Mexhiti premtoi licenca në shqip që ekzistojnë prej vitesh, derisa çështja e provimit të jurisprudencës mbetet e pazgjidhur

Debati për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të përplasë kundërshtarët politik. Sot janë bërë dy javë nga premtimi i zëvendëskryeministrit Bekim Sali se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe do të zgjidhet brenda një jave. Megjithatë, ende nuk ka zgjidhje konkrete në letër edhe pse në deklarata për mediat krerët e VLEN-it thonë se janë afër, shkruan Portalb.mk.

Licencat janë lëshuar edhe më herët në dy gjuhë

Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti deklaroi sot se është arritur marrëveshje politike që licencat dhe certifikatat të lëshohen në gjuhën shqipe. Sipas tij, disa profesione tashmë e kanë të rregulluar këtë çështje, si mjekët, stomatologët, edukatorët në çerdhe dhe administratorët.

“Në Maqedoni provimet profesionale në vazhdimësi janë mbajtur në gjuhën maqedonase, si edhe licencat janë dhënë në gjuhën maqedonase. Për herë të parë disa prej tyre janë rregulluar, siç është çështja e mjekëve, administratorëve dhe edukatorëve në çerdhe. Kemi marrëveshje politike që të gjitha tjerat të jenë në gjuhën shqipe, si provimet ashtu edhe licencat. Ndër to është edhe provimi i jurisprudencës, që për herë të parë në historinë e këtij vendi do të mbahet në gjuhën shqipe”, deklaroi Mexhiti. 

Megjithatë, Mexhiti duket se ka anashkaluar faktin se licencat dhe certifikatat e lëshuara nga Ministria e Drejtësisë, por edhe ministritë tjera deri më tani janë lëshuar në dy gjuhë. Këtë e konfirmojnë edhe dokumentet ekzistuese:

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, për Portalb.mk tha se i vjen keq që Mexhiti nuk e njeh realitetin e trashëguar në Ministrinë e Drejtësisë.

“Fjalë për fjalë, çdo gjë – nga dera hyrëse e deri te çdo dokument, akt ligjor, akt nënligjor, certifikatë apo licencë, me ardhjen time ishte detyrimisht edhe në gjuhën shqipe. Në momentin kur Izet Mexhiti dhe VLEN morën qeverinë dhe Ministrinë e Drejtësisë, gjuha shqipe u hoq nga dokumentet dhe komunikimi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë”, tha Lloga.

Ndërkohë ata që kanë kaluar provimin e jurisprudencës, pas miratimit të Ligjit për Gjuhët, deklaruan se si licencat ashtu edhe certifikatat i kanë marrë në gjuhën shqipe.

Premtimi për provimin e jurisprudencës mbetet i parealizuar

Dy javë pas deklaratës së Sali-t se “çështja do të zgjidhet për një javë“, nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk sërish thonë se po punohet për një zgjidhje.

“Lidhur me pyetjen tuaj, Ju informojmë se Qeveria punon për të siguruar një zgjidhje të përhershme për këtë çështje. Bëhet fjalë për një çështje e cila për një periudhë të gjatë nuk ka qenë e zgjidhur në mënyrë sistemore, ndërsa qëllimi është të sigurohet një zgjidhje në përputhje me procedurat ligjore dhe në interes të qytetarëve. Njëkohësisht, mbetet përkushtimi për respektimin e të drejtës së çdo qytetari që ta përdorë gjuhën e tij amtare, pa politizim të panevojshëm rreth kësaj çështjeje. Në momentin kur do të ketë risi lidhur me këtë çështje, opinioni do të informohet me kohë”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Sali, ditë më parë për Alsat, tha se pjesa teorike e provimit do të mund të jepet edhe në shqip, me kërkesë të studentit. Megjithatë, pjesa praktike e provimit përsëri mbetet në gjuhën maqedonase pasi lëndët që u dorëzohen në gjykatë janë vetëm në maqedonisht.

“Kemi të bëjmë vetëm me pjesën praktike ku lëndët që do të jepen në test, do të jenë në gjuhën maqedone. Pra, vetëm ajo pjesë mbetet, pjesa tjetër teorike ne e kemi zgjidhur, kush është anëtari i komisionit, si do të zgjidhen anëtarët, të gjitha këto ndryshime janë të parapara. Pra, pjesa teorike mbetet në gjuhën shqipe”, tha Sali.

Ndaj kësaj deklarate të zëvendëskryeministrit Sali, u përgjigj organizatori i protestave të studentëve Mevlan Ademi, ai shkroi se çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një “semi-zgjidhje” apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e dëmshme.

“Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore.Prandaj, nuk ka nevojë për interpretime të reja, verifikime shtesë apo procese që vetëm sa shtyjnë zbatimin e asaj që tashmë është e garantuar me ligj. Zgjidhja nuk duhet shpikur. Ajo ekziston.Zbatoni ligjin. Pikë”, shkroi Ademi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë deklaroi se ende nuk e ka shqyrtuar propozimin e grupit punues për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai tha se të hënën (8 qershor), është dakorduar takim tek ai në kabinet që të prezantohet propozimi. Grupi i punës i përbërë nga ekspertë kushtetues tashmë ia ka dorëzuar Qeverisë propozim-zgjidhjen për këtë çështje.

Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.  Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për çështjen e provimit të jurisprudencës.