Mariçiq: Sa më gjatë të presim, do të lindin çështje që do të forcojnë pozitën e Bullgarisë

Sa më gjatë të presim, do të lindin çështje më të mëdha, të cilat vetëm sa do ta komplikojnë procesin dhe do ta forcojnë pozitën e Bullgarisë. Kështu thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane – Bojan Mariçiq për Racin.mk në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e rrugës eurointegruese të vendit, ai shton se nuk duhet t’i lejojmë vetes ta komplikojmë procesin tani që, rruga është shtruar qartë, transmeton Portalb.mk.

“Marrëveshja nuk është bërë sipas diktatit bullgar. Përkundrazi, kemi arritur marrëveshje me të cilën kemi nxjerrë maksimumin dhe të cilën e kemi negociuar në favorin tonë, me të cilën kemi arritur të vendosim në një kornizë kërkesat dhe detyrimet e të dyja palëve, si maqedonase ashtu edhe bullgare”, thotë Mariçiq.

Mariçiq thekson se korniza negociuese mbron gjuhën dhe identitetin maqedonas, me të cilin, thotë ai, vendi arriti të parandalojë që çështjet bullgare të bëhen evropiane dhe të vihet në pikëpyetje e ardhmja evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Ai nënvizoi se nuk ka asnjë argument që ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë të quhet diktat bullgar. Mariçiq thotë se është një propozim evropian pas të cilit e gjithë BE-ja nuk do të qëndrojë më kurrë bashkë sepse, siç thotë ai, ka procese të turbullta në BE dhe zgjedhjet evropiane vitin e ardhshëm.

Zëvendëskryeministri u shpreh i vendosur se nuk mund të arrihet marrëveshje më e mirë se ajo që kemi dhe është marrëveshje me të cilën, siç thotë ai, vendi është në pozitë të favorshme nga e cila lehtë dhe pa dhimbje mund të vihen në pah interesat kombëtare dhe të garantohet perspektiva evropiane.

Përndryshe, dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita.

Pas seancës  pati një serë reagimesh, që nga presidenti e partitë politike.

Presidenti i vendit – Sevo Pendarsovski tha se me votimin e djeshëm, opozita ka konfirmuar se koncepti i Bashkimit Evropian në Maqedoni ka dështuar dhe kjo është e turpshme dhe katastrofike sepse vendi ka kohë që ka përcaktuar se në cilin drejtim dëshiron të lëvizë dhe e vetmja rrugë është pikërisht përmes miratimit të amendamenteve kushtetuese.

LEXO: Opozita sot konfirmoi se koncepti i BE-së në RMV ka dështuar, tha Pendarovski

I ashtuquajturi front opozitar shqiptar, i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike përmes një kumtese të përbashkët reaguan pas seancës në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. Ata thonë se kryetari i Kuvendit, pa asnjë arsye formale, nuk e hodhi në votimin propozim-nevojën për hapjen e kushtetutës. Sipas tyre, kjo la të nënkuptohet se shumica parlamentare dhe kjo qeveri e di epilogun e atij votimi dhe prandaj nuk ka dashur të ballafaqohen me mungesën e shumicës së nevojshme për ndryshime kushtetuese.

“Përplasje” pati edhe ndërmjet kryeministrit- Dimitar Kovaçevski i cili vjen nga radhët e LSDM-së me VMRODPMNE-në.

Pas diskutimit në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, kryeministri i vendit i mblodhi të gjithë ministrat rreth tij dhe përmes një deklarate për shtyp theksoi se do të bëjnë çmos që ndryshimet kushtetuese të kalojnë, në të kundërtën VMRO-DPMNE-ja mbetet fajtore për izolimin e vendit dhe qytetarët nuk do ua falin.

Reaguan nga VMRO-DPMNE, thanë se Kovaçevski gënjeu kur tha se kishte shumicë për ndryshimet kushtetuese.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.