RMV, në projektligjin për Arsimin Fillor janë hequr disa fjalë që janë bazë për dikriminim, vlerëson Margini
Në versionin e fundit të Ligjit për Arsimin Fillor, i cili tashmë është dorëzuar në Qeveri, janë fshirë disa fjalë si bazë për diskriminim. Kjo u bë e ditur sot në një konferencë për shtyp të organizatës “Koalicioni Margini”. Nga atje alarmojnë se me ndryshimet dekurajohen viktimat e këtij lloj diskriminimi që t’i raportojnë rastet, raporton Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ata theksojnë se me këto kategori Ligji për Arsimin Fillor ishte harmonizuar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në vete inkorporonte direktivat e BE-së për këtë temë.
Në shtator Ministria e Arsimit dhe Shkencës hapi një debat publik për ndryshimet e propozuara të Ligjit për Arsimin Fillor. Një pjesë e ndryshimeve kishin të bënin me përfshirjen e fëmijëve me zhvillim atipik, ndalimin e ndarjes fizike të fëmijëve romë.
Grupet anti-gjinore, të cilat i kundërshtuan ashpër projektligjet dhe evidencat amë, e kanë ndjekur në mënyrë aktive procesin e këtyre ndryshimeve dhe u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që të dërgojnë komente në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e të kërkojnë që të hiqen termat gjinia, identiteti gjinor dhe barazia gjinore.
Nëse Qeveria e miraton këtë projektligj, ai do të dërgohet në Kuvend me tekstin e reviduar për të cilin publiku nuk ka pasur mundësi të komentojë.
Juristja Maja Atanasova nga “Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë” thotë se ndryshimet e tilla i konsideron si një hap prapa, sepse kategoritë që hiqen janë pjesë e Ligjit aktual për Arsimin Fillor, i cili u miratua në vitin 2019.
Sipas saj në ligj është dashur vetëm të inkorporohet aktgjykimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili ka konstatuar segregacion të fëmijëve romë në Shtip dhe Manastir dhe e ka udhëzuar shtetin që ta zgjidhë këtë problem në arsim.
“Në vend të kësaj, nga Ligji për Arsimin Fillor janë hequr themelet ekzistuese që garantonin njohjen dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe janë hequr të gjitha elementet që mund të garantonin progres efektiv drejt arritjes së barazisë midis burrave dhe grave, pra djemve dhe vajzave. ”, tha ajo për BIRN.
Vesna Janevska, ministrja e arsimit dhe shkencës, në intervistën për Radion Evropa e Lirë tha se është kundër diskriminimit, por se është e mendimit që ligji nuk duhet të ngarkohet.
“Popullata jonë beson se është pjesë përbërëse e një tradite, e një gjendjeje shpirtërore etj., që fëmijët ta mësojnë atë që duhet në një moshë adekuate. Që të mos kemi revoltë, që të mos kemi keqkuptime, ne i rregullojmë pak shprehjet dhe fjalët që ajo që ofrojmë të jetë e pranueshme për të gjithë”, tha ministrja në intervistë.
“Nëse nuk do të ngriheshin çështje të tilla, për shembull, futbolli do të mbetej përgjithmonë një sport mashkullor dhe në shkolla nuk do të kishim klube futbolli për femra. Barazia gjinore e sheh shoqërinë ashtu siç është, i vë re dallimet që ekzistojnë dhe krijon masa për tejkalimin e atyre dallimeve”, përfundon avokatja Atanasova.