Partitë nuk arritën marrëveshje për Kodin Zgjedhor, vendi rrezikon mbi 4 milion euro evropiane

Pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut nuk arritën marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, e cila është pjesë e Agjendës së Reformave, raporton Portalb.mk.

Në vend të kompromisit, partitë politike edhe në ditën e fundit të afatit të caktuar për miratimin e këtij ligji reformues vazhduan me akuza të ndërsjella për përgjegjësinë e bllokimit.

Kryeministri Hristijan Mickoski e akuzoi opozitën për papërgjegjësi dhe tha se ajo duhet të arrijë një qëndrim të përbashkët. Ai theksoi se Qeveria do ta mbështesë zgjidhjen ligjore nëse për të bien dakord partitë opozitare.

Ndërkohë, LSDM-ja dhe Levica shkëmbyen akuza për bashkëpunim të supozuar me pushtetin dhe për pengim të bashkimit të opozitës rreth modelit zgjedhor.

Pas bisedimeve të pasuksesshme, Mickoski deklaroi se Qeveria mbetet e përqendruar në realizimin e mandatit deri në vitin 2028, por shtoi se është e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme nëse ato shkaktohen.

Nga ana tjetër, opozita vlerësoi se e vetmja zgjidhje për situatën aktuale politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Dje vendi duhej t’i dërgonte raport BE-së për reformat e kryera.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, para dy ditësh shprehu shpresën se partitë politike do të arrijnë konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ai theksoi se miratimi i ndryshimeve është i rëndësishëm, pasi prej tyre varet pagesa e 4.2 milionë eurove nga fondet evropiane.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.