Edicioni i 20-të i e-Shoqëri.mk: T’i kuptojmë përfitimet e vërteta të digjitalizimit

Digjitalizimi dhe transformimi digjital janë procese të rëndësishme në shoqërinë e sotme, mirëpo shumë njerëz e keqkuptojnë këtë, gjegjësisht nuk i kuptojnë përfitimet e vërteta të tij. Prandaj, duhet të përpiqemi të mundësojmë zbatimin digjital të proceseve dhe shërbimeve që janë të rëndësishme për qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Kjo u theksua sot në hapjen e edicionit të 20-të jubilar të konferencës ndërkombëtare “E-Shoqëri.mk”, e organizuar nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, i cili këtë vit shënon 20-vjetorin e ekzistencës së tij. Në ngjarjen që mbahet sot dhe nesër, fokusi është në temat që lidhen me krijimin e një shoqërie digjitale që i plotëson nevojat e të gjithëve dhe një shoqërie që i respekton të drejtat e njeriut dhe i forcon proceset demokratike përmes ndërtimit të një jete më të mirë.

Konferencën e hapën Ozlem Canel, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës, si dhe Drejtori ekzekutiv i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

“Me mbështetjen e Ministrisë sime të Punëve të Jashtme të Holandës, “Metamorfozis” është duke zbatuar një projekt kundër dezinformatave dhe si rezultat i atij projekti, shumë gazetarë i kanë forcuar kapacitetet e tyre për të përgënjeshtruar mitet dhe informatat e gabuara me efekte të dëmshme. Gazetarët dhe mediat luajnë një rol kyç dhe synojnë të edukojnë qytetarët e tyre, të kenë kujdes që informacioni të vijë nga kanale të ndryshme. Në të njëjtën kohë, edhe siguria kibernetike është diçka me të cilën duhet të merremi kur flasim për luftën kundër dezinformatave dhe informacioneve të gabuara”, theksoi ambasadorja.

Drejtori Jashari theksoi se këtë vit shënohen 20-vjetori i themelimit të Fondacionit “Metamorfozis”, e po ashtu iu referua aktiviteteve të dy dekadave të fundit dhe përpjekjeve për përballimin e sfidave përmes përdorimit të teknologjisë.

“Teknologjia digjitale po zhvillohet me shpejtësi. Kur filluam 20 vjet më parë, në atë kohë, sipas hulumtimit të parë që bëmë, 4 deri në 5 për qind e qytetarëve kishin qasje në internet. Me mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve tanë, filluam të punojmë për problemet e mbrojtjes së privatësisë. Gjuha e urrejtjes u bë dhe është problem, andaj kemi pasur aktivitete edhe për atë temë. Tani jemi në një periudhë të luftës kundër dezinformatave. Shumë përmbajtje nxisin urrejtje, shumë përmbajtje janë të gabuara, dhe kjo është arsyeja pse ne punojmë me partnerët tanë për t’i zgjidhur këto probleme. Ato nuk mund të zgjidhen individualisht dhe për këtë arsye “Metamorfozis” promovon një qasje gjithëpërfshirëse”, tha drejtori Jashari.

Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai përkujtoi se me kalimin e viteve fondacioni është bërë anëtar i disa rrjeteve, pasi sipas tij, forca qëndron te solidariteti.

“Ne besojmë se jemi më të fortë nëse jemi solidarë. Ne jemi anëtarë të Iniciativës Evropiane për të Drejtat Digjitale, e cila e mbron të drejtën e shprehjes. Jemi anëtarë të rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare dhe ato janë një përfitim në punën tonë. Ato na mundësojnë që të përballemi në mënyrë më efikase me sfidat me të cilat përballemi”, tha Jashari.

Në sesionin me titull “A ka dobi nga shoqëria digjitale?”, folën Dr. Marjan Gushev, profesor në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike, Stanisllav Vasillkovski, Udhëheqës i Njësisë për Mirëmbajtjen Aplikative të Sistemeve të TIK-ut në Ministrinë e Transformimit Digjital, Vesna Ivanoska, Drejtoreshë e Akademisë Kinshift dhe Nënkryetare e Këshillit Drejtues të MASIT-it, si dhe Ana Toskiq Cvetinoviq, Drejtoreshë e Partnerëve për Ndryshime Demokratike – Serbi. Sesionin e moderoi Milla Josifovska Danillovska, Koordinatore e programeve në “Metamorfozis”.

“Për të marrë sa më shumë informacione kthyese nga të gjitha palët në lidhje me atë se si ta përmirësojmë shoqërinë digjitale në vend, duhet të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet, sektorin e shoqërisë civile, komunitetin akademik. Gjithëpërfshirja në këtë proces është faktor kyç. Ministria synon që proceset t’i bëjë të tilla qytetari të mund të marrë një shërbim të caktuar, pa kokëçarje dhe pa pasur nevojë t’i mbledhë dokumentet nga secili institucion individualisht”, theksoi Vasillkovski, i cili tha se ministria vë theksin në Strategjinë Kombëtare të TIK-ut, si dhe Strategjinë Kibernetike.

Ivanoska, nga ana tjetër, në prezantimin e saj theksoi se kompanitë duhet të rrisin ndikimin e tyre të matshëm në shoqëri.

“Kemi konkurrencën teknologjike si mjedis natyror për bizneset, së bashku me rregulloren e BE-së nga ana tjetër. Kur bëhet fjalë për kapacitetet, duhet të nisemi nga tregues të pamohueshëm për vendin, e një prej tyre është edhe arsimi. “E dimë se kemi rezultate të dobëta në testet ndërkombëtare, në listën e Shangait, në aftësitë digjitale në përgjithësi, një mesatare që është më e ulët se mesatarja evropiane”, theksoi ajo.

Drejtoresha e Partnerëve për Ndryshime Demokratik nga Serbia, Toskiq Cvetinoviq, përkujtoi se ata janë partnerë të shumë iniciativave të cilat i realizon “Metamorfozis”.

“Mendoj se është e nevojshme të kemi rregullore dhe institucione të rëndësishme që do të jenë në gjendje t’i zbatojnë ato rregullore. Duam të përpiqemi t’i vendosim të drejtat e njeriut në qendër, por është e vështirë kur digjitalizimi është prioritet në agjendë. Duke i dhënë përparësi digjitalizimit, të drejtat e njeriut po harrohen, mirëpo organizatat e shoqërisë civile janë këtu për t’i rikthyer ato në fokus”, tha Toskiq Cvetinoviq.

Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në sesion e radhës, personat me aftësi të kufizuara demonstruan përdorimin e asistentëve të IA-së, e prezantimin e bënë Vasill Taneski, programues në pension, si dhe Kristian Llazarev, student i FETI dhe themelues dhe kryetar i Shoqatës për Qasshmëri dhe Gjithëpërfshirje. Të pranishmit ndoqën video, të cilat tregonin se si një person me shikim të dëmtuar në rrugë, duke përdorur telefonin, informohet për atë që e sheh përballë.

“Unë jam student në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FETI). Unë jam rritur me teknologjinë edhe para se të humbas plotësisht shikimin, dhe mendoj se në kohën e sotme ajo është pjesë e pandashme e jetës së secilit. Mendoj se teknologjia është e dobishme dhe e rëndësishme për njerëzit me aftësi të kufizuara. “Mos u habitni nëse pas një kohe takoni njerëz me shikim të dëmtuar që do të njohin objekte të ndryshme, gjëra të ndryshme në rrugë”, tha Llazarev.

Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferenca E-shoqëri.mk (2024)/Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edicioni i 20-të i Konferencës Ndërkombëtare “E-Shoqëri.mk nën organizimin e Fondacionit për Shoqëri dhe Internet “Metamorfozis”, këtë vit përkon me 20 vjetorin e “Metamorfozis” ndërsa mbahet sot dhe nesër (5-6 nëntor). Tema e sivjetshme është “Transformimi digjital për një jetë më të mirë”.