Protokoll i ri me Bullgarinë: Rrugëdalje e mundshme për në BE, me pak shanse

A mund ta kapërcejë një protokoll i ri midis Shkupit dhe Sofjes ngërçin në procesin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe sa i pranueshëm do të ishte për të dyja palët? Këto janë pyetjet që lindin pasi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova doli me një propozim të tillë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut po “e jeton” vitin e katërt që kur mbajti konferencën e saj të parë ndërqeveritare me Brukselin, por nuk ka hapur as edhe një klaster të vetëm të negociatave të pranimit me BE-në sepse kjo kërkon përfshirjen e komunitetit bullgar në Preambullën e Kushtetutës. Bullgaria këmbëngul në përmbushjen e këtij kushti, ndërsa qeveria e Maqedonisë kërkon garanci se nuk do të ketë kushte të reja “jo parimore”.

Një protokoll i ri i mundshëm i nënshkruar nga të dyja palët, siç është propozuar nga Siljanovska-Davkova, mund të jetë një rrugëdalje nga situata, mendojnë disa nga analistët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë (REL). Por, ata theksojnë se është ende një pikëpyetje e madhe nëse Bullgaria do të pajtohet me këtë.

“Mundësia e nënshkrimit të një protokolli të ri është një iniciativë e mundshme dhe e pranueshme nëse ai protokoll i tretë propozon qëndrime që janë të dobishme, të dëshirueshme dhe dashamirëse për të dyja palët”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-ambasadori i Maqedonisë në Sofje, Marjan Gjorçev.

Opsionin e këtillë ai e sheh përmes Marrëveshjes për Miqësi, Bashkëpunim dhe Fqinjësi të Mirë midis dy vendeve, e cila, sipas tij, ofron “një mundësi të padyshimtë që ai të plotësohet me anekse konstruktive që janë fryt i aktivitetit diplomatik të koordinuar”.

Për këtë Gjorçev thirret në Nenin 13 (paragrafi 2) të marrëveshjes, i cili, ndër të tjera, thotë se “mund të ndryshohet me pëlqim me shkrim midis dy palëve kontraktuese”.

Propozimet konstruktive mund të çojnë përpara operacionalizimin e Traktatit, që, sipas Gjorçev, dëshirohet nga të dyja palët.

Demostrim i proaktivitetit dhe kreativitetit

Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane është i mendimit se një protokoll i ri duhet të merret seriozisht në konsideratë si një opsion nga autoritetet në Shkup, por se shanset për suksesin e tij janë të vogla.

“Megjithatë, do të tregonin proaktivitet dhe kreativitet të ri për ta zgjidhur problemin dhe për ta zhbllokuar integrimin evropian. Nuk pres që pala bullgare ta pranojë një protokoll të tillë, sidomos pasi në maj të vitit 2025 parlamenti bullgar miratoi unanimisht një rezolutë që vendosi se nuk duhet të ketë asnjë devijim nga korniza negociuese e dakordësuar, kështu që një protokoll i tretë do të ishte në kundërshtim me këtë vendim”, tha Nikollovski.

Pikërisht këtë rezolutë më 24 nëntor, siç raportohet nga mediat bullgare, e kujtoi ministri i punëve të jashtme i Bullgarisë, Georg Georgiev, duke thënë se deputetët e miratuan vendimin me 209 vota, duke e detyruar Qeverinë në Sofje t’i përmbahet vetëm konsensusit të vitit 2022 dhe asgjëje tjetër. Prandaj, ai tha se roli i homologut të tij në Maqedoni, Timço Mucunski, është që ta bindë qeverinë në Shkup që t’i përmbahet të njëjtit konsensus.

A ka rrugëdalje?

Ndërsa, për të dalë nga situata aktuale, përveç një protokolli të ri të mundshëm është e nevojshme të paraqitet qartë se cilat janë qëndrimet e vendit mbi atë të mëparshmin, të cilin pala bullgare na e kujton vazhdimisht.

“Një rrugëdalje nga status quo-ja aktuale është e mundur vetëm nëse pala jonë ia prezanton qartë, pa mëdyshje dhe sinqerisht palës bullgare qëndrimet tona se Republika e Maqedonisë nuk ka mundësi, në përputhje me Deklaratën e saj mbi Vijat e Kuqe të vitit 2022, ta lejojë rishikimin e historisë, tutorinë mbi sistemin arsimor dhe përpjekjet për ndërhyrje të huaja në kujtesën kolektive të Maqedonisë”, tha ish-ambasadori Gjorçev.

Por, të gjitha mundësitë e tjera për bashkëpunim në fushën e kulturës, ekonomisë, energjetikës, turizmit, qeverisjes lokale, transportit, thekson ai, “duhet të mbështeten plotësisht nga pala jonë me iniciativa, projekte dhe plane konkrete për një ngritje të re në kanalin e komunikimit dypalësh maqedono-bullgar”.

Çfarë propozoi Siljanovska dhe çfarë thonë qeveria dhe opozita

Ideja për një protokoll të ri u dha nga Presidentja SiljanovskaDavkova gjatë një prezantimi në TV 24, duke aluduar se do të ishte një zgjidhje kreative.

“Ekziston një protokoll, është një procesverbal i thjeshtë i nënshkruar nga dy ministra. Me procesverbal ju e ndryshoni një marrëveshje ndërkombëtare ose e plotësoni atë. Hapni Marrëveshjen e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, nuk ka asnjë fjalë aty për ndryshimet kushtetuese. Atëherë le të jenë kreativë, le të bien dakord për një protokoll të tretë në të cilin do të thonë se çështjet që lidhen me historinë, kulturën dhe identitetin nuk mund të jenë kusht”, tha Siljanovska-Davkova në TV 24 më 21 nëntor.

Ndaj propozimit të Siljanovskas për një protokoll të ri të mundshëm me Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në Bullgari.

Edhe Qeveria e Maqedonisë tani për tani nuk ka komentuar, duke theksuar se qëndrimet e shprehura nga presidentja rrjedhin nga kompetencat kushtetuese që ka.

“Në këtë kontekst, ne nuk do të shkonim në drejtim të sinkronizimit të tepërt të tyre ose interpretimit plotësues. Si Qeveri ne e kemi konfirmuar publikisht qëndrimin tonë për këto çështje shumë herë”, thanë nga Qeveria.

Ata nuk iu përgjigjën më tej pyetjeve nëse ky opsion po shqyrtohet në Qeveri dhe nëse ka pasur ndonjë diskutim me Bullgarinë dhe BE-në për një protokoll të tretë.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se qëndrojmë pranë përgjigjes së dhënë më parë”, thuhet në përgjigjen nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.

E përderisa Qeveria nuk komenton, opozita kritikon. Socialdemokratët dolën me një mesazh se “qytetarët janë tashmë të lodhur nga fjalët e reja boshe” dhe e akuzuan Qeverinë se po kërkon vetëm justifikime të reja.

“Ata thanë se mund të siguronin një marrëveshje më të mirë me Bullgarinë, se mund të siguronin një kornizë të re negociuese, se janë brenda perimetrit. Asgjë nga kjo nuk ndodhi. Ne besojmë se ky është vetëm një justifikim tjetër i sajuar për të mos vazhduar me reformat dhe për të mos e vazhduar rrugën evropiane të vendit”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, duke e  komentuar propozimin e Siljanovska-Davkovës.

Në fillim Marrëveshje, pastaj veto, pastaj kompromise dhe protokolle

Gjatë qeverisjes së LSDM-së në vitin 2017 Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan një Marrëveshje për Miqësi, Bashkëpunim dhe Fqinjësi të Mirë, por në vitin 2020 Sofja vuri veton ndaj fillimit të negociatave aderuese të Shkupit me BE-në për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.

Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, në vitin 2022 u gjet një kompromis për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut, e cila e pranoi përfshirjen e komunitetit bullgar në Preambullën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, dhe nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi ​​një deklaratë të njëanshme duke e shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje. Në atë kohë u nënshkrua edhe një protokoll midis ministrave të punëve të jashtme, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska.

Gjykata Kushtetuese vendos për protokollin

Protokolli aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata Kushtetuese, e cila në muajin gusht vendosi të hapë një çështje dhe të vendosë nëse është apo jo në kundërshtim me Kushtetutën.

Para gjykatës një palë e kundërshtoi faktin se ai nuk ishte ratifikuar nga Parlamenti, “duke prodhuar efekte të dëmshme në çështjet e identitetit për popullin, gjuhën dhe shtetin maqedonas”. Ende nuk ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Bujar Osmani, si ministër i punëve të jashtme pas nënshkrimit në vitin 2022, pretendonte se bëhet fjalë për një protokoll të bazuar në reciprocitet. Në një konferencë për shtyp me gazetarët ai atëkohë tha se Protokolli “në thelbin e tij juridik është procesverbali i një takimi”, i cili përmban një agjendë, një përmbledhje të dialogut politik, takimeve dhe aktiviteteve, pastaj një përmbledhje të bashkëpunimit sektorial dhe grupeve të punës ndërresoriale, si dhe pesë tema mbi të cilat të dy vendet duhet të marrin masa.

Pesë temat kanë të bëjnë me historinë, mbështetjen për integrimin në BE, gjuhën e urrejtjes, pretendimet territoriale dhe rehabilitimin e viktimave të represionit nga regjimi komunist.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.