Mexhiti: Kemi siguruar fonde shtesë për një numër më të madh të pacientëve me fibrozë cistike që duhet të marrin “Trikafta”

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, sot ka zhvilluar takim me përfaqësues të Shoqatës së fibrozës cistike. Në takim, ministri dhe përfaqësuesit e Shoqatës folën për disa tema aktuale që kanë të bëjnë me pacientët me fibrozë cistike dhe përpjekjet për tejkalimin e tyre. Javën e kaluar, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi mjete shtesë për ilaçin “Trikafta” për një numër shtesë të pacientëve me fibrozë cistike, transmeton Portalb.mk.

Me këtë buxhet shtesë do të rritet ndjeshëm numri i pacientëve për të cilët Komisioni i ekspertëve do të vendosë që të marrin terapi. Për pacientët që do të trajtohen me ilaçin “Trikafta”, vendos komisioni i ekspertëve i ngritur nga ministri i Shëndetësisë dhe vendimet merren sipas protokollit të përgatitur.

Bashkëbiseduesit në takim biseduan edhe për rindërtimin dhe pajisjen e Qendrës për fibrozë cistike në ISHP Institutin për sëmundje të mushkërive te fëmijët, Kozle, Shkup, për të cilën Ministria e Shëndetësisë mori ndihmë financiare nga Republika Popullore e Kinës.

Ministri Mexhiti në takim theksoi se Qendra do të jetë objekt bashkëkohor i ndërtuar sipas standardeve evropiane, ku do të ofrohen shërbime bashkëkohore shëndetësore për pacientët me këtë sëmundje, si dhe kushte të shkëlqyera për stafin shëndetësor për të punuar me pacientët.

Ilaçi “Trikafta” mbërriti në vend në fillim të muajit mars dhe menjëherë e morën 12 pacientë. Pacientët me fibrozë cistike e kërkojnë këtë ilaç që prej vitit 2020, prej muajsh kanë apeluar dhe protestuar, duke kërkuar nga shteti që t’u sigurojë ilaçin “trikafta”, i cili përmirëson ndjeshëm shëndetin e tyre,

Më 17 mars, deputetët miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore, mundësoi blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçit përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Kjo do të mundësojë akses më të shpejtë dhe më të lirë në barna, kryesisht ato për sëmundje të rralla, si dhe për sëmundje specifike dhe të rënda. Ndryshimi i ligjit ka nisur me qëllim blerjen e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, por do të zbatohet edhe për barnat e tjera që kanë një prodhues të vetëm.

Revolta në opinion u shtua pas vdekjes së njërit prej pacientëve me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, më 8 shkurt. Kujtojmë se ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, më 9 shkurt tha se për ilaçin “Trikafta” janë siguruar 140 milionë denarë për 8 pacientë me fibrozë cistike. Fjala është për mjetet buxhetore të dedikuara për Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, përkatësisht për 140 milionë denarë shtesë, tha Sali. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike i dhanë lamtumirën e fundit para Qeverisë me një minutë heshtje, qirinj dhe lule Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, një nga anëtarët më aktivë të tyre, i cili vdiq më 8 shkurt.