Ministria e Ekonomisë ende po shqyrton kërkesat për inverterë, janë dorëzuar 10 mijë kërkesa ndërsa para ka për 7 mijë amvisëri

Në Ministrinë e Ekonomisë ende po shqyrtohen kërkesat për marrjen e vauçerëve për klima inverterë. Shpallja u publikua më 2 shkurt, ndërsa u mbyll për katër ditë sepse për afat të shkurtë u dorëzuan numër më i madh i kërkesave, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

“Në ministri janë pranuar më shumë se 10 mijë kërkesa dhe për momentin komisionet për realizimin e shpalljeve po e finalizojnë punën në lidhje me shqyrtimin e dokumentacionit të dorëzuar. Njëkohësisht, Ministria e Ekonomisë sipas detyrës zyrtare iu drejtua Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Drejtorisë për të Ardhura Publike, të cilat duhet të kryejnë në mënyrë shtesë verifikime që janë në kompetenca të tyre, në përputhje me programin”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Pas përfundimit të verifikimit të tërësishëm, Ministria e Ekonomisë do të publikojë listë të kërkuesve në të cilat do t’u ndahen vauçerë. Ato do të mund të shfrytëzohen deri më 30 nëntor 2024.

Inverterët do të duhet të blihen vetëm nga lista e objekteve tregtare me të cilat Ministria e Ekonomisë do të lidh marrëveshje. Ende nuk dihet as cilat kompani kanë konkuruar në shpallje dhe janë zgjedhur. Nga ministria thonë se edhe ata do të publikohen në ueb faqen e tyre së bashku me listën e fituesve të vauçerëve.

Për ndarjen e klimave inverterë në buxhetin e ministrisë janë paraparë 4,1 milionë euro.