Të paktën gjashtë palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Gazë
Të paktën gjashtë palestinezë, mes tyre edhe dy pjesëtarë të policisë, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite të sotme në Rripin e Gazës, njoftuan përfaqësuesit lokalë shëndetësorë dhe policorë, raportin Reuters.
Personeli mjekësor njoftoi se tre persona u vranë në një sulm ajror izraelit ndaj një stacioni policor në Kan Junis, në jug të Gazës. Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi se dy nga viktimat ishin policë. Në të njëjtin sulm u plagosën edhe pesë persona të tjerë, shtuan shërbimet mjekësore.
Më vonë, shërbimet mjekësore njoftuan se në një tjetër sulm ajror izraelit, pranë korridorit Netzarim, pak më në veri, u vranë edhe tre persona.
Lidhur me të dy sulmet, ushtria izraelite njoftoi se objektiv i tyre ishin militantët në këto zona, pa dhënë detaje të tjera.
Armëpushimi i tetorit 2025, i arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së, i ndali operacionet e mëdha luftarake në territorin e shkatërruar palestinez, por nuk i ndali plotësisht sulmet izraelite në Gazë.
Izraeli, i cili e akuzon Hamasin për përpjekje për riorganizim dhe riarmatim, muajt e fundit i ka intensifikuar sulmet në Gazë.
Hamasi i hedh poshtë akuzat izraelite, duke pretenduar se po i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit dhe duke e akuzuar Izraelin se po përpiqet ta minojë atë.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, janë vrarë të paktën 1.600 palestinezë dhe pesë ushtarë izraelitë, sipas të dhënave të burimeve palestineze.
Ofensiva izraelite në Gazë, e cila para armëpushimit zgjati më shumë se dy vjet, mori dhjetëra mijëra jetë, shkaktoi uri dhe çoi në zhvendosjen e brendshme të të gjithë popullsisë së Gazës.
Ekspertët, si dhe Komisioni Hetimor i Kombeve të Bashkuara, i kanë cilësuar këto ngjarje si gjenocid.
Nga ana tjetër, Izraeli i përshkruan veprimet e tij si vetëmbrojtje, pas sulmit në Izrael në tetor të vitit 2023, të udhëhequr nga Hamasi, në të cilin u vranë 1.200 persona dhe më shumë se 250 të tjerë u morën peng.