Mickoski: “Të ndalojmë eksperimentet në arsim”, opozita dhe shoqëria civile vazhdojnë të mbeten skeptike
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e prezantoi ligjin e ri për arsimin e lartë si një ndër reformat më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të shtetit, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me cilësinë e universiteteve, konkurrueshmërinë ndërkombëtare dhe ndaljen e emigrimit të të rinjve. Në fjalimin e tij para rektorëve, profesorëve dhe përfaqësuesve të arsimit, ai e cilësoi ligjin si një kthesë nga praktikat e mëparshme që, sipas tij, kanë sjellë rënie të standardeve akademike, transmeton Portalb.mk.
“Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për të ndryshuar botën,” u shpreh Mickoski, duke theksuar se për vite me radhë sistemi i arsimit të lartë është dëmtuar nga zgjidhje të gabuara ligjore dhe mungesë vlerësimi serioz të performancës së universiteteve.
Ai kritikoi ligjin e vitit 2018, duke e lidhur me uljen e kritereve për avancim akademik dhe dobësimin e prodhimit shkencor, ndërsa premtoi një model të ri ku financimi i universiteteve do të lidhet më shumë me rezultate dhe performancë. Sipas tij, “më shumë punë e investuar do të thotë edhe më shumë mjete”, duke paralajmëruar rritje të llogaridhënies në sistem.
Një nga shtyllat kryesore të reformës, sipas kryeministrit, është edhe krijimi i kushteve që të rinjtë të qëndrojnë në vend, përmes prioritizimit të studentëve më të suksesshëm në punësimin në universitetet shtetërore dhe përmes lidhjes më të fortë mes arsimit dhe tregut të punës.
“Për mua është veçanërisht e rëndësishme që zgjidhja e re ligjore krijon kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu. Të ndërtojnë rrugën e tyre profesionale dhe jetësore në vendin e tyre. Për herë të parë, studentët që me bursa shtetërore studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë, si dhe studentët më të mirë në Maqedoni – fitues të “Unazës së Inxhinierisë” apo të shpallur më të mirët në universitetet e tyre – do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore. Rinia është çelësi i qëndrueshmërisë dhe zhvillimit”, tha ai.
Mickoski gjithashtu insistoi se ligji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës konsultimesh me universitetet dhe komunitetin akademik, duke e paraqitur atë si një zgjidhje të përbashkët dhe jo politike. Megjithatë, pavarësisht këtij narrative bashkëpunuese, debati rreth reformës mbetet i hapur për shkak të dallimeve mes versionit qeveritar dhe perceptimit në terren.
“Ky ligj nuk është miratuar prapa dyerve të mbyllura. Zhvilluam debat të gjerë, dëgjuam universitetet, ekspertët, studentët. Kjo është një zgjidhje e përbashkët. Dhe pikërisht për këtë besoj se do të japë rezultate”, tha Mickoski.
Në fund të fjalimit, ai e nënvizoi reformën si betejë për cilësi dhe kundër “eksperimenteve” në arsim, duke e vendosur theksin te nevoja për përmirësim të rangimeve ndërkombëtare të universiteteve dhe rritje të dukshmërisë shkencore të vendit.
Ndërkohë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se arsimi i lartë dhe shkenca do të marrin kornizë të re ligjore që ofron shumë më tepër mundësi për profesorët, shkencëtarët, hulumtuesit dhe studentët për zhvillim personal dhe për kontribut në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në njohuri, aftësi, arritje shkencore dhe inovacione.
“Prej një viti e gjysmë po zhvillojmë proces plotësisht transparent dhe shpreh mirënjohje ndaj komunitetit akademik dhe fushës shkencore, si dhe ndaj të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar në hartimin e paketës së re të ligjeve. U takuam me të gjithë, i dëgjuam të punësuarit në universitetet publike, në ato private, në institucionet shkencore dhe në ASHAM. Pranuam numër të madh sugjerimesh konstruktive, ndërsa vërejtjet kritike të komunitetit akademik dhe shkencor ndihmuan shumë në përgatitjen e versionit më të mirë të ligjit. Ky nuk është debat i shtirur, i tillë nuk do të zgjaste kaq gjatë. Nuk është parimi i punës i vitit 2018, kur ligjet silleshin nga kabineti i ministrit”, tha Janevska.
Janevska theksoi gjithashtu se procesi i hartimit të zgjidhjeve ligjore ishte vështirësuar për shkak të lajmeve të rreme dhe dezinformatave të përhapura nga qendra të ndryshme me ndikim mbi opinionin publik, ndërsa si shembuj përmendi pretendimet për cenimin e autonomisë së universiteteve, ndërprerjen e studimeve me korrespodencë dhe heqjen e fondit për mbulimin e shpenzimeve për publikimin e punimeve shkencore në revista ndërkombëtare shkencore.
“Theksoj se rezistenca e pabazë ndaj ndryshimeve pozitive, veçanërisht ajo politike dhe vetëm për shkak të rivalitetit, nuk duhet të jetë më kërcënim apo pengesë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për stimulimin e shkencës. Uniteti është i domosdoshëm, sepse ky qëllim-përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – është në fakt edhe detyrim i vendit në Agjendën e Reformave dhe përgjegjësia është e përbashkët”, potencoi Janevska, duke shtuar se shteti do të sigurojë të gjitha burimet dhe mekanizmat e domosdoshëm për zbatimin dinjitoz të rregullores së re ligjore, gjë që do të parandalojë rënien e mëtejshme të cilësisë së arsimit të lartë dhe do të mundësojë përparim në afat të mesëm.
Megjithatë, paralelisht me prezantimin e ligjit, po vazhdojnë kritikat politike dhe institucionale. Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se procesi i hartimit të ligjit nuk ka qenë realisht gjithëpërfshirës, por më shumë formal, ku konsultimet publike nuk kanë ndikuar në mënyrë thelbësore në versionin final të dokumentit.
Në të njëjtën linjë, kritikohet edhe mungesa e mekanizmave të mjaftueshëm për transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e universiteteve, si dhe rreziku që vendimmarrja të mbetet e centralizuar në duart e institucioneve politike. Këto vërejtje e vendosin përballë deklaratat e qeverisë për “partneritet me komunitetin akademik”, duke hapur debat nëse reforma përfaqëson realisht një konsensus apo vetëm një proces të formalizuar konsultimi.
Në këtë kontekst, mbetet e paqartë edhe mbështetja politike për ligjin në Kuvend, ndërsa opozita dhe disa aktorë institucionalë vazhdojnë të shprehin rezerva për ndikimin e tij në autonominë universitare dhe cilësinë reale të arsimit të lartë.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të mos i tregojnë autorët të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë i cili u shoqërua me shumë kritika nga akademia dhe sektori civil.
- LEXO: Universiteti “Nënë Tereza” ka dorëzuar vërejtjet në lidhje me propozim-ligjet rreth arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Ligjet e arsimit të lartë në këtë formë do të shkaktojnë dëme të pariparueshme, reagoi Sindikata e Pavarur Akademike
- LEXO: Pjesët kryesore të propozimeve janë refuzuar te tre propozim-ligjet për arsimin e lartë, reagoi Sindikata
- LEXO: Propozim-ligji problematik për Arsimin e Lartë përsëri në ENER, autorët mbeten sekret