Mickoski: Zgjedhjet janë zgjidhja, mos mbarimi i seancës nuk do të thotë se dera për ndryshimet kushtetuese është e hapur

“Qeveria ka goditur në mur, duhet rifillim. Duhet drejtim i ri”, tha Hristijan Mickoski – kryetar i partisë opozitare më të madhe në vend – VMRO- DPMNE në konferencën e sotme për media, ku ritheksoi se zgjidhja e vetme për vendin për momentin janë zgjedhjet. Konferenca për media e Mickoskit u organizua si reagim ndaj debatit parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës që përfundoi dje, por seanca u ndërpre para votimit, transmeton Portalb.mk.

Mickoski në fjalën e tij tha se në takimet me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare “nuk është lexuar poezi”, duke dashur tëp thotë se ka pasur presione që të pranohen ndryshimet në Kushtetutës.

“Dëgjoj se qeveria po ngushëllon veten dhe po bën matematikë se e lanë hapur derën për ndryshime kushtetuese duke mos e mbyllur qëllimisht seancën dhe se bashkësia ndërkombëtare tani do t’i bënte presion, megjithëse mos mendoni se në të kaluarën më shumë se një vit ne lexonim poezi në ato takime, kundër vullnetit të qartë të popullit dhe do të bënim ndërhyrje në demokraci, me presione, kërcënime, shantazhe dhe forma të ndryshme”, tha Mickoski.

Sipas tij, nuk ka çmim me të cilin do të pranonin ndryshimet kushtetuese dhe nuk duhet humbur asnjë sekondë për këtë çështje. Mirëpo, edhe pse lideri i opozitës ka treguar se pyetja më e shpeshtë është se çfarë do të bëjë VMRO-DPMNE, ai nuk ka dhënë përgjigje konkrete, por vetëm ka përsëritur se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.

“Vijat tona të kuqe dhe lufta jonë për garanci për çështjen me Bullgarinë janë të qarta. Ne do të ofrojmë zgjidhje patriotike, jashtëzakonisht korrekte që do të ruajë, mbrojë dhe avancojë interesat e Maqedonisë. Por për ta bërë këtë, së pari duhen zgjedhje”, tha Mickoski pa dhënë detaje.

Ai në fjalën e tij tha se është gënjeshtër se VMRO-DPMNE është kundër BE-së.

“Shumica e popullit dhe unë si kryetar i VMRO-DPMNE-së jemi pa mëdyshje për hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, sepse kjo është rruga jonë e vetme”, tha Mickoski dhe shtoi “por jo në kosto e vetëmohimit, jo me koston e diktimit”.

Pas konferencës për media, edhe LSDM-ja në pushtet ka reaguar përmes një deklarate, nga ku kanë përsëritur se “Mickoski është kundër BE-së dhe dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane të vendit”.

“Anëtarësimi në BE nuk është lojë politike. Bëhet fjalë për të ardhmen e vendit, për përmbushjen e një qëllimi strategjik dhe interesit suprem kombëtar”, theksuan nga LSDM.

Duke lënë të kuptohet se mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme është e ulët, LSDM thotë se nuk do t’i nënshtrohen “sjelljes së tillë të papërgjegjshme dhe të pahijshme të Mickoskit”.

Përndryshe, dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.