Varvara – fshat i malësisë së Sharrit që po përgjumet në heshtje

Syrija Etemi
Syrja Etemi

Para se të flasim për këtë fshat impozant të komunës së Tearcës (tani, thuase i braktisur), më së pari t’i qasemi një gojëdhëne të këtyre zonave:

“Dikur Leshka ka qenë qytet dhe është quajtur Legjen, i cili ka qenë i locuar Te Kalaja. Qyteti ka qenë i rrethuar me mur, kështu që askush nuk ka mundur të hyjë në të e ta pushtojë. Kur vijnë Turqit në Pollog, ata depërtojnë deri te muret e këtij vendbanimi të madh. Aty pranë lumit  disa asker-habertarë takojnë një plakë duke fërguar peshk. Ushtarët turq i drejtohen plakës me fjalë, duke i thënë: “Oj plakë, largohu që këtej, sepse  do të bëhet  një luftë e madhe dhe Legjenin  do ta merr Turku!”. Plaka ua kthen: ”Kur do të ngjallen këta peshq nga tigani, atëherë turqit do ta marrin këtë vend”. Dhe, për  një çast befasia ndodhi: peshqit – “pup” e kërcejnë nga tigani në lum. Atëherë plaka, duke dyshuar në këmbëngulësinë e kotë të saj, pa  se ndryshuan punët, u thotë  ushtarëve: ”Dëgjoni këndej ju  askerë të Turkut, nëse tentoni ta merrni Legjenin, atë mund ta bëni vetëm nga ana e epërme – nga Sharri”. Dhe Ushtria e fuqishme e turkut ashtu veproi, depërtoi nga malet e Sharrit dhe e mori qytetin, kurse banorët e tij në krye me mbretin fatkeq, Konstantinin, detyrohen të lëshojnë Kalanë për t’u arratisur në malet e afërta. Natën disa banorë të ikur, ndezin zjarr aty ku gjendet sot  Varvara. Kur e shohin turqit këtë, thërasin: “var, var”, që domethënë: “ka, ka”. Kështu, prej atëherë këtij vendbanimi i mbetet edhe emri Varvarë.

VARVARA, 2.10.2019 (Foto e huazuar nga profili: “Varvara – Barbara”)
VARVARA, 2.10.2019 (Foto e huazuar nga profili: “Varvara – Barbara”)

Varvara sipas disa shënimeve të shkruara dhe gojëdhënave

Me këtë rast do t’u referohemi shkrimeve të disponuehme që i posedojmë dhe që flasin për Varvarën. Shtrihet në kodrinat e Sharrit, drejtpërdrejtë mbi Leshkën (lartësia mbidetare prej rreth 850m).  Banorët ujë për pije përdorin nga tre çeshmat, të cilat janë në fshat, emrat e të cilave janë: Studenec, Selska Çeshma (Çeshma e fshatit, S.E.)  dhe Gorna Çeshma (Çeshma e Epër). Në këtë atar burojnë këto kajnaqe: Baçilishte, Raven, Çexhin izvor (Burimi Çexhit), Rakita, Golem Potok (Përroji i Madh), Suv Doll (Ultësira e Thatë), Sillna Voda (Uji i rëndë)

Emërtimet e vendeve janë: Orashe, Belimen, Projçoo, Dubovnik, Gorni Llazoj, Krs, Izmida, Papradnik, Rupina, Skok, Dabizhoa Voda, Mllaka, Skakallnik, Odrishte, Dllaga Livada, Plloça, Sina Voda, Çiftetash, Llazoi, Livaxhe, Kojçinoo, Çexhin, Kutllishta.

Fshati ndahet në dy Mëhallë: E Epër dhe E Poshtme. Varvara ka 9 fise me 40 shtëpi (v.1947).

Katundarët deklarojnë se ky fshat dikur është quajtur Gorna Varosh (Varoshi i Epër), dhe sipas kësaj ka ngelë edhe emri i tij: Varvara – (nga Varosh). Kur në Varvarë ka qenë Varoshi i Epër, atëherë në vendin ku tani shtrihet fshati Leshak (Leshkë), është shtrirë Varoshi i Poshtëm me rreth 77 kisha. Disa fshatarë të Varvarës, me rastin e ndërtimeve të shtëpive, kanë gërmuar edhe mure me gurë me shenja nga kovaçhanja.

Më vonë në Varoshin e Epër dhe në Varoshin e Poshtëm themelohen fshatrat e sotëm Varvarë dhe Leshkë. Tek banorët sot ekziston gojëdhëna se, dikur këtu ka “vrarë murtaja”.

Në kufirin e atarit të Varvarës dhe Leshkës, ekzistojnë gërmadha nga fortesa e moçme, tani e quajtur: Kala.  Në Varvarë thuhet se në të jeton një “murg”. Nga Kalaja deri në Manastirin e Vjetër, Shën Thanasi (i Sllatinës – mbi Sllatinë, S.E.), të çon ura “me zinxhirë”. Gurëz nga kështjella e dikurshme janë bartur në gjysmën e parë të shekullit XIX, kur është ndërtuar Kalaja mbi Tetovë (Kalaja e A.Pashës, S.E.). Ky material është bartur nga ana e Vllehëve–me mushka.

Nuk është e tepërt të thuhet edhe kjo se, në këtë vend ka edhe shumë gojëdhëna për Pashallarët e Tetovës. Sipas gojëdhënave të pleqve, më përpara nga Luma në Tetovë ka ardhur Arbanasi, Ajdar Palla (sigurisht këtu kemi të bëjmë me Rexhep Pashën, S.E.), i cili ka qenë mjaft i ashpër: “ai vret e pret, varën dhe turqizon” në mbarë Pollogun. Për këtë, disa (banorë vendasë, S.E.) janë ankuar deri në Stamboll. Pas ankesës, mbreti ka dërguar “suharinjtë” që kanë zënë Ajdar Pallën dhe e kanë dërguar në Stamboll dhe, atje e shtijnë në zandanë. Në kohën sa ka qenë i burgosur Ajdar Palla, “vetëm është falur me përulshmëri” dhe është “kthyer” deri në atë masë sa që, “edhe mizat nuk i ka shkelë”. Për këtë arsye, Sulltani turk i lejon të kthehet në Tetovë, ku, Ajdar Palla i bën 4 djem: Abdurrahman Pashën, i cili bëhet Pashë i Tetovës, Ajradin Pasha, “shkon në Dibër” , Amzi Pasha, i cili merr Pashallëkun e Shkupit dhe Ashib – Baba, i cili rindërton Teqen e Tetovës. Në Varvarë thuhet se, në kohën e Abdurrahman Pashës, në Tetovë ka jetuar një i krishterë Haxhi Naumi!, i cili ka qenë një person jashtëzakonisht i besueshëm i Pashait. Ai e bindë Pashain që të mos ndërtojë Kala në Gajre, por në Llavcë.

(Të cekim këtu edhe një të dhënë komplementare: “Sipas një gojëdhëneje, Kalanë e kanë ndërtuar 400 muratorë për 20 vjet. Gjatë ndërtimit të Kalasë, Abdurrahman Pasha ka marrë në Tetovë Cincarë dhe i vendosë ata në vendin e quajtur Rudinat e Pashës. Cincarët (vllehët, S.E.), në mushka kanë bartur gurë për kalanë nga atari i fshatit Gajre (në vendin e quajtur Rupa). Planin për kalanë e ka përpunuar kristiani, Jakov Haxhi Pauni! nga Tetova).

Tek pleqtë e Varvarës ekziston edhe një gojëdhënë tjetër edhe për Kiril Peçinoviqin. Thuhet se si Kirili gjatë ndërtimit të Manastirit të Leshkës, i ka thënë Pashait të Tetovës se do të ndërtojë një “Teqe për fukarenjtë”, të njëjtë si ajo e Tetovës. Kështu, Pashai i dha leje dhe, në fakt, Kirili ndërtoi Manastirin në vendin e quajtur “Juria” – tokë e lirë. Pas vdekjes së Kirilit, igumen i Manastirit të Leshkës bëhet eremonahu, Silvester nga Varvara (nga 1845 deri 1860). Ai është i njohur për faktin se në Manastir ndërtoi një ndërtesë trekatëshe (“saraj”) ku mund të bujnë 500 mysafirë.

Në Varvarë ekziston kishëza (“paraklisi”) Shën Premtja. Ajo është ndërtuar në kohën e Turqisë në vendin ku  kanë ekzistuar themelet e një kishe të vjetër me të njëjtin emër. Në jug të Varvarës, kanë ekzistuar “vakufe të vjetra”. Ato i kanë shfrytëzuar për dru Arbanasët Myslimanë (ashtu siç i quan autori, S.E.)  të fshatit fqinj Neproshten – gjatë periudhës së Luftës e Dytë. – Varvara nuk ka mundur të bëhet fshat i madh, sepse përherë ka dhënë banorë për shpërngulje. Vetëm për këta 80 vitet e fundit, nga Varvara janë shpërngulur  rreth 50 familje. Më tepër janë ngulitur në fshatrat fqinjë të Rrafshit -në Leshkë dhe në Rushçuk të Bullgarisë.

Këto të dhëna të shtruara këtu, gjithnjë sipas autorit, Jovan Trifunovski: “Pollog” (Antropogeografski prouçavanja), faqe 332 (me nr. Rendor 77), në vazhdim shtohen edhe me plotësime tjera, sidomos me ato që kanë të bëjnë me fiset që kanë përbërë këtë vendbanim, si: Çulevci, Drndaroj, Cvetkovci, Peçeribovci (Peshkpjekësit, S.E.), Boshkoj, Prnxhoj, Pandeziini, Gllainovci dhe Koaçovci (Kovaçi, S.E.)- fisi i krishterë i ardhur nga Luma e Arbanisë Veriore, që shpërngulet nga “zorti”, për të cilin do të zgjërohemi pakëz.

Për këtë fis të ardhur, autori R. Nikoliç ka nënvizuar se ky fis në Varvarë ka ardhur në gjysmën e parë të shek. XIX, në kohën e Pashait të Tetovës, Abdurrahman Pasha. Pjesëtarët e këtij fisi ruajnë një traditë akoma të gjallë që lidhet me njërin nga të parin e fisit të tyre, Millosh Kovaçi, i cili ngulmohet këtu (në Varvarë) bashkë me vëllaun, Tërpko. Kur kanë ardhur këtu, ata kanë punuar si kovaçë në fshat e, mandej, më vonë blejnë një mulli nën Varvarë – afër Kalasë së Leshkës, ku kanë ngritur edhe një kovaçhanë tjetër akoma më të madhe. Millosh Kovaçi i përmendur ka qenë njeri i respektuar dhe me shumë ndikim, i cili, me mjaft sukses u ka bërë ballë sulmeve të “zullumqarëve”, të cilët vinin në fshat. Një ditë kur Milloshi kthehet nga Shkupi (ngarkuar me mall), atë e mbysin në pusi – afër fshatit Vratnicë. Banorët e fisit Kovaçi jetojnë në Varvarë – në Mëhallën e Epër. Nga këta, nga Varvara ka të shpërngulur familje në Tetovë, Breznë (Xhorovci) e në Bullgari.

Kur shkruajmë për Varvarën, e në veçanti për fisin Kovaçi, është me rëndësi të theksohet se, me këtë vendbanim, (por edhe ndër fshatrat fqinj), është e lidhur edhe një gojëdhënë  që ka të bëjë me pjesëtarët e fisit të lartëcekur – me Abdurahman Pashën, që do ta shtrojmë në vazhdim:

 

Koxha Rexhep Pasha (Portet i gjendur në konakun e Manastirit) – Leshkë
Koxha Rexhep Pasha (Portet i gjendur në konakun e Manastirit) – Leshkë

    Livadhet e Kovaçve ene Avdiramën Pasha

    -Vllaznit Kovaçi, pi ënës tuan, n’vakët t’Turkijës, kan kën kovaç me emën – ma t’merët n’Nahi Tetuavës. Nji dit pi ditve, Pasha i Tetuavës, Avdiramën Pasha, ene pashallarët e Bardhuavcës t’u gjezdis, e tejrin   muhabetin nen te shpatët, se kush e ka sablen ma t’mer e ma t’fuart. N’atua muhabete e lavdrejme, vihen me kaull: “Aj xhi du fitoje, dja mare haremin ataj xhi du hupe!” . E, nejse, mbasi e suasin llafin, Pasha, pi Tetuave, me seizin e viet –  atin me shal, ene dejt “irish!” – te vllaznit Kovaçi – n’kuvaçhëne (xhi ka kën mas Kalaje – Te Grika: ndërmjet Sllatejnës ene Leshkës). Pasha u kallxuan ktine për “kaullin”, ene u buën rixha ç’i “ta maruëjn nji sable xhi  t’prese mer, ene t’ jese e fuart, xhi, mus e kiese pas kurkushi nen n’at vakët!” Atua i thaun se, “ësh mimqim, amun me na dhën 12 uak çilik”. Mas do ditësh, izmiqart e pashës – pi ënës t’Gostivarit, i çojn  di sheka t’mdhuëja çilik e, drejt n’kuvaçhëne. Di vllaznit, i shkarkuëjn shiekët, i  mrazin n’kazën maj fjakën e qimirit, e nxiefin mer hekrin, e shkrëjn e, ta buëjn “brumin” – pllat t’bardh… Ç’ashtaune tu e nxhesh mer, tu ja çit “firën” – nen sa jet nji uak sa për ta buë sablen. Kur e buëjn hazër atë, i çuëjn habier pashës se, sablja ësht hazër ene kur t’duate pasha, mund t’veje ta mare. I shkuan haberi n’Kunak, e, aj me seizin e vet vejn me nji frejm n’kovaçhëne. Vllaznit i dalën para,  ene i thaun: “Tungaqeta, o, Pasha i madh!  Sablja ësht hazër, çe mund ta marësh, hiç pa shibe!” Aj e mer n’duar, e ajo – si bafçire zdrejtën… Pasha masahi u thuët: “Ngjuani khëne, mus ma nxëni fterën e t’harllanejsëm  para miletit…!”  Vllaznive pak u jet hatri, po nuk gxuëjn t’thaun kurxhë, veç njëni ja buën: “Lepe, Pasha,  n’ësht mimqim, ngatma pak sablen!”  Si e mer sablen n’dor, me atë, i ep përdah,  ja vërtejtën degës t’nji kshties xhi ishte atej ngat, ene dega ra puësht. Kejt xhi ken me Pashën, metën kallkën, ene “fap” ja fugi n’duar Pashës, ja dha prap.

     E mer Pasha sablen, ene shkuëj. Dalën n’fush n’allaj ku du “shtehen” se cëlla shpat ësht ma e fuart… Atej ka pas t’grishëm pquët miç e  sirxhi . Ktua, tu di pashallarët – atej, i çesën sablet pi kallaupi – kejt kadife. I dumaten me hëz t’madh njëni – qetrit, e  i zatekin atua teh m’teh. Shpata e Pashës Tetovës e thi n’xhimc shpatën e Pashës Bardhovcës, (t’ Avzi Pashës), ene e fitoj “kaullin”. U gjazmau pa hesap, Avdiramën Pasha, ene, huxhum  e, drejt vejn te kovaçhëna, k’tau te ne.  Kshau, kejt shen, kur mrën atej, fkatën: “Kaullin e  fitaut, e fitaut, kërkuani shtahi xhi t’duni e sa t’duni!?” Po, vllaznit njihere nuk folin kurxhë, demek, nuk dum kurxhë… Pasha va fkien se, “kjo pun s’ buhët; nuk ka çare t’kapërcini pa bakshejsh!”  At’here vllaznit i thkihan Pashës: “Po, mer, masi ashtau, çe na jep k’tua Livadhet ktau ukolla Kovaçhënes!” “Ashtau u tha, ashtau u buë!… Pasha çiti mihirin, ene me tapej va dha Livadhet  xhi jën ene sot e muat – ktau mas Kalaje, maj Sllatejn e Lieshk: “Livadhet e Kovaçëve”.

Shkroi: Syrja Etemi