“Memet” – mjeti i ri i komunikimit që po përhapet si zjarr mes të rinjve në rrjetet sociale
“Më trego memen tënde”, gjegjësisht memet si një mënyrë për të përhapur informacione apo dezinformata ishte një nga diskutimet në konferencën e sotme E-shoqëri.mk, e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, i cili feston 20 vjetorin e themelimit, transmeton Portalb.mk.
Tre bashkëbiseduesit, specialisti i komunikimeve dhe mediave të reja nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Sead Xhigall, gazetari i Meta.mk dhe krijuesi i profilit të famshëm në Instagram “Studentarija”, Goshe Nikollov dhe psikoterapistja Tiana Ivanovska diskutuan për atë se çfarë do të thotë “memifikimi e diskursit social” dhe si ndikojnë memet në jetën tonë të përditshme, veçanërisht te brezi i ri, por edhe në politikë.
“Memet kryesisht shërbejnë për relaksim dhe argëtim, dhe i pasqyrojnë ndjenjat e një komuniteti. Mund të jenë meme të korporatave në punë, ose të fansave të filmave të caktuar. Por mes gjithë këtyre memeve, që na duken aq naive dhe argëtuese, ka meme që kanë një prapavijë pak më ndryshe dhe ato nuk janë aq naive. Ato përfaqësojnë një mënyrë komunikimi që përmes një fotografie të thjeshtë me tekst, përhapen si zjarr në rrjetet sociale, shërbejnë për të nxitur emocione dhe qëndrime, prandaj edhe janë aq të fuqishme”, tha Nikollov.
Sipas tij, në kohën e sotme, disa nga deklaratat e bëra në publik më shpejt arrijnë si meme sesa si artikull zyrtar nga mediat, kështu që shpesh përdoren edhe nga gazetarët për të marrë informacione.
“Ne si gazetarë mund t’i përdorim shabllonet e memeve. Për shembull, në “Studentarija” ne krijojmë meme, të cilat rrjedhin nga shkrimet gazetareske të publikuara në Meta.mk. Tekstet e gjata nuk lexohen gjithmonë, andaj në “Studentaria” i ndajmë në formë memesh. Memet sot janë pjesë e edukimit mediatik, dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ato duhet të përfshihen në materialet e edukimit mediatik – ne duhet ta kuptojmë gjuhën e memeve për t’i kuptuar qëndrimet dhe vlerat tona”, thotë Nikollov.
Sipas psikoterapistes Tiana Nikollovska, memet në një mënyrë e modernizojnë gjuhën, e ne po ndërgjegjësohemi gjithnjë e më shumë se kemi nevojë për modernizim në çdo fushë.
“Përdorimi i memeve u mundëson njerëzve të jenë në hap me lajmet aktuale. Ato kanë edhe përfitime sociologjike dhe biologjike. Këtu në skenë shfaqet edhe një element tjetër, krijimtaria, gjegjësisht përmes memeve ka mundësi të shprehemi në mënyrë krijuese, diçka që ekziston gjithnjë e më pak në shoqëri. Të rinjtë i vendosin ato edhe në një kontekst personal, në marrëdhëniet e partneritetit për të treguar më mirë se si ndihen, që do të thotë se ato përdoren si shprehje emocionale, sepse në ditët e sotme flasim gjithnjë e më pak për emocionet. Pyetjes “si je”, i përgjigjemi gjithnjë e më shumë me “ja”, nuk e themi emocionin, se a ndihem mirë, keq, i lodhur. Prandaj, ndonjëherë është më e lehtë për të rinjtë të dërgojnë një meme për t’u përgjigjur se si janë dhe si ndihen, gjë që mund të jetë shumë e dobishme”, thotë Nikollovska.
Sipas komunikologut Xhigall, memet janë një format i ri komunikimi që i plotësojnë kriteret e komunikimit online, shkaktojnë reagime të forta emocionale dhe janë forma të menjëhershme të komunikimit, sepse janë të lehta për t’u ndarë.
“Ato mund të jenë brezi i dytë ose i tretë edhe në komunikimin politik dhe me imediatitetin e tyre shërbejnë për të përhapur një mesazh të menjëhershëm, gjegjësisht me një mesazh të shkurtër përcillni një mendim kompleks, tha Xhigall.
Ai thotë se memet u bënë të njohura diku në periudhën 2015-2016, në kohën e Barak Obamës, kur filloi prezantimi i personazheve politikë dhe i formateve promovuese të përshtatura për përdoruesit e rinj. Më pas, në kohën e Donald Trampit, ato u shndërruan në një thellësi politike që prezantohet në mënyrë humoristike dhe shakaje.
“Atëherë kryesisht ishin negative, gjegjësisht donin të ndikojnë në proceset politike përmes talljes. “Sot, memet janë bërë pjesë e rrjedhës kryesore dhe mbizotërojnë në lajmet argëtuese dhe i tërheqin të rinjtë në procesin politik,” tha Xhigall.
Këtu u ndërlidh Ivanovska, e cila tha se shpesh njerëzit identifikohen me memet për Trampin, për shkak të shprehjes së fytyrës së tij.
“Memet e tilla do të jenë gjithmonë më virale”. “Memet janë pikërisht kjo, një mënyrë për ta rikthyer shprehjen tonë natyrore”, tha Ivanovska.
KUIZ: Njohja e dezinformatave si një superfuqi
Në kuadër të konferencës “E-Shoqëri”, u zhvillua një kuiz mes dy grupeve, “Bumerët kundrejt zumerëve”. Bëhej fjalë për një garë mes dy ekipeve të përbëra nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, kurse kuizi kishte të bënte me gatishmërinë për të njohur dezinformatat.
Të dy grupeve iu prezantuan fotografi apo deklarata të ndryshme, dhe ata kishin për detyrë të zgjidhnin një nga opsionet e ofruara. Kështu, për shembull, pjesëmarrësit kishin për detyrë të kuptonin nëse një foto e caktuar e Papa Françeskut është e vërtetë, nëse Meghan Markle dhe Kate Middleton janë fotografuar së bashku në një festë ditëlindjeje, apo nëse fotografia është bërë nga inteligjenca artificiale. U shfaq edhe një video e Morgan Freeman, në të cilën garuesit duhej të deklarojnë ndër të tjera, nëse videoja është realizuar me teknikën “deepfake” apo është segment nga ndonjë film i caktuar.
Të gjithë këta shembuj u treguan për të ofruar një kontekst lidhur me faktin se inteligjenca artificiale mund të ketë edhe pasoja negative, gjegjësisht të shpërndajë dezinformata dhe kështu të krijojë një perceptim të gabuar në publik.
Të dy grupet e garuesve duhej ta qëllonin përkufizimin e saktë të asaj se çfarë do të thotë fjala “dezinformatë” dhe çfarë do të thotë “deepfake”.
U përdorën shembuj të dezinformatave të cilët përdoren zakonisht në publik, të tilla si dezinformatat klimatike që vënë në pikëpyetje konsensusin shkencor, si për shembull se HAARP-i e kontrollon motin, ndërsa qeveritë në mbarë botën e përdorin ngrohjen globale për t’i vënë njerëzit nën kontrollin e tyre.
Kuizi përmbante gjithashtu dezinformata në lidhje me vaksinat kundër Kovidit, gjegjësisht dezinformata për vaksinat, si dhe për teoritë më të zakonshme të konspiracionit që qarkullojnë në publik.
Para se të shpalleshin fituesit, Despina Kovaçevska, specialiste për monitorimin e mediave nga Fondacioni “Metamorfozis”, një nga drejtueset e kuizit, tha se në këtë rast “ky nuk është një kuiz njohurish”, dhe se e vetmja mënyrë për të përcaktuar nëse një informacion është i saktë është që ajo të verifikohet, të paktën nga tre burime të pavarura, diçka që bëjnë edhe verifikuesit e fakteve. Njëkohësisht, ajo bëri thirrje që nëse dikush vëren një dezinformatë të caktuar që po përhapet në opinion, gjegjësisht në rrjetet sociale, të raportojë në redaksinë e Vërtetmatësit.
Në fund të kuizit u shpallën fituesit, gjegjësisht “zumerët” që i mundën “bumerët” për një pikë – 6 me 5. Tre fituesit morën çmime, fotografi të krijuara nga inteligjenca artificiale.