ANALIZË: Numri më i madh i të papunëve është në Qytetin e Shkupit dhe në Tetovë, 70% e të papunëve nuk kanë as arsim të mesëm (Infografik)

Më shumë se 60.000 të papunë pa arsim apo me arsim fillor janë në kërkim të punës. Të dhënat e reja nga APRM-ja tregojnë se për herë të parë pas shtatë vitesh në vend janë regjistruar më pak se 100.000 të papunë, por sa dhe a janë kualifikimet dhe arsimimi i tyre adekuat për nevojat e tregut të punës? Në vijim lexoni analizën ekonomike javore të Portalb.mk.

Maqedonasit dhe shqiptarët etnikë kanë nga 39% të numrit të përgjithshëm të të papunëve. 

Për herë të parë në vend, nga viti 2018 e deri më tani, numri i të papunëve (punëkërkuesve aktivë) ka rënë nën 100.000.  Sipas të dhënave të reja të Agjencisë për Punësim, në korrik janë regjistruar 98.976 punëkërkues aktivë në nivel shtetëror, që paraqet një rënie prej 6.827 personash krahasuar me gjendjen në muajin e parë të këtij viti dhe 6.972 më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga APRM-ja, përveç 98.976 punëkërkuesve aktivë janë të regjistruar edhe 46.291 persona me statusin e të papunësuarit, por si punëkërkues pasiv. Në evidencat e qendrave rajonale të APRM-së në 30 qytete të vendit, numri më i madh ose 20.712 të papunë janë në Qytetin e Shkupit, pasuar nga Tetova (së bashku me vendbanimet dhe fshatrat) me 12.295 të papunë, në vendin e tretë me 10.206 të papunë është Kumanova dhe rajoni, në vendin e katërt me 7.673 të papunë të regjistruar është Gostivari me vendbanimet e tij, dhe në vendin e pestë është Prilepi dhe rajoni me 5.425 të papunë. Në qytetet tjera (së bashku me rajonet që i mbulojnë) ka më pak se 5.000 të papunë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas përkatësisë etnike, numri më i madh ose 39.416 janë maqedonas, që paraqet 39,8% të numrit të përgjithshëm të të papunëve, pasuar nga 39,060 shqiptarë etnikë me përqindje prej 39,4%, kurse 10,5% e të papunëve ose 10.451 janë romë, ndërsa turqit etnikë janë në vendin e katërt me 7.006 të papunë ose 7,1%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Analiza e numrit të të papunëve të regjistruar sipas përkatësisë etnike tregon se numri më i madh i shqiptarëve etnikë ose 12.304 janë në qytetin e Shkupit, 9.850 janë të regjistruar në qendrën APRM-së në Tetovë, 6.155 në Kumanovë, 4.671 në Gostivar dhe 1.922 në Strugë.

Numri më i madh maqedonasve etnike, 4.383 janë të regjistruar në Qytetin e Shkupit, 3.347 në Prilep, 2.341 të papunë janë të regjistruar në qendrën APRM-së në Manastir, kurse 2.121 në Strumicë. Numri më i madh ose 2.276 të papunë të përkatësisë etnike turke janë të regjistruar në Qendrën për Punësim në Strumicë, ndërsa numri më i madh ose 3.268, romë etnikë janë të regjistruar në APRM në Qytetin e Shkupit.

Përkundrejt nevojave të tregut të punës për fuqi punëtore të kualifikuar, në “ofertë” dominojnë të papunët pa arsim ose vetëm me arsim fillor – madje 60.307 të papunë. Janë të regjistruar 23.221 persona të papunë me arsim të mesëm dhe 8.134 persona me arsim të mesëm jo të plotë. Në Agjencinë për Punësim janë regjistruar 16 doktorë shkencash të papunë dhe 530 magjistra.

Sipas ekonomistëve, një nga pyetjet e rëndësishme është se çfarë e ul papunësinë? Ekspertët theksojnë se emigracioni i vazhdueshëm, veçanërisht i fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të arsimuar, ka një ndikim të madh në trendet e papunësisë dhe punësimit. Vitet e fundit, emigracioni ka shkaktuar një deficit të fuqisë punëtore në vend, gjë që ka kontribuar në rritjen e shkallës së punësimit në vend, nëpërmjet punësimit të njerëzve që janë në tregun e brendshëm të punës.

Sipas të dhënave të fundit të Entit të Statistikave, në fund të tremujorit të dytë të vitit, numri i popullsisë aktive ishte 790.152 persona, që është për 3.450 persona më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe madje pothuajse për 22.000 më pak krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022. Numri i popullsisë aktive është një nga bazat për monitorimin e lëvizjeve të tregut të punës, në radhë të parë për papunësinë dhe punësimin.