për “kryeqytetin ikonik dhe emblematik të artit dhe të kulturës botërore”, që sipas Sherifit, e ka ëndërruar apo fantazuar çdo krijues i rruzullit tokësor. Një qytet mund të jetë i veçantë për shkak të gjeografisë, historisë ose kulturës. Parisi është i veçantë si qytet i kulturës. Ne që merremi me art e duam Parisin edhe pa e parë. Sherifi e do Parisin kulturor. Parisin e miqve të tij të përjetshëm, të cilët i lanë njerëzimit një trashëgimi të pavdekshme shpirtërore. Të jesh parisien s’do të thotë të kesh lindur në Paris. Parisien është ai që i ka dhënë Parisit dhe botës dritë nga shpirti dhe mendja e tij. Nëse Parisin e kuptojmë si metaforë të kulturës, atëherë Sherifi është puro – parisien.

Libri i Sherifit është ftesë për t’i njohur veprat e gjenive parisienë, botërorë, por edhe vlerat e kulturës sonë. Si lexues duhet t’i jemi mirënjohës për këtë libër të këndshëm, i cili na pasuron shpirtërisht dhe intelektualisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.