Mickoski nga Kavadari: Identiteti kombëtar nuk është subjekt negociatash
“Maqedonia mund të jetë evropiane vetëm nëse është e qëndrueshme në vetëdijen e saj dhe e sigurt në identitetin e vet. Në traditën evropiane të partive popullore, nacionalja nuk është një instrument etnocentrik, por një shprehje demokratike e historisë, kulturës dhe vullnetit politik të përbashkët. Për Maqedoninë kjo është veçanërisht e rëndësishme: shteti është i ri, i ekspozuar ndaj sfidave historike dhe shpesh përballet me përpjekje për relativizimin e ekzistencës së tij,” deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë hapjes së Kongresit të XVIII të partisë nën moton “Vizioni që ndërton shtetin – Për gjeneratën që vjen 2030”, transmeton Portalb.mk.
Mickoski theksoi se Maqedonia mund të ecë me siguri drejt Evropës vetëm nëse është e qëndrueshme në vetëdijen e saj dhe e fortë në mbrojtjen e identitetit të vet.
Ai prezantoi gjithashtu kornizën strategjike të VMRO-DPMNE-së:
“Identiteti kombëtar nuk është subjekt negociatash; respekti për identitetet e tjera është një vlerë, por jo në kurriz të identitetit të vet. Gjuha, historia dhe kultura janë shtyllat themelore të shtetit. Kompromiset në politikën ndërkombëtare mund të jenë teknike, por nuk duhet të jenë thelbësore. Dinjiteti shtetëror nuk është retorikë, por politikë praktike. Partneriteti me NATO-n dhe BE-në mund të jetë i fortë vetëm në bazë të barazisë”, tha Mickoski.
Ai shtoi se, VMRO-DPMNE nuk është e djathta radikale, as konservativizmi klasik i izoluar në të kaluarën.
“Modernizimi qendër-i djathtë nënkupton një shtet që ruan vlerat, traditën dhe identitetin, ndërkohë që ndërton një ekonomi dinamike, administratë inovative dhe institucione që mbrojnë lirinë, iniciativën private dhe dinjitetin e qytetarëve. VMRO-DPMNE pozicionohet si forcë politike që bashkon traditat më të mira të mendimit konservator evropian: zhvillim pa agresion ideologjik, patriotizëm pa ekskluzivitet, ekonomi që krijon mundësi dhe shtet që ofron mbështetje për më të pambrojturit,” shtoi Mickoski.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: Zhelazkov: Bullgaria mbetet në kushtin e ndryshimeve kushtetuese për përparimin e Shkupit drejt BE-së
- LEXO: Protokoll i ri me Bullgarinë: Rrugëdalje e mundshme për në BE, me pak shanse
- LEXO: Ambasadorja holandeze: Të mos humbasim kohë, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen dhe reformat duhet të zbatohen
- LEXO: Thomas Waitz: Bullgaria po zhvillon një narrativë nacionaliste, por edhe Mickoski po investon në diçka të ngjashme