Është normalizuar komunikacioni në rrugën Shkup – PK “Bllacë” pas ndërprerjes për shkak të një problemi në anën e Kosovës

Pas disa orësh ndërprerje, nga sot pasdite është normalizuar qarkullimi në magjistralen Shkup – pikë kufitare “Bllacë”, njoftojnë nga Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM), transmeton Portalb.mk.

Qarkullimi në vendkalimin “Bllacë” ka qenë i parregullt që nga mëngjesi i sotëm, për këtë arsye, për të shmangur bllokimet e trafikut kamionët janë devijuar në pompën e menzinës “Dizel”.

Siç informojnë nga LAMM, sipas njoftimit që kanë marrë, qarkullimi i automjeteve është kthyer në normalitet, përkatësisht qarkullimi është normalizuar në ora 13:05.

Ndryshe, siç kanë bërë të ditur në mëngjes nga atje, shkak i ndalimit ka qenë një problem teknik në terminalin në anën e Kosovës të pikës kufitare.

E nga video-kamerat e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRrSh), të cilat tregojnë gjendjen e vendkalimeve kufitare në kohë reale, vërehet se aktualisht ka lëvizje të automjeteve në PK “Bllacë”.