Messi i solli trofeun e parë Inter Miamit, u bë futbollisti më titullar në histori

Ylli argjentinas i futbollit Lionel Messi udhëhoqi Inter Miamin drejt titullit të kampionit në Kupën e Ligave të Konfederatës së Futbollit të Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF), raporton Anadolu.

Në ndeshjen finale u takuan Inter Miami dhe Nashville.

Pjesa e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultatin 1:1 me golat e Messit në minutën e 23-të dhe Fafa Picault në minutën e 57-të.

Megjithatë, në fund, Inter Miami festoi me një ekzekutim më të mirë të penalltive, duke arritur titullin e parë në histori.

Messi ka shënuar dhjetë gola në shtatë ndeshje për Inter Miamin.

Kjo kupë është trofeu i parë për Messin në fanellën e Inter Miamit, ndërsa në karrierën e tij të deritanishme ka fituar 44 trofe, duke thyer rekordin e Dani Alvesit dhe duke u bërë futbollisti më titullar në histori.

Messi ka fituar 35 tituj me Barcelonën, pesë me Argjentinën, tre me PSG-në dhe një me Inter Miamin.