Mickoski: Pres që Erdogan të vijë në Shkup në pranverë

Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë tha se në bisedat me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e kanë përcaktuar që këtë pranverë të mbahet takimi i parë, ku ai do të vijë në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Ai shtoi se me nënshkrimin e marrëveshjes për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral gjatë kësaj periudhe janë intensifikuar partneritetet në fusha të ndryshme.

“Në bisedat me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e përcaktuam që këtë pranverë të mbahet takimi i parë, ku ai do të vijë në Shkup. Supozoj se vizita do të realizohet, në këtë moment nuk mund të them saktësisht kur dhe si, por e di që Turqia ka një ambasador jashtëzakonisht të mirë në Shkup, diplomat i nivelit të lartë, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe ai ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Jam i bindur se ky takim i parë do të ndodhë shumë shpejt dhe do të kemi mundësinë dhe nderin që presidentin Rexhep Taip Erdogan ta presim në Shkup”, theksoi kryeministri Mickoski.

Në seancën e Kuvendit, kryeministri i Mickoski, kujtoi se bashkëpunim i mirë midis dy vendeve ekziston edhe në turizëm, ku një numër i madh turistësh turq vizitojnë Maqedoninë, si dhe bashkëpunim ka edhe në arsim të lartë, pasi një numër i madh studentësh turq janë prezent në universitetet e vendit tonë.