Asnjë shtet nuk është imun ndaj dezinformatave zgjedhore dhe nuk mund të luftojë i vetëm kundër tyre

Pika kontakti në të gjitha institucionet e lidhura me zgjedhjet, të cilat do të jenë përgjegjëse për të reaguar në rast se ndodhin dezinformata ose incidente zgjedhore dhe të cilat do të jenë në dispozicion të mediave gjatë krijimit të lajmeve; përcaktimi i incidenteve dhe mënyrës së reagimit ndaj tyre, si dhe institucioni që duhet të reagojë përmes vendosjes së një protokolli ndërinstitucional të dakorduar; sigurimi i pavarësisë së sektorit civil dhe mediave, veçanërisht verifikuesve të fakteve, si dhe mbështetja nga institucionet për qasje në informacione kredibile, transmeton Portalb.mk.

Këto janë disa nga rekomandimet e Projektudhërrëfyesit për politika dhe llogaridhënie, i cili propozon masa dhe aktivitete kundër ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimeve me informacionet – FIMI. Rekomandimet u prezantuan në aktivitetin “Nga dëshmitë në veprim: Forcimi i rezistencës ndaj FIMI-t të lidhur me zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, në bashkëpunim me International IDEA dhe Ambasadën e Kanadasë.

Ambasadorja e Kanadasë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Michelle Cameron | Foto: Vanço Xhambaski
Ambasadorja e Kanadasë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Michelle Cameron | Foto: Vanço Xhambaski

Mishel Kameron, ambasadore e Kanadasë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, theksoi se asnjë shoqëri demokratike nuk është imune ndaj FIMI-t dhe se asnjë shtet nuk mund të luftojë i vetëm dhe i izoluar kundër dezinformatave zgjedhore.

“Ne nuk kemi luksin të mendojmë se FIMI është problem i dikujt tjetër. Si në Kanada, ashtu edhe në çdo vend demokratik, pavarësisht nëse është i madh apo i vogël, ai është një sfidë me të cilën asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm. Në këtë proces institucionet janë të rëndësishme, por nuk janë të mjaftueshme, edhe pse, për shembull, Kanadaja ka ligje të reja për FIMI-n. Nuk mund ta konsiderojmë këtë vetëm si përgjegjësi të qeverisë, por edhe si përgjegjësi të organizatave civile dhe mediave. Duhet të sigurojmë komunikim të saktë me qytetarët, të cilët nuk duhet të vendosen në situatë të frikësohen dhe të mendojnë se nuk duhet t’i besojnë asgjëje, por duhet ta fitojmë besimin e tyre. Zgjedhjet janë një qëllim i përbashkët i bazuar në besim dhe qytetarët duhet të besojnë se rezultatet janë korrekte”, tha Kameron.

Alberto Fernandez Gibaha, drejtues i programit për digjitalizim dhe demokraci në International IDEA, tha se qëllimi i përbashkët i të gjithë atyre që përballen me FIMI-n është forcimi i demokracisë, ndërsa ndërtimi i rezistencës në Maqedoni ndikon edhe te çdo shtet tjetër që përballet me dezinformatat zgjedhore.

Sipas tij, Projektudhërrëfyesi i Metamorfozis është krijuar mbi bazën e dëshmive dhe dialogëve të zhvilluar për disa vite dhe pasqyron qasjet më të rëndësishme se si duhet vepruar gjatë proceseve zgjedhore dhe pas tyre, si dhe si të forcohet bashkëpunimi me të gjithë partnerët dhe rezistenca ndaj FIMI-t.

Projektudhërrëfyesi për politika dhe llogaridhënie propozon masa dhe aktivitete kundër dezinformatave zgjedhore që mund të zbatohen menjëherë dhe pa ndryshime ligjore, por përfshin edhe masa që duhet të zbatohen në afat më të gjatë, pasi kërkojnë ndryshime ligjore ose dialog më të gjerë politik.

Alisa Scheible nga International IDEA dhe Goran Rizaov nga Fondacioni Metamorfozis | Foto: Vanço Xhambaski
Alisa Scheible nga International IDEA dhe Goran Rizaov nga Fondacioni Metamorfozis | Foto: Vanço Xhambaski

Sipas Goran Rizaovit nga Fondacioni Metamorfozis, udhërrëfyesi propozon që në afat sa më të shkurtër të emërohen persona kontakti në institucione për komunikim në rastet e FIMI-t, të cilët do të kenë detyrimin të reagojnë në rast të incidenteve zgjedhore.

Gjithashtu, propozohet përcaktimi i një protokolli që do të saktësojë se kush dhe si duhet të verifikojë pretendimet e dyshimta, kush përcakton nëse bëhet fjalë për incidente kibernetike apo për vepër të mundshme penale të lidhur me zgjedhjet, në cilin moment duhet të ketë reagim dhe kush duhet të reagojë para opinionit, kush dhe si duhet të ruajë dëshmitë e lidhura me incidentin, si dhe çështje të tjera që duhet të kenë përgjigje para se të ndodhin incidentet.

“Cenueshmëria ndaj FIMI-t nuk është e re. Vendi ka ndarje të thella politike, ideologjike dhe etnike, ka një treg të brishtë mediatik dhe nivel të ulët besimi te mediat dhe institucionet. Një pjesë e madhe e komunikimit politik zhvillohet online, ku ndodhin edhe problemet. Për këtë arsye, edhe llogaridhënia e platformave duhet të jetë realiste, duhet të ketë kontakte të emëruara, të dhëna për reklamimin politik dhe për atë se kush e paguan atë gjatë dhe para e pas zgjedhjeve. Konkretisht, për zgjedhjet e vitit 2025, monitorimi ynë tregoi se faqet më të mëdha politike, kryesisht të lidhura me liderët e partive dhe jo me kandidatët, kanë shpenzuar mbi 150 mijë euro vetëm në platformat e Metës”, tha Rizaov.

Ai theksoi se është e nevojshme të zhbllokohet edhe procesi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, me të cilat do të rregulloheshin fushatat online dhe informacionet për paratë e shpenzuara për reklamim politik, si dhe të bëhet bashkimi i regjistrit të ASHMA-së me regjistrin e reklamimit zgjedhor të KSHZ-së.

Biljana Nasteska Kalanoska nga ZNM dhe Zorana Gadzovska Spasovska nga Kolegium.mk | Foto: Vanço Xhambaski
Biljana Nasteska Kalanoska nga ZNM dhe Zorana Gadzovska Spasovska nga Kolegium.mk | Foto: Vanço Xhambaski

Udhërrëfyesi propozon gjithashtu që pas përfundimit të çdo procesi zgjedhor të bëhet auditim i aktiviteteve dhe incidenteve që kanë ndodhur, të analizohet sa kohë u është dashur institucioneve për të reaguar, cili ka qenë reagimi i platformave dhe çështje të tjera të ngjashme.

Sa i përket rezistencës së mediave gjatë zgjedhjeve, Biljana Nasteska Kalanoska nga Shoqata e Gazetarëve ngriti çështjen e integritetit të informacionit dhe pavarësisë së mediave në kushtet e reklamimit politik me pagesë gjatë procesit zgjedhor.

Sipas Nasteska Kalanoskës, financimi nga buxheti është problem jo vetëm për mënyrën dhe shumën e mjeteve që shpërndahen, por edhe për ndikimin që ato kanë në politikën editoriale. Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale dhe etike në raportimin zgjedhor dhe parimit të informimit të paanshëm dhe verifikimit të lajmeve, veçanërisht në kushtet kur ato përhapen shumë shpejt, si një nga mënyrat për të ndaluar FIMI-n.

Sipas Pero Momirovskit nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave – SPGPM, problem është fakti se në vend ekzistojnë shumë media, mbijetesa e të cilave varet pikërisht nga reklamimi politik me pagesë gjatë zgjedhjeve. Problem shtesë, sipas tij, është se baza për përfitimin e mjeteve nuk është cilësia apo profesionalizmi i medias.

“Çdo përmbajtje e sponsorizuar dhe reklamim politik duhet të shënohet qartë, por gjatë periudhës parazgjedhore në shumë raste kjo nuk është praktikë”, tha Biljana Gjorgievska, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media.

Ajo përmendi edhe Kodin e Gazetarëve dhe ndryshimet e tij që lidhen me ndikimin e influencuesve në rrjetet sociale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale. Gjorgievska theksoi se gjatë raportimit për temat zgjedhore duhet të ruhet një ekuilibër që nuk do të jetë vetëm formal.

“Jo vetëm presionet politike dhe partiake ndikojnë në rezistencën e mediave, e cila varet shumë edhe nga pavarësia ekonomike”, tha Zorana Gaxhovska Spasovska, redaktore e Kolegium.mk. Ajo shtoi se mediat përballen me mungesë të njerëzve dhe kohës së nevojshme për të verifikuar vërtetësinë e informacioneve, ndërsa njëkohësisht përballen me institucione dhe politikanë që kanë ekipe të tëra që krijojnë dhe shpërndajnë shpejt informacione dhe shumë shpesh, në vend që të komunikojnë me publikun, komunikojnë mes vete.

Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis dhe Presidenti i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq | Foto: Vanço Xhambaski
Filip Stojanovski nga Fondacioni Metamorfozis dhe Presidenti i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq | Foto: Vanço Xhambaski

Sipas Bojan Mariçiqit, kryetar i KSHZ-së, zgjedhjet zhvillohen edhe në hapësirën digjitale, ku qarkullojnë një numër i madh informacionesh dhe krijohet opinioni publik. Për këtë arsye, mbrojtja nga FIMI nuk ka të bëjë vetëm me fletën e votimit, por edhe me hapësirën informative.

“Ekziston një nevojë e madhe për siguri kibernetike dhe mbrojtje nga FIMI, por duhet të kemi kujdes që kjo të mos bëhet në kurriz të lirisë së shprehjes. Udhërrëfyesi është një dokument i shkëlqyer, veçanërisht për të gjitha institucionet kompetente që kanë platformë për dialog. Ekzistojnë shumë përvoja nga shtetet e tjera për mënyrën se si përballen me FIMI-n, siç është rasti me Suedinë, ku ekziston Agjencia për Mbrojtje Psikologjike dhe një organizatë e posaçme për mbrojtjen e hapësirës mediatike. Rezultatet janë të dukshme përmes uljes së FIMI-t ndërmjet dy cikleve zgjedhore”, tha Mariçiq.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Transformimit Digjital, Aleksandar Osmanli, dhe të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Sasho Bogdanovski.