KSHPK hapi lëndë për parregullsitë e gjetura në ISHP nga Enti për Revizion
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka njoftuar se ka hapur lëndë që lidhet me gjetjet e përfshira në raportin e auditimit të Entit Shtetëror të Revizionit për Institutin e Shëndetit Publik, transmeton Portalb.mk.
Sipas njoftimit, lënda është hapur për të verifikuar pretendimet e paraqitura në publik dhe në media, si dhe për të identifikuar rreziqet e mundshme të korrupsionit, konfliktit të interesit, abuzimit të pozitës zyrtare ose parregullsive të tjera në punë, në përputhje me kompetencat e KSHPK-së.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot, duke vepruar në përputhje me kompetencat e tij të përcaktuara nga Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, me iniciativën e vet hapi lëndë në lidhje me gjetjet e përfshira në raportin e auditimit të Entit Shtetërore të Revizionit, të cilat lidhen me Institutin e Shëndetit Publik. Lënda u hap për shkak të nevojës për të verifikuar pretendimet e bëra në publik dhe në media, si dhe për të identifikuar rreziqet e mundshme të korrupsionit, konfliktit të interesit, abuzimit të pozicionit zyrtar ose parregullsive të tjera në punë, brenda kompetencave të KSHPK-së”, thonë nga Antikorrupsioni.
Komisioni thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbledhjen dhe analizimin e dokumentacionit dhe informacioneve relevante nga institucionet kompetente, me qëllim përcaktimin e gjendjes faktike.
Nga KSHPK bëjnë të ditur se publiku do të informohet në kohën e duhur për zhvillimet dhe veprimet e mëtejshme në këtë rast.
ESHR gjeti parregullsi në të dhënat e marrjes dhe konsumimit të furnizimeve mjekësore, aktivitete të pazbatuara nga Programi Kombëtar Vjetor, parregullsi në angazhimin e personave me kontratë pune, si dhe vaksina të paregjistruara në librat e biznesit të ISHP-së për vitin 2024.
Pasqyrat financiare për periudhën e audituar kanë qenë nën përgjegjësinë e drejtorit të atëhershëm mjekësor, prof. dr. Shaban Memeti, i cili e ka ushtruar funksionin deri më 19 korrik 2024, si dhe të ushtrueses aktuale të detyrës së drejtoreshës, bashkëpunëtores shkencore dr. Marija Andonovska, e cila e ka marrë funksionin nga e njëjta datë.