Mërgata shqiptare e pret filmin “Krejt e thirrin Rexhën”, një rrëfim për ata që ikën dhe ata që mbetën

Mërgata shqiptare në Europë po e pret me interes të jashtëzakonshëm filmin “Krejt e thirrin Rexhën”, një projekt që ka tejkaluar kufijtë e një shfaqjeje të zakonshme dhe po kthehet në një lëvizje kulturore që bashkon shqiptarët rreth një historie të përbashkët. Ky interes nuk është i rastësishëm. Pas filmit qëndron një realitet që mërgata e njeh shumë mirë: largimi nga vendlindja dhe boshatisja e fshatrave, shkruan Portalb.mk.

Në këtë frymë, ekipi i filmit ka shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e jashtëzakonshme nga diaspora:

“Shpreh një falënderim të sinqertë për Unionin e Diasporës Shqiptare nga Maqedonia e Veriut (URA) në Berlin dhe Arbin Mustafën. Po ashtu, faleminderit për ODA Hamburg dhe Muhamet Idrizin, për ASAS – Studentët Shqiptarë në Stuttgart, për Adrian Flaig, për OASA – Berlin dhe Agon Kamberin, si dhe për Albinfo dhe Sevdail Tahirin nga Cyrihu.”

Filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, me regji të Ibër Dearit, sjell në ekran jetën e vetmuar të një punëtori që mbetet në një fshat të boshatisur, ku të gjithë të tjerët janë larguar. I mbingarkuar nga puna dhe përgjegjësia, ai bëhet figura qendrore e një vendi që po shuhet ngadalë.

Me humor, ironi dhe realizëm të thellë, filmi nuk jep një përfundim klasik, por shpalos një realitet që shumëkush e jeton sot: fshatra pa njerëz, shtëpi të mbyllura dhe një heshtje që flet më shumë se çdo dialog.

Turneu i filmit gjatë muajit maj përfshin disa nga qytetet kryesore ku jeton mërgata shqiptare:

04 maj – Film Ferizaj (Kosovë), ora 20:00
06 maj – Abaton Kino, Hamburg, ora 20:00
07 maj – ACUD Kino, Berlin, ora 19:00
09 maj – Liliom Kino, Augsburg, ora 18:00
10 maj – Kino Riffraff, Cyrih, ora 15:30 & 18:10
11 maj – Arthaus Filmtheater, Stuttgart, ora 20:00

“Krejt e thirrin Rexhën” nuk është thjesht një film për t’u parë, është një përvojë që prek kujtesën, mallin dhe realitetin e një kombi në lëvizje. Një histori për ata që ikën, për ata që mbetën dhe për ata që ende shpresojnë.