Mësimi në shkollat e Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet edhe të shtunën për shkak zgjedhjeve dhe konferencës së OSBE-së

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka vendosur që dy të shtuna të jenë ditë punë në shkollat e Maqedonisë së Veriut për shkak zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.

“Me qëllim që të respektohet dispozita e ligjit që viti shkollor realizohet në 180 ditë mësimore, dhe njëkohësisht të mos vazhdohet viti shkollor, ditët e mbajtjes së zgjedhjeve do të kompensohen me organizmin e mësimit në ditët në vijim: 18 maj (e shtunë) me orë mësimi të datës 24 prill 2024 dhe 1 qershor (e shtunë) me orë mësimi të datës 8 maj 2024”, sqaroi Ministria.

Në njoftim theksohet që ditë pune në shkollat e Shkupit do të jetë edhe 15 qershori (e shtunë) me orar mësimi të datës 30 nëntor 2023 (enjte), kur edhe është mbajtur konferenca ndërkombëtare e OSBE-së në Shkup.

Ndryshe, takimi vjetor i ministrave të jashtëm të 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së u mbajt në Shkup me ftesë të kryesuesit të OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani. Këtë ditë në shkollat e Shkupit nuk ishte zhvilluar procesi mësimor.

Maqedonia e Veriut ka përcaktuar 24 prillin dhe 8 majin, dy datat për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Gjatë këtyre dy ditëve nuk do të zhvillohet mësimi në shkolla, ndërsa në ditët paraprake mësimi do të zhvillohet prej orës 07:00 deri në ora 11:00.