Ministri Andonovski: Është e paligjshme që gjykata të mos njohë certifikatat elektronike të shtetësitë për regjistrimin e partive

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, thotë se vendimi i Gjykatës Themelore Civile të Shkupit për të mos pranuar si origjinale certifikatat e shtetësisë të lëshuara në mënyrë elektronike në procedurën për regjistrimin e një partie politike është i paligjshëm, transmeton Portalb.mk.

“Është i paligjshëm sepse lex specialis për dokumentet elektronike është Ligji për Dokumentet Elektronike, Identitetin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, jo Ligji për Partitë Politike”, thotë Andonovski.

Ministri shton se mund të iniciohet një procedurë kundër gjykatës, për të cilën ka dispozita kundërvajtëse.

Gjykata Themelore Civile e Shkupit po i bllokon kandidatët e pavarur nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale në vjeshtë, duke mos i njohur certifikatat e shtetësisë të lëshuara në mënyrë elektronike gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për regjistrimin e partive, dhe po kërkon dokumente të shtypura të marra personalisht nga Drejtoria e librave amë.

Iniciativat qytetare detyrohen të regjistrojnë partitë politike për të marrë pjesë në zgjedhje pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozitat e Kodit Zgjedhor për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatura të pavarura, dhe ndërkohë Parlamenti nuk ka miratuar të reja.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas ndryshimeve ligjore për të rritur numrin e nënshkrimeve të kërkuara për kandidatët dhe listat e pavarura për të marrë pjesë në zgjedhje.

Për të njohur 1,000 nënshkrimet e kërkuara për regjistrimin e një partie politike si të vlefshme, Gjykata Civile tani kërkon që të gjitha 1,000 shtetësitë e qytetarëve të nënshkruar të jenë ose origjinale të nxjerra nga Drejtoria e librave amë ose kopje të vërtetuara nga një noter.

Gjykata u përgjigj se po merr parasysh Udhëzimet e Ministrisë për Transformimin Digjital që forma e shtypur e dokumenteve elektronike të lëshuara nga autoritetet publike mund të përdoret në procedurat për ushtrimin e të drejtave ose marrjen e shërbimeve para autoriteteve publike ose personave juridikë privatë, por që gjatë regjistrimit të një partie politike, gjykata udhëhiqet gjithmonë nga Ligji për Partitë Politike.

“Neni 18 i Ligjit të lartpërmendur parashikon kushtet për regjistrimin e një partie politike. Kështu, paragrafi 2 i nenit të lartpërmendur përcakton shprehimisht se “Kërkesa për regjistrimin e partisë politike në Regjistrin Gjyqësor duhet të dorëzohet:…”, dhe pika 7 e paragrafit të lartpërmendur thotë “origjinalet ose fotokopjet e certifikatave të shtetësisë së themeluesve të vërtetuara nga noteri”…”, thonë nga Gjykata Themelore Civile e Shkupit.

Nga 15 korriku deri më 15 gusht, gjykata është me pushime, dhe sipas Ligjit për Partitë Politike, regjistrimi i partisë politike është brenda 15 ditëve nga momenti i dorëzimit të të gjithë dokumentacionit.