Ministri Aliu dhe presidenti Pendarovski promovuan shërbime të reja elektronike

Në kuadër të zotimeve për transformim të vazhdueshëm dhe të shpejtuar digjital, Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu dhe Presidenti Stevo Pendarovski sot në Një pikë për shërbime (NjPSh) -Kumanovë promovuan 4 e-shërbime të reja, transmeton Portalb.mk.

Shërbimi i parë është: Kontroll në listën e regjistrave për qasje të kryer tek të dhënat personale të përdoruesit.

“Shërbimi ofron lëshimin e listës së regjistrave për qasje të kryer te të dhënat tuaja personale nga përdoruesit e të dhënave që përmban Regjistri. Mund të inspektoni një listë të regjistrave për qasje të kryer te dhënat tuaja personale në Regjistrin përmes profilit tuaj të përdoruesit në Portal duke dorëzuar kërkesë për lëshimin e një liste të regjistrave, ose përmes një ndërmjetësi me prani personale në një zyrë administrative – Një pikë për shërbime, nëse plotësohen kushtet e cekura”, theksoi ministri Aliu.

Shërbimi i dytë është: Vërtetim për të dhënat personale që përmban Regjistri qendror i popullsisë.

“Mund të kontrolloni të dhënat tuaja personale që gjenden në Regjistër përmes profilit tuaj të përdoruesit në Portal duke dorëzuar kërkesë për lëshimin e një vërtetimi, ose përmes një ndërmjetësi me prezencë personale në një zyrë administrative – Një pikë për shërbime. Kjo nënkupton kohë më të shkurtër dhe kosto të reduktuara në marrjen e këtyre shërbimeve, duke u mundësuar qytetarëve tanë akses për të marrë këto shërbime kudo që ata ndodhen, kurdo që mund ti nevojiten.Të dy shërbimet janë në dispozicion në portalin kombëtar www.ulsugi.gov.mk, 24/7”, tha ministri Aliu.

Presidenti Pendarovski në anën tjetër i promovoi shërbimet:

  • Lëshimi i certifikatës për të dhënat e regjistruara në evidencën amë për stazh të sigurimit, pagat dhe kontributet e realizuara – (certifikatë për stazhin)
  • Lëshimi i certifikatës nga regjistri kompjuterik – formulari m1/m2 nga regjistrimi/çregjistrimi në sigurimin social të detyrueshëm.

Presidenti tha se ky projekt, qëllimi i të cilit është ofrimi i shërbimeve efikase, të shpejta dhe të aksesueshme, do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve dhe paraqet një hap drejt krijimit të një administrate publike si një shërbim real për qytetarët.

Deri në fund të vitit 2023, MSHIA do të ofrojë mbi 150 shërbime publike online në vendin tonë.

Kujtojmë se më 25 maj, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut prezantoi platformën “Shëndeti Im” – një aplikacion celular që do t’u lejojë të gjithë qytetarëve të kenë qasje të lehtë dhe pasqyrë për të dhënat personale shëndetësore.

Aplikacioni përfshin një qasje interaktive ndaj të dhënave shëndetësore të secilit përdorues dhe ofron një mundësi për të pasur një pasqyrë në analizat diagnostikuese, referimet për ekzaminime të specializuara, vaksinat dhe certifikatat e vaksinimit dhe shumë më tepër informacion në formën e një dosje shëndetësore personale. Në kuadër të kësaj zgjidhjeje digjitale do të sigurohet edhe informacion i detajuar për të gjitha shërbimet shëndetësore të ofruara. Qasja në aplikim do t’i jepet çdo të rrituri me mundësinë për të inspektuar dhe si prind/kujdestar të dhënat për të miturit për të cilët ai është përgjegjës.

Në këtë mënyrë, çdo qytetar do të ketë mundësinë të inspektojë drejtpërdrejt të dhënat që lidhen me shëndetin personal.