MEDIAT DHE POLITIKA

Dihet se mediat janë mjete të komunikimit me masat e gjera të popullit, që prodhojnë dhe shpërndajnë informacione për ngjarje të rëndësishme të të gjitha sferave të jetës. Në shoqëritë demokratike ato janë të pavarura dhe përcjellin lajme të mbeshtetura në argumente. Si të tilla ato paraqesin fuqi me ndikim të madh në politikën, ekonominë, kulturën, mirëqenien dhe stabilitetin e një vendi.

Por, mediat mund dhe të shkatërrojnë popuj e shtete me keq se luftërat me armë vrasëse. Me mesazhet e tyre të fshehta, me propagandat politike, me informacionet e rreme, ato çorientojnë publikun dhe ndikojnë në perceptimin e realitetit, bindjen dhe sjelljen e marrësve të informatave. Kjo ndodh në vendet me qeveri despotike, ku gazetaria e verdhë kontrollohet nga shteti dhe është në shërbim të shtetit, kur “gazetarët” manipulojnë të dhënat në mënyrën më joprofesionale të mundshme.

Problemet në fjalë e kanë shoqëruar gazetarinë që në fillet e saj dhe vazhdojnë ta shoqërojnë edhe sot, përkundër të dhënës se përparimi i hovshëm i teknologjisë dixhitale ia mundëson gjithsecilit marrjen pjesë në bërjen dhe përcjelljen e lajmeve nëpërmjet internetit, duke ua mundësuar lexuesve zgjedhjen e informacionit nga sofra e madhe e burimeve zyrtare dhe jozyrtare. Mjerisht, e njëjta teknologji shfrytëzohet edhe nga gazetaria e kontrolluar dhe joprofesionale, që ka në qendër propagandën dhe shkatërrimin e gjithanshëm të një shoqërie.

Për mediat e verdha, për ndikimin dhe mënyrat e holla të kontrollimit të tyre janë shkruar vepra të shumta, po, për mendimin tim, njëra prej më të mirave është “Dialog  në mes të Makiavelit dhe Monteskiesë në sketërrë” e autorit francez Maurice Joly (1829-1878),  e cila u botua më 2001 nga BREZI 9, në përkthim të Sherefedin Mustafës, që jeton dhe punon prej vitesh në Holandë.

Vepra hapet me paralajmërimin e thjeshtë dhe shumë sugjestiv të autorit:

“Ky libër përmban tipare që mund t’u përshtaten të gjitha qeverive, mirëpo ai ka një qëllim akoma më të saktë, në veçanti ai mishëron një sistem politik i cili asnjë ditë të vetme nuk ka ndryshuar në mënyrën e ushtrimit të vet, që nga dita e kobshme dhe tashmë, fatkeqësisht, tepër e largët, e ardhjes së tij në pushtet”.

Nga titulli i veprës e kuptojmë se dialogu imagjinar bëhet ndërmjet dy personaliteteve të shquara të së shkuarës – Nikolo Makiavelit (1469-1527), politikanit, shkrimtarit, poetit, komediografit dhe mendimtarit italian, që hartoi teorinë e racionalizmit praktik, autorit të thënies së famshme: “Qëllimi arësyeton mjetin” dhe Sharl Monteskjesë (1689-1755), filozofit, politikanit dhe shkrimtarit francez, i cili, bashkë me Volterin, Rusoin e Didëroin, qenë pararendësit e Revolucionit francez.

I pari njihet prej shumëkujt si despot dhe përkrahës i politikës së fortë dhe të pa moral, kurse i dyti si liberal dhe përkrahës i të drejtave të popullit Sovran dhe parimeve të ndarjes së pushteteve.

Përndryshe, dialogun e tyre në ferr kritika e ka vlerësuar si sulm satirik ndaj autoritarizmit të Bonapartit dhe si mbrojtje të republikanizmit. Dy figurat historike që u takojnë shekujve të ndryshëm ballafaqojnë pikëpamjet e tyre mbi politikën dhe mbi mjetet që e mbajnë gjallë ose e shkatërrojnë atë.

Interes të veçantë interesantë ndër dialogët zgjon ai mbi rolin e mediave (gazetave), ndaj këtë pjesë po jua mundësoj ta lexoni në vijim:

MAKIAVELI: Të shikojmë atëherë mirë se në çfarë situate gjendem unë. Në atë çast unë do të zhduk çdo pushtet përveç pushtetit tim. Po qe se institucionet që akoma gjenden në këmbë mund t’më krijojnë ndonjë pengesë, ato pengesa mund të jenë vetëm formale. Në të vërtetë, unë nuk do t’i shkatërroj drejtpërsëdrejti institucionet, mirëpo, një nga një do t’i godas në mënyrë të padiktueshme dhe do ta çrregulloj mekanizmin e tyre. Do të lejoj krijimin e një legjislacioni të ri i cili me qëllim nuk do ta shfuqizojë të vjetrin, por që në fillim do ta maskojë, kurse më vonë plotësisht do ta fshijë.

MONTESKIE: Nuk do të hidhërohesha fare po qe se më tregoni se si do të mbroheni nga shtypi. Si do ta heshtni atë?

MAKIAVELI: Po qe se do të kisha pasur ndër mend që thjesht dhe pastër t’i zhdukja gazetat, në mënyrë të pakujdesshme do ta ngacmoja ndjeshmërinë publike, të cilën është çdoherë rrezik ta provokosh botërisht. Unë do të shpall dekret që në të ardhmen asnjë gazetë mos të mund të themelohet pa autorizimin e qeverisë. Kështu, nuk e keni të vështirë të merrni me mend se të gjitha gazetat që do të jenë të autorizuara në të arrdhmen, në fakt nuk do të jenë gjë tjetër veçse organe të devotshme ndaj qeverisë.

MONTESKIE: Shyqyr Zotit, gazetat që diçka mendojnë, do të mund të shpëtojnë për publikun.

MAKIAVELI: Unë i sulmoj të gjitha gazetat e tanishme dhe të ardhshme me ndihmën e masave tatimore të cilat kan për t’ua vënë dryrin të gjitha ndërmarrjeve reklamuese, mu ashtu siç meritojnë.

MONTESKIE: Me habi mund të konstatoj se në sistemin tuaj nuk sulmohet gazetari, por sulmohet gazeta, me shkatërrimin e së cilës humbin edhe interesat që janë tubuar rreth saj…

MAKIAVELI: Le të tubohen gjëkund tjetër, s’mund të bëhet tregëti me gjëra të tilla.

MONTESKIE: Kjo më duket disi e vështirë.

MAKIAVELI: Kanë për t’u menduar dy herë para se ta shqetësojnë opinionin publik.

MONTESKIE: Poqese nuk mund të luftojnë kundër jush me anën e gazetave nga brenda atëherë kanë për të luftuar me anën e gazetave nga jashtë. Nga jashtë kufirit do të fusin gazeta dhe shkrime shqetësuese.

MAKIAVELI: Shtetasit e mi të cilët nga vendet e huaja kanë shkruar kundër qeverisë sime, me kthyerjen e tyre në vend, do të persekutohen dhe gjykohen. Është poshtërsi e vërtetë që në botën e jashtme dikush të shkruaj kundër pushtetit të vet.

MONTESKIE: Mirëpo për ato gjëra ka për të shkruar shtypi i vendeve fqinje.

MAKIAVELI: Unë supozoj se do të sundoj me një vend të madh. Vendet e vogla që do të gjenden në kufijtë e mi do të jenë tepër të frikësuara, më besoni. Unë do t’i detyroj të sjellin ligje të tilla që kanë për t’i persekutuar shtetasit e tyre, në rast se ata e sulmojnë qeverinë time nëpërmjet shtypit ose ndryshe.

MONTESKIE: Tani po shoh se kam pasur të drejtë që në “Frymën e ligjeve” kam shkruar se kufijtë e një tirani duhet të shkatërrohen. Sipas fjalëve të Benjamin Constanit (Benzhamen Konstan), mbretërinë tuaj do ta shndërroni në një ujdhesë ku njerëzit nuk kanë për të ditur se çka po ndodh në Evropë, kurse kryeqytetin do ta shndërroni në një ujdhesë tjetër ku nuk do të dihet se çka po ndodh nëpër krahina.

MAKIAVELI: Nuk dëshiroj që mbretërinë time ta shqetësojnë zhurmat që vijnë nga jashtë.

MONTESKIE: A mbaruat me gazetarinë?

MAKIAVELI: Kuptohet se nuk kam mbaruar. Pjesa e dytë e detyrës sime. E dini se ç’ka për të bërë qeveria ime? Do të shndërrohet në gazetar; një gazetari e mirëfilltë. Unë do të caktoj disa gazeta, të cilat do ta paraqesin atë që ju e quani opozitë. Poqese opozita do të ketë dhjetë gazeta, unë do të kem njëzet. Poqese ajo do të ketë njëzet, unë do të kem dyzet, poqese do të ketë dyzet, unë do të kem tetëdhjetë.

MONTESKIE: Në fakt, kjo është punë e thjeshtë.

MAKIAVELI: Jo edhe aq sa mendoni ju, sepse masat nuk duhet të dyshojnë në këtë taktikë. Opinioni publik vetvetiu do të largohej nga gazetat që botërisht do ta mbronin politikën time.

Gazetat që do t’i jenë bisnike pushtetit tim kam për t’i ndarë në tre-katër kategori. Në radhë të parë do t’i vë gazetat që do të jenë të ngjyrosura me një zyrtarizëm të hapur. Mirëpo, ua tërheq vëmendjen se nuk do të jenë pikërisht ato gazeta që do të kenë edhe ndikimin më të madh mbi opinionin publik. Në radhë të dytë do të vë gazetat që do të kenë vetëm karakter zyrtar dhe që do të kenë për detyrë që rreth qeverisë sime t’i tubojnë ato masa njerëzish të vakët dhe indiferentë, të cilët pa çarë fare kokën pranojnë atë që është vendosur, mirëpo nuk shkojnë me larg në relilgjionin e tyre politik.

Nga një gazetë kam për t’ia ndarë secilit opinion, secilës parti. Kështu, do të kem një organ aristokratik në partinë aristokratike, një organ republikan në partinë republikane, një organ revolucionar në partinë revolucionare, një organ anarkist në partinë anarkiste. Të gjithë do të jenë në partinë time, pa e ditur as vet.

MONTESKIE: Nga ju po me merren mendtë.

MAKIAVELI: Ruajeni kokën se akoma nuk keni ardhur deri në fund.

Gjithë është punë organizimi. Për shembull, nën emrin e degës së botimeve dhe shtypit do të themeloj një qendër aksionesh të përbashkëta ku do të merren udhëzimet dhe nga ku do të jepen sinjalet. Kështu, ata që nuk do të jenë në dijeni të plotë të këtij kombinimi, do të shohin një spektakël të çdoditshëm; do të shohin gazeta, të cilat i janë besnike qeverisë sime, por të cilat do të brohorisin, të cilat do të çojnë rrëmujë të vërtetë kundër meje.

MONTESKIE: Kjo i tejkalon kufijtë e mi, dhe asgjë më nuk kuptoj.

MAKIAVELI: Keni parasysh se bazat dhe parimet e qeverisë sime asnjëherë nuk do të sulmohen nga gazetat për të cilat po ju flas; ato vetëm do të zhvillojnë një polemikë, edhe atë në kufij fare të kufizuar.

MONTESKIE: Po çfarë përparësie do të gjeni në atë?

MAKIAVELI: Pyetja juaj është mjaft e çiltër. Rezultati, me të vërtetë i rëndësishëm, do të jetë ai qe sa më shumë njerëz të thonë: A po shihni se jemi të lirë, se mund të flasim nën këtë regjim, të cilin në mënyrë të padrejtë e sulmojnë, i cili në vend që të shtypë, siç mund të veprojë, vuan dhe toleron. Do të ketë edhe gazeta që do t’ia lejojnë vetes liritë më të mëdha të gjuhës, mirëpo, asnjëherë nuk do t’i sulmojnë institucionet e pushtetit. Bile edhe armiqtë e qeverisë do të detyrohen t’ia shprehin respektin e tyre të duhur.

MONTESKIE: Të supozojmë se në kryeqytet prapseprapë do të ngelë një numër i konsiderueshëm gazetash të pavarura. Është e qartë se atyre do t’u jetë e pamundshme të flasin për politikë, mirëpo do të mud të zhvillojnë njëfarë lufte të parëndësishme ndaj jush.

MAKIAVELI: Kjo nuk më bën të frikësohem.

MONTESKIE: Është e vërtetë se ju aq shumë i keni shumëzuar mjetet e represionit saqë nuk ju ngelë zgjidhje tjetër përveç se grushtit.

MAKIAVELI: Unë as që dëshiroj që vazhdimisht të ushtroj represion, por dëshiroj që me një urdhër të thjeshtë të mund të ndërpres çfarëdo diskusioni lidhur me ndonjë temë që prek pushtetin.

MONTESKIE: Po si do t’ia arrini atij qëllimi se?

MAKIAVELI: Do t’i detyroj të gjitha gazetat që në krye të shtyllave të tyre t’i botojnë korigjimet që do t’ua dërgojë qeveria: censura e tillë do të jetë edhe e ndershme edhe e hapët dhe njëkohësisht çdogjë do të jetë e lirë.

MONTESKIE: Dhe në të, vetëkuptohet, nuk do të ketë mundësi për replikë.

MAKIAVELI: Qartë, diskusioni do të mbyllet me aq.

MONTESKIE: Në atë mënyrë ju çdoherë do ta thoni fjalën e fundit.

MAKIAVELI: Çdo ditë gazetat e mia do të jenë të mbushura me fjalime zyrtare, me raporte që do t’u paraqiten ministrive ose sundimtarit. Unë jetoj në një epokë në të cilën besohet se do të mund të zgjidhen të gjitha problemet e shoqërisë; në të cilën zhvillohet luftë e pandërprerë për rritjen e mirëqenies së klasës pnëtore. Këto çështje paraqesin një argëtim të këndshëm për ata që janë të ngarkuar me politikën e brendshme. Është e nevojshme që qeveritë të lënë përshtypjen se janë vazhdimisht të zëna; ata që qeverisin të duken në veprimtari të pandërprerë, në një lloj ethesh, që vazhdimisht ta tërheqin shikimin me risi, me befasi, me skena teatrale.

Në fushën e tregëtisë, industrisë, artit, paj edhe të administratës, do të bëj çmos që të studiohet çdo lloj projekti, plani, kombinacioni, ndryshimi, ripunimi, përmirësimi, jehonën e të cilëve në shtyp do ta mbështesin shumë publicistë të frytshëm. Mirëqenia e popullit do të jetë objektivi i vetëm, i pandryshueshëm, i të gjitha deklaratave të mia publike. Edhe kur të flas personalisht, edhe kur t’i çoj të flasin ministrat e mi dhe shkrimtarët e mi, vazhdimisht do të flitet për madhështinë e vendit, për begatinë e tij dhe për madhështinë e misionit dhe fatit të tij. Vazhdimisht do të flitet për parimet e të drejtës moderne, për problemet e mëdha që e shqetësojnë njerëzimin. Në shkrimet e mia do të ndjehet fryma e liberalizmit më entuziast, më universal.

Do të jetë tejet e rëndësishme që të vihen në pah gabimet e paraardhësve të mi, të tregohet se unë ia kam arritur t’u shmangem. Ndaj regjimeve që i kanë paraprirë pushtetit tim duhet të ruhet njëfarë antipatie, bile edhe aversioni, që do të bëhet i papërmirësueshëm si pendimi.

Jo vetëm që një numri të konsiderueshëm gazetash do t’ua ngarkoj misionin që pandërprerë të lartësojnë lavdinë e qeverisë sime, që të gjitha qeverive tjera, përveç times, t’ua hedhin përgjegjësinë për gabimet e politikës evropiane, por, do të dëshiroja që një pjesë e atyre lëvdatave të duken vetëm si jehonë e gazetave të huaja, nga të cilat do të ribotohen shkrime, të rrejshme ose të vërteta, që do t’i bëjnë nderim të shkëlqyeshëm vet politikës sime.

Të shfrytëzohet shtypi në të gjitha format e tij, ky është ligji i pushteteve që sot dëshirojnë të ekzistojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.