Prokuroria do ta hetojë mosfunksionimin e sallave të operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”

Prokuroria Themelore Publike do të hetojë nëse ka vepër penale në atë që tash më një javë nuk punojnë sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Sipas informatave të para të publikuara javën e kaluar, disa nga arsyet për mosfunksionimin e sallave është era e pakëndshme e cila është përhapur përmes sistemit të ventilimit dhe problemi me furnzimin me oksigjen, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Shëndetësisë tash më një javë nuk komenton arsyet as nuk ka njoftuar nëse janë ndërmarrë masa për zgjidhjen e problemit. Prokuroria thotë se, ka marrë njoftim nga MSH për problemin me sistemin e ventilimit.

“Do të ndërmerren veprime që të kontrollohet nëse në ngjarje ka elemente për vepër penale”, njoftoi PTHP.

Udhëheqësia e Qendrës Klinike po ashtu nuk është prononcuar nëse defekti që shkaktoi mosfunksionimin e sallave të operacioneve është zgjidhur dhe kur do të vihen sërish në funksion të njëjtat.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri nesër do të mbajë një konferencë për media në orën 12, por nuk ka detaje se për çka do të flasë te e njëjta.