Zelensky e quati “të turpshme” gjuajtjen me armë mes agjencive të sigurisë së Ukrainës në Kiev

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për “përgjegjësi” dhe “vendime ndaj personelit” pas të shtënave me armë zjarri në Kiev, ku u përfshinë shërbimet kryesore të sigurisë së vendit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në fjalimin e tij të përditshëm me video, Zelensky tha se incidenti ndodhi mes Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, i njohur si SBU, dhe agjencisë së inteligjencës ushtarake të vendit, HUR, duke e cilësuar atë si “absolutisht të turpshëm”.

“Të vetmit njerëz ndaj së cilëve dikush duhet të qëllojë me armë, janë pushtuesit rusë, për ta mbrojtur Ukrainën”, tha Zelensky të mërkurën vonë.

Pasojat e sulmeve ruse në rajonin e Kievit

“Asnjë shkëmbim tjetër zjarri nuk do të trajtohet kurrë nga shteti ynë si diçka në të cilën dikush lejohet të përfshihet”, shtoi ai.

Të shtënat me armë zgjuan banorët në lagjen Berezniaki të Kievit herët më 2 shtator, ndërsa dëshmitarët thanë se panë njerëz të plagosur dhe gjurmë gjaku në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pasi përleshja e armatosur kishte përfunduar, dolën versione kundërthënëse për atë që kishte ndodhur.

SBU-ja publikoi dy deklarata kundërthënëse: fillimisht tha se po punonte së bashku me HUR-in për të parandaluar një “sulm terrorist” rus, ndërsa më pas tha se i kishte bërë ballë një “grupi individësh” që po përpiqeshin ta pengonin një operacion kontrolli.

Në një koment të mëvonshëm për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, një komandant i njësisë së forcave speciale “Tymur” të HUR-it tha se agjentët e SBU-së po “arrestonin pjesëtarë të HUR-it dhe po hapnin zjarr ndaj tyre pa paralajmërim”.

Korpusi Vullnetar Rus

Përplasja me armë duket se lidhet me raportimet e mëhershme për arrestimin e Stepan Kaplunovit, zëvendëskomandantit të Korpusit Vullnetar Rus, një grup paraushtarak i mbështetur nga Ukraina dhe i lidhur me HUR-in.

Taras Borovskiy, avokati i Kaplunovit, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se klienti i tij ishte “rrëmbyer” më 23 gusht dhe se vendndodhja e tij kishte mbetur e panjohur deri më 1 shtator. Ai shtoi se SBU-ja nuk i ishte përgjigjur kërkesave të tij për koment.

Nga këtu, hollësitë e ngjarjes bëhen edhe më të paqarta.

Sipas Borovskiyt, gjatë natës së 2 shtatorit, SBU-ja e dërgoi Kaplunovin në banesën e tij për të kryer një kontroll. Por, përfaqësues të HUR-it dhe miqtë e tij ndodheshin aty tashmë.

Komandanti i HUR-it tha se kishte arritur një marrëveshje me komandantin e njësisë së SBU-së, por më pas “pjesëtarë të tjerë të SBU-së” hapën zjarr.

Ndërkohë, Denis Nikitin, komandanti i Korpusit Vullnetar Rus, i tha Radios Evropa e Lirë se SBU-ja nuk kishte gjetur asgjë komprometuese në banesën e Kaplunovit.

Më vonë, Zelensky tha se prokurorët do ta hetonin incidentin.