Qeveria e RMV-së mori vendim për uljen e çmimeve të pajisjeve shkollore deri në 15%

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendim për uljen e çmimeve të pajisjeve shkollore, me qëllim që të ulen shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas vendimit, tregtarët me shumicë do të duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë do të duhet të sigurojnë ulje prej të paktën 15%, transmeton Portalb.mk.

Masa hyn në fuqi nga dita e publikimit të vendimit në „Gazetën Zyrtare“ dhe do të vlejë deri më 30 shtator 2026.

Vendimi përfshin një gamë të gjerë të produkteve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor, mes tyre çanta, fletore, blloqe, lapsa dhe stilolapsa, lapsa me ngjyra, plastelinë, materiale për modelim, markera, tempera, ngjyra akrilike dhe akuarele, penela, vizore, materiale didaktike, mprehëse, goma, gërshërë për fëmijë, këllëfë, ngjitës, kompasa, kalkulatorë, letër dekorative, dosje, çanta kartoni dhe materiale për punime.

Me vendimin parashihet edhe transparencë më e madhe për uljen e çmimeve. Tregtarët do të jenë të detyruar që, përveç çmimit të ri të ulur, të paraqesin edhe çmimin e vjetër të produktit, i cili ka qenë në fuqi më 1 qershor 2026. Ky çmim do të merret si bazë për përcaktimin e uljes.

Nga Qeveria thonë se masa synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur ato kanë shpenzime të shtuara për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor, si dhe të ulë presionin mbi buxhetin familjar.

Kjo masë është zbatuar edhe vitin e kaluar.