Mejrem Kajolli Tusha: Nëse e doni profesionin nuk e shikoni si punë, të punosh me nxënës është hyjnore

Shoqëria jonë do të ishte e mangët pa kontributin e pashoq të grave, të cilat përgjatë historisë kanë dhënë shumë në fusha të ndryshme, si në sport, art, kulturë, shkencë dhe në çdo fushë të jetës, duke qenë në të njëjtën kohë, nëna dhe gra të përkushtuara edhe për familjen. Për gjithë lexuesit e Portalb.mk sot sjellim bisedën me Mejrem Kajolli Tusha, mësuese, tekstshkruese këngësh, romanciere dhe poete e spikatur. Veçantitë e saj janë të shumta, por në këtë intervistë me atë folëm për sukseset dhe sakrificat gjatë rrugëtimit të saj.

E edukuar në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, me punën dhe formimin e saj, Mejrem Kajolli Tusha ka sjellë në shoqëri edhe modelin e veprimtares që prodhon ide dhe i bën ato pronë të gjithë shoqërisë. Punën e profesionit mësuese, filloi ta ushtrojë prej vitit 2000 në Sh.F.K.”Liria”, në Shkup ku dhe sot vepron.

Ish veprimtare e politikës kombëtare, Mentore e mësimdhënësve për shkollat fillore në Komunën e Çairit, Redaktore dhe Recensente e shumë librave. Po ashtu poezitë e saj janë të botuara edhe në antologji dhe revista të ndryshme. Mejrem Kajolli Tusha është shumë aktive, jo merr pjesë në aktivitete të ndryshme poetike me nxënësit e shkollave të Shkupit, viziton shkolla ku nxënësit recitojnë poezitë e tyre, ju ndihmon dhe ju sqaron rreth shkrimit të poezive, bashkëpunon me bibliotekën e komunës të Çairit “Vëllezërit Milladinov” me aktivitete të ndryshme poetike. 

Deri tani ka botuar disa tituj si: Gramatika e Gjuhës Shqipe-doracak për ciklin e ulët (udhëzues për mësimdhënës); Borxhi-roman (histori e vërtetë); Gjurmët-poezi; Hijet e Jetës-poezi; Vetëm Dashuri-poezi.

Vjershat dhe tregimet për fëmijë janë në përgatitje për botim si dhe libri shkencor me teknikat për mësim.

Fotografi e librave nga Mejrem Kajolli Tusha
Fotografi e librave nga Mejrem Kajolli Tusha

Portalb.mk: Na tregoni si ka qenë përvoja juaj si mësimdhënëse e grupit klasor në këto 25 vite?

Mejrem Kajolli Tusha: Më beso nuk di si, kaq shpejt kaluan 25 vite në arsim. Çdo ditë në punë kam shkuar dhe shkoj me kënaqësi dhe asnjëherë nuk kam shfaqur dëshpërim apo pakënaqësi. Dashuria ndaj punës me nxënës më ka përmbushur emocionalisht. Në qoftë se e doni profesionin që e punoni asnjëherë nuk do ta shikoni si punë e patjetërsueshme për rrogë por një angazhim, një punë e e cila çdo ditë ndryshon nga dita tjetër dhe është interesante, enigmatike. Puna me nxënës është hyjnore.

Portalb.mk: Sa ka qenë e vështirë të depërtoni dhe të bëheni mësuese në atë kohë duke i pasur parasysh rrethanat e vështira apo mentalitetin e atëhershëm?

Mejrem Kajolli Tusha: Rrethanat e vështira për të studiuar në kohën kur kam mësuar në shkollë të mesme dhe në universitet ka qenë numri i caktuar i pranimit të nxënësve dhe të studentëve. Vështirësi tjera nuk kemi pasur vetëm se është dashur të mësosh dhe ti marrish notat e mira. Në rrethin ku jam ritë nuk kam pasur asnjë problem me mentalitetin. Rinia që e vazhdonte shkollimin çmohej më shumë. Vlerësohej më tepër një person me fakultet për shkak të diturisë që e kishte përfituar. Nga tre student hynim në provim para profesorit. Për një 6 duhej ta dije 70% të materialit dhe provimet ishin gojarisht. Mentaliteti i shqiptarëve për shkollim ishte i etur dhe nuk kishte mendime negative.

Portalb.mk: Si e vlerësoni arsimin në atë kohë dhe tani, cilat janë dallimet që ju bien në sy më shumë sepse ju ende vazhdoni punën si mësimdhënëse?

Mejrem Kajolli Tusha: Në arsim e posaçërisht në grupin klasor janë bërë shumë ndryshime me plan-programe. Janë bazuar në arsimimin e shteteve tjera por një gjë është shumë e rëndësishme në arsim: ta njohësh mirë materialin, ta dish rendin, të hulumtosh, të kesh kreativitet. Jeta shkon bashkë me kohën, me inovacione. Duhet ta njohësh mirë internetin, punën me kompjuter, thjesht ta duash punën që e punon dhe të japësh maksimumin. Kompjuterin e përdori 16 vite. Kam të përgatitura mbi 160 sllajde, hulumtoj video incizime nga Youtube të cilat i shfrytëzoj në orët e mësimit. Një mësimdhënëse gjithmonë duhet të jetë në rrjedha me kohën dhe atëherë asnjëherë nuk do të ketë problem.

Portalb.mk: Keni marrë pjesë në dhjetëra tranjnime të ndryshme çfarë përvoje ju kanë sjellë këto trajnime? Cili do të ishte mesazhi juaj?

Mejrem Kajolli Tusha: Trajnimet janë pjesë e profesionit të cilat patjetër duhet t’i ndjekim sepse nga çdo trajnim mësojmë. Kam ndjekur dhe trajnime për nxënës me vështirësi, kam marrë pjesë dhe në tryeza të rrumbullakta së bashku me pedagogë, psikologë, psikiatra, sociologë dhe defektologë. Kemi biseduar për punën e cila duhet të realizohet me nxënës. Unë i kam treguar përvojat e mia, angazhimin, bashkëpunimin me prindërit. Shumë është e rëndësishme prindërit ta pranojnë problemin e fëmijës, të bashkëpunojnë, të jenë të kuptueshëm dhe ta kuptojnë edhe mësuesen se mësuesja në klasë ka 25 -30 nxënës në klasë. Përpara ne nuk kemi pasur asistent për fëmijë me vështirësi. Prej vjet asistentët ndihmojnë mjaftë por nuk duhet të harrohet se mësuesja është ajo që bashkëpunon me asistenten, me gjithë prindërit e nxënësve dhe me nxënësit në klasë dhe pos asaj është puna në klasë e mos ta anashkalojmë dhe punën në shtëpi që bëjmë duke hulumtuar dhe duke u përgatitur. Këto përgatitje besoni që marrin mjaft kohë.

Portalb.mk: Ju keni mbajtur projekte për zhvillim dhe multikulturalizëm, integrim ndëretnik dhe tolerancë, aa keni arritur që me këto projekte të ketë më shumë komunikim mes kulturave të ndryshme në vend?

Mejrem Kajolli Tusha: Projektet kanë qenë shumë interesante. Kemi bashkëpunuar me shkolla fillore të Shkupit. Nxënësit si dhe ne mësimdhënësit kemi kaluar shumë bukur. Punëtoritë kanë qenë të frytshme. Nxënësit kanë mësuar fjalë nga gjuha e njëri tjetrit. Janë shoqëruar, kanë luajtur lojëra të ndryshme, kemi përgatitur ushqime tradicionale, jemi shëtitur së bashku nëpër qytete të shtetit tonë.

Portalb.mk: Sa janë të gatshëm mësimdhënësit e rinj që të edukojnë gjeneratat e reja?

Mejrem Kajolli Tusha: Kolektivi i shkollës tonë “Liria” është një kolektiv i mrekullueshëm. Kolegët/et çdo ditë vijnë në punë të përgatitur, interesohen për çdo problem të nxënësve dhe janë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë. Punojnë projekte dhe aktivitete të ndryshme. Nuk mungon edhe bashkëpunimi me drejtorin dhe shërbimin e posaçërisht me drejtoreshën dhe psikologen e shkollës. Koleget mes vete bashkëpunojmë dhe ndihmohemi. Ne jemi një trup me rrënjë të thelluar për përparimin e nxënësve në çdo aspekt.

Portalb.mk: Si e vlerësoni poezinë në shekulli 21 dhe pse vendosët që të merreni me poezi?

Mejrem Kajolli Tusha: Jam marrë me poezi prej shkollës së mesme. Kam qenë anëtare e Grupit Letrar. Poezitë i vendosnim në pano të korridori i shkollës. Gjatë punës me nxënësit fillova të shkruaj dhe vjersha për fëmijë. Shkrimet më përmbushin dhe e kam pasion shkrimin. Me poezitë i shprehi ndjenjat nga thellësia e shpirtit. Me disa vargje flas shumë, por varret nga lexuesi se kush, si e sa e kupton poezinë që e lexon. Derisa kam lexues, jam shumë e kënaqur dhe e lumtur e posaçërisht kur lexuesit më takojnë, flasin për vargjet dhe tregojnë se sa ju pëlqejnë. Poezia tani më tepër shkruhet me vargje të lira por duhet të ketë ritëm që kur të lexohet të tingëllon bukur si dhe nuk duhet të mungon metafora.

Fotografi me nxënësit nga Mejrem Kajolli Tusha
Fotografi me nxënësit nga Mejrem Kajolli Tusha

Portalb.mk: Znj. Mejrem, ju jeni edhe organizatore e orës poetike “Krijuesit e Rinj” për nxënësit e SH.F.K.”LIRIA”-Çair, Shkup, e cila mbahet çdo vjet në fund të muajit maj, na tregoni më tepër pët këtë aktivitet.

Mejrem Kajolli Tusha: Po, jam organizatore e orës poetike ku nxënësit krijimet e veta i lexojnë në çfaqen e organizuar. Në fund të çfaqes nxënësve ju ndajmë Mirënjohje të cilat përgaditen nga drejtoria e shkollës. Edhe për këtë aktivitet nuk mungon ndihma dhe bashkëpunimi i kolegeve.

Portalb.mk: Jeni redaktore dhe recensente e shumë librave. Po ashtu poezitë e tuaja janë të botuara edhe në antologji dhe revista të ndryshme, a mund të presim edhe ndonjë botim së shpejti?

Mejrem Kajolli Tusha: Po, kam redaktuar dhe recensuar libra, po ashtu kam marrë pjesë edhe në antologji të ndryshme . Librin me vjersha e kam gati por pres kur do të vijë dita të botohet. Edhe tregimet për fëmijë janë gati dhe janë në dorë të redaktorit. Janë tregime të vërteta, përjetime të fëmijëve të mi së bashku me fëmijët e lagjes ku jetojmë. Pra janë përjetime shumë interesante dhe besoj që do të ju pëlqen fëmijëve kur do të ju bie në duar libri i botuar. Për të dalë në dritë një libër, duhet kohë derisa punohet mbi librin. Deri më sot kam botuar doracakun: “Gramatikën e Gjuhës Shqipe” – udhëzues për mësimdhënësit e ciklit të ulët, Romani “Borxhi”, Librat me poezi “Gjurmët” dhe “Hijet e Jetës” dhe së shpejti do të del nga botimi libri me poezi “Vetëm Dashuri”.

Portalb.mk: Një grua që punoni pa ndalur, një shembull për gjitha gratë e tjera, ku e merrni frymëzimin dhe gjithë këtë energji?

Mejrem Kajolli Tusha: Unë jam një person e cila vetëm me punën që e punoj si mësuese nuk përmbushem po që se nuk merrem dhe me aktivitete tjera. Më vjen se koha më kalon kot. Përveç shkrimeve me të cilat merrem, konkurroj në konkurse të ndryshme poetike, marr pjesë dhe nëpër orë poetike në vendin tonë, Kosovë, Shqipëri. Tri herë kam marr vendin e parë, dy herë vendin e dytë, tri herë vendin e Tretë, çmime speciale, anëtare nderi, mirënjohje, falënderime. Përkrahjen dhe ndihmën më të madhe e kam nga familja ndërsa frymëzimin nga jeta ime, nga shpirti im e cila është e mbushur me dashurinë familjare, të shoqërisë, të nxënësve. Pra nga të gjithë njerëzit e mirë. Nuk ka njerëz të kqinj, por ka njerëz me të cilët nuk ju përputhen mendimet. Asnjëherë nuk them se të gjithë shikojnë të bëjnë keq, nuk mendojnë mire për mua. Këto fjalë dhe mendime më kanë inspiruar të shkruaj poezinë “Pasuria në Botë” të cilën ia kam përkushtuar të gjithë miqve të mi të dashur për shkak se miqësia është një pasuri e madhe e botës.

Fotografi nga aktiviteti me fëmijët nga Mejrem Kajolli Tusha
Fotografi nga aktiviteti me fëmijët nga Mejrem Kajolli Tusha

Portalb.mk: Cili është mesazhi i juaj deri tek audienca e gjerë?

Mejrem Kajolli Tusha: Mesazhi im është që të gjithë të kemi jetë të frytshme dhe të mos jetë monotone. Për këtë duhet të merreni edhe me aktivitete tjera me të cilët do ta zbukuroni jetën tuaj si dhe jetën e të tjerëve. Në këtë botë kemi ardhur dhe duhet të lëmë gjurmë se dikur kemi ekzistuar dhe kemi lënë vepra të mira pas. Vepra me të cilët do të shërbehen gjeneratat e ardhshme, vepra me të cilët do të pasurohet kombi ynë. Njeriu është vlerë mbi tokë dhe duhet të le kujtime të mira nga jeta që ka kaluar. Gjithmonë duhet të jemi të buzëqeshur pa marrë parasysh sa brenga kemi. Brengat jetojnë në veten tonë dhe nuk duhet t’ua shtojmë si barrë të tjerëve. Për atë buzëqeshja është ilaç magjik e cila reflektohet me buzëqeshje te çdo njeri dhe nuk kushton asnjë lek, por ka vlerë shumë të madhe në çdo fytyrë. Vet duhet të mundohemi të bëjmë jetën e bukur dhe të lumtur me gjëra të vogla. Të jemi të zotë të vetes.