RMV, mungojnë 340 zjarrfikës, ndërsa zjarret shuhen me automjete të vjetra 27-vjeçare

Në vend mungojnë 340 zjarrfikës, ndërsa mjetet zjarrfikëse që përdorin janë të vjetra mesatarisht 27 vjeç. Sipas hulumtimit të fundit të Qendrës për Komunikim Civil (QKC), e njëjta gjë vlen edhe për autoambulancat. Në vend numërohen 263 autoambulanca, të cilat janë mesatarisht 12-vjeçare dhe shumica e tyre janë blerë “në të vjetër”. Vetëm 30 nga automjetet e tilla të sapoprokuruara janë të reja, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet e hulumtimit treguan se numri i zjarrfikësve është më pak se i parashikuar me ligj në 16 nga 34 njësi zjarrfikëse në vend. Kryeqytetit Shkup i mungojnë më së shumti zjarrfikës, më shumë se 200. Njësia e Shkupit ka 190, ndërsa duhet të ketë 405 zjarrfikës.

Qyteti i radhës në listë me mungesë të zjarrfikësve është Kumanova, ku janë 33 zjarrfikës më pak se sa parashikon ligji, pasuar nga Manastiri me 21 zjarrfikës më pak dhe Tetova ku mungojnë 17 zjarrfikës.

Në anën tjetër, shembull pozitiv është Resnja me gjashtë zjarrfikës mbi numrin e përcaktuar ligjor, dhe disa komuna që secila kanë katër zjarrfikës më shumë se minimumi: Gostivari, Struga, Kërçova dhe Dellçeva.

Ndryshe, 34 njësitë zjarrfikëse kanë gjithsej 284 vetura – gjysma e tyre janë më të vjetra se 30 vjet, ndërsa vetëm 15 për qind janë deri në 10 vjet.

Në tre vitet e fundit janë blerë edhe 65 automjete të tjera, por edhe ato janë të moshës mesatare prej 17 vjetësh, tregon hulumtimi.

Automjetet më të vjetra me moshë mesatare 39 vjeç i ka njësia e sapoformuar zjarrëfikëse në Nagoriçan të Vjetër.

Më pas është Kratova me moshë mesatare 38 vjeç, ndërsa veturat e njësisë kundër zjarrit në Vallandovë kanë moshë mesatare 36 vjeç.

Njësitë zjarrfikëse në Veles dhe Shtip kanë flotën më të re të automjeteve, automjetet e të cilave janë mesatarisht 12 vjeçare, theksojnë nga QKC.

Mjeti më i vjetër zjarrfikës, 57 vjeç, është kamioni TAM i vitit 1966, i njësitit Vallandovë.

Automjete të prodhuara në vitin 1967 ka në Makedonska Kamenicë, Manastir, Kriva Pallankë dhe Demir Hisar.

Nga markat e automjeteve, më të përfaqësuara janë kamionët FAP, nga të cilët ka rreth 50 automjete, mesatarisht 39 vjeç, pasuar nga 28 “Lada Niva”, mesatarisht 23 vjeç.

Sa i përket hulumtimit dhe bazës së të dhënave të autoambulancave dhe mjeteve mjekësore të institucioneve shëndetësore në vend, Qendra për Komunikime Civile bën të ditur se në vend janë gjithsej 263 automjete për këto nevoja.

Automjet mjekësor ose ambulancë posedojnë gjithsej 58 institucione shëndetësore. Automjeti më i vjetër Mercedes i vitit 1988 përdoret nga Spitali për sëmundje respiratore nga Otesheva.

Më të rejat janë dy automjete të blera vitin e kaluar, njëra nga Spitali klinik në Shtip dhe tjetra nga Shtëpia shëndetësore në Tetovë. Vlera mesatare e blerjes së automjeteve është 38 mijë euro.

Veturat më të shtrenjta të blera ishin veturat e dhuruara nga Ministria e Shëndetësisë për Klinikën për sëmundje të fëmijëve nga Shkupi në vitet e largëta 2001 dhe 2013, me vlerë të blerjes prej 105 e 135 mijë euro.

Rreth 73 për qind e këtij lloji të automjeteve janë pranuar nga institucionet shëndetësore për përdorim ose si donacion.

“Vetëm rreth 22 për qind e automjeteve janë blerë nga institucionet shëndetësore me mjete të veta”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë, theksojnë nga Qendra për Komunikime Civile, zakonisht paraqitet si institucion që cakton përdorimin e automjeteve për institucionet shëndetësore, ndërsa shtetet tjera, organizatat joqeveritare apo individët paraqiten si donatorë.

Marka më e zakonshme e automjeteve të ambulancës është “Reno”, prej të cilave janë 74 automjete, prej të cilave 62 janë të modelit “trafik”.

Më pas janë “Citroen” me 35 automjete, si dhe “fiat” dhe “volkswagen” me nga 26 automjete.

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Monitorimi i prokurimeve publike”, i cili zbatohet nga Qendra për komunikime civile, ndërsa financohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni.