Mickoski shpalosi emrat e rinj të ministrave të partisë së tij, nga VLEN përfliten Jeton Shasivari në Drejtësi dhe Sedat Sulejmani në Kulturë
Pasi kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi mbrëmë, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (KE) të VMRO-DPMNE-së, se në cilat dikastere do të ketë ndryshime kadrovike në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë, po bëhen të ditura edhe emrat e ministrave të rinj. Siç njoftoi Mickoski, partia VLEN do të marrë Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe Ministrinë e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në media, Zoran Ljutkov do të zëvendësohet nga Sedat Sulejmani, i cili paraprakisht ishte zëvendësministër në të njëjtin dikaster.
Ministri i ri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive do të jetë Agon Ferati, ndërsa kuadri i ZNAM në Drejtësi, Igor Filkov, do t’ia lërë postin ministror Jeton Shasivarit, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).
Partneri i koalicionit VLEN, pas rikonstruksionit të Qeverisë, do të ketë një pozicion zëvendëskryeministri.
Bekim Sali mbetet zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Çështjeve Evropiane.
Pozicioni i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, të cilin e mbante Arben Fetai nga VLEN, nuk do të ekzistojë në qeverinë e rikonstruktuar. Ky funksion do të mbulohet nga kryeministri.
Siç njoftoi Mickoski mbrëmë, partia kryesore në koalicion, VMRO-DPMNE, po merr ministritë e shëndetësisë dhe politikës sociale, demografisë dhe rinisë përmes rikonstruksionit. Partia propozon drejtorin aktual të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Sasho Klekovski, si ministër të Shëndetësisë, ndërsa zëvendësministri aktual në këtë dikaster, Gjoko Velkovski, propozohet për politikë sociale, demografi dhe rini. Ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale nga VMRO-DPMNE, Zllatko Perinski, do të emërohet për të zëvendësuar Klekovskin në FSSH, ndërsa zëvendëskryeministri aktual dhe ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, propozohet si Ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.
Lëvizja ZNAM, pas humbjes ndaj Drejtësisë, do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ku pritet që kreu i ri të jetë Borçe Serafimovski, i cili aktualisht është sekretar shtetëror në të njëjtën ministri.
Goran Minçev nga ZNAM do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Administratës Publike.
Kujtojmë se Mickoski e ka paralajmëruar rikonstruimin e Qeverisë prej muajsh kurse zyrtarizimi duhet të ndodhë sonte.