Më shumë kamera se beton, si po shfrytëzohen inspektimet për PR politik në Maqedoninë e Veriut
Vizitë në vende ndërtimi pa lopata dhe shirite
Vera është kohë për pushime, udhëtime dhe për t’i parë nga afër punimet ndërtimore. Vetëm në gjatë muajit e fundit përfaqësues të lartë qeveritarë kanë vizituar më shumë se dhjetë vende ndërtimi lokale për të, siç thuhet në njoftimet nga institucionet e tyre, kryer inspektim të punimeve, transmeton Portalb.mk nga Prizma.
Më aktivët ishin kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendësi i tij dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Këtu nuk bëhet fjalë për ngjarje të tilla si hedhja e gur-themelit për një objekt të ri ose prerja e shiritit të një projekti të përfunduar, por për vizita në kantiere ndërtimi ku ende po zhvillohen punime. Inspektimet më shpesh kryhen në rrugët lokale ose linjat e kanalizimeve në komuna sesa në projekte të mëdha si autostradat ose hekurudhat.
Nëse e ndiqni mbulimin mediatik të këtyre ngjarjeve mund të shihni se shkaku konkret për to shpesh lihet në plan të dytë. Pasi thonë disa fjalë për atë që po ndërtohet dhe se projekti po shkon sipas planit, zyrtarët, si protagonistë kryesorë, vazhdojnë t’u përgjigjen pyetjeve rreth të gjitha temave të tjera aktuale.
Edhe pse kjo është shpesh një përsëritje e qëndrimeve të shprehura më parë, kjo përsëri u mundëson atyre një prani më të madhe mediatike.
Kjo ngre pyetjen se sa interes publik ka në inspektimin e punimeve, ndërsa sa shpenzojnë zyrtarët burime shtetërore, automjete, shoqërues, sigurim dhe të tjera, për pak më shumë PR politik.
Pesë lajme për temën, 80 mbi çështje të tjera
Një nga inspektimet e fundit në vendet e punimeve që e bëri Kryeministri Mickoski ishte në Shkup, në kryqëzimin e “Momin Potok” më 26 korrik.
Në agregatorin e lajmeve Time.mk, mund të gjeni gjithsej pesë postime rreth vizitës së tij në vendin e punimeve për projektin “Momin Potok”, si dhe më shumë se 80 lajme në të cilat ai u përgjigjet pyetjeve në lidhje me çmimet e benzinës, tarifat tregtare të SHBA-ve, vendimin e fundit të UNESCO-s për Ohrin dhe kredinë e qeverisë nga M-NAV, kompania shtetërore që menaxhon dhe kontrollon komunikacion ajror.
Ky kryqëzim është një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shkup me vlerë prej 18 milionë euro. Por edhe projekte shumë më të vogla e kanë tërhequr vëmendjen e Mickoskit. Një javë më parë, së bashku me zëvendëskryeministrin Nikolloski, ai e inspektoi ndërtimin e tre rrugëve në Veles me vlerë prej gjysmë milioni euro.
Atje, Kryeministri komentoi mbi inflacionin, investimet kapitale, rritjen e pagave, situatën me ujin në Gostivar dhe ribalancin e buxhetit.
Vëmendje të veçantë tërhoqi vizita e ministrit Nikolloski në Kisella Vodë në mesin e korrikut, ku ai inspektoi punimet në një rrugë me vlerë 60 mijë euro.
Disa ditë më parë, Mickoski vizitoi një vend ndërtimi në një rrugë rreth 200 metra të gjatë në Ohër. Ministri i transportit, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ecën përgjatë një rruge 700 metra të gjatë që ende është në ndërtim e sipër.
Në fillim të muajit të dy zyrtarët së bashku ishin në Negotinë, ku panë nga afër ndërtimin e një rruge lokale dhe një rrethrrotullimi.
Në arkivin e njoftimeve në uebfaqen e Qeverisë mund të gjeni të paktën 60 përmbajtje për inspektime të punimeve ndërtimore në dy vitet e fundit që kur qeveria aktuale është në pushtet. Aktivitete në terren ka edhe më shumë, këto 60 janë vetëm vizita në vendet aktive të ndërtimit. Kjo do të thotë që këto aktivitete organizohen mesatarisht tre herë në muaj, edhe pse janë dukshëm më të shpeshta në periudhën e verës.
Në mesin e tyre janë vizitat në autostradën Kërçovë-Ohër dhe hekurudhën drejt Bullgarisë, por edhe inspektime të sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Çair, një këndi lojërash për fëmijë dhe një rruge në Gazi Babë, të furnizimit me ujë dhe rrugëve në pesë fshatra në afërsi të Kavadarit, etj.
Pothuajse pa përjashtim të gjitha inspektimet kanë shërbyer edhe si konferenca paralele për shtyp për tema aktuale.
As Qeveritë e mëparshme nuk ishin imune ndaj këtij fenomeni
Si kryeministër Dimitar Kovaçevski vizitoi një shkollë që po rinovohej në Ohër, një ndërtesë sociale në ndërtim e sipër në Butel, një urë në fshatin Proevce të Kumanovës, etj.
Paraardhësi i tij Zoran Zaev e inspektoi rinovimin e stacionit të policisë në Prespë, ndërtimin e një kryqëzimi rrugor në zonën industriale në Prilep dhe ishte veçanërisht aktiv para zgjedhjeve lokale në vitin 2021, kur inspektoi ndërtimin e një rruge në fshatin Bojanë, furnizimin me ujë në Saraj dhe projekte të tjera.
E rrallë në Evropë, normalitet në Ballkan
Edhe në Evropë përfaqësues të lartë politikë, kryesisht krerët e shteteve dhe qeverive, i vizitojnë vendet e ndërtimit, por zakonisht këto janë projekte shumë të mëdha strategjike me vlerë prej miliarda eurosh ose vepra me rëndësi të veçantë.
Në muajin mars të këtij viti, Presidenti francez Emmanuel Macron e vizitoi vendin e ndërtimit të termocentralit bërthamor Penly, ku po ndërtohen reaktorë të rinj. Macron e ka vizituar disa herë edhe rindërtimin e kryeveprës së arkitekturës gotike, Katedrales Notre Dame në Paris, e cila u shkatërrua nga zjarri në vitin 2019.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në vitet e fundit disa herë i ka vizituar punimet e ndërtimit të metrosë së Athinës dhe qarkores të Selanikut, dy projektet më të mëdha infrastrukturore urbane në vend. Ai e vizitoi edhe vendin e ndërtimit të aeroportit të ri në Kretë.
Ka edhe lajmë për vizita të vend ndërtimeve me rëndësi lokale.
Për shembull, kancelari gjerman Friedrich Merz së fundmi e inspektoi rindërtimin e infrastrukturës lokale në qytetin e vogël të Bad Neuenahr Arweiler. Arsyeja e vizitës ishte pesëvjetori i përmbytjes së madhe në të cilën qyteti pësoi dëme të mëdha, e rindërtimi i të cilit është në vijim e sipër.
Në fqinjësinë më të afërt, nga ana tjetër, paraqitja e zyrtarëve në projektet lokale është më e shpeshtë. Në korrik të këtij viti presidenti serb Aleksandar Vuçiq i inspektoi punimet ndërtimore në rrugën ndërmjet fshatrave Goren dhe Dolen Sinkovac, në afërsi të Leskovcit. Rruga është më pak se katër kilometra e gjatë dhe projekti kap vlerën e 1,2 milionë eurove të siguruara nga shteti.
Në të njëjtën periudhë, kryeministri shqiptar Edi Rama e inspektoi rikonstruimin e bulevardit Adria në Durrës. Rama mund të shihet shpesh duke vizituar vendet e ndërtimit, për shembull bregun në lumin Goricë në Berat ose rrugën midis dy fshatrave pranë Vlorës.
Projekte të rëndësishme, por “japin shpirt“ për PR
Duhet bërë një dallim midis vizitës në një projekt “të vogël”, në mënyrë metaforike, dhe një projekti që ka rëndësi më të madhe në të gjitha aspektet, tha gazetari Teofil Bllazhevski.
“Por, publiku nuk duhet të harrojë se koalicioni aktual qeverisës i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, me VLEN dhe ZNAM, aktualisht dominon si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Me investimin prej 250 milionë eurosh në pushtetin lokal përmes kredisë së parë nga Hungaria, premtimet zgjedhore dhe programet e punës së Qeverisë dhe pushtetit lokal janë të ndërthurura. Përveç kësaj nuk duhet nënvlerësuar fakti se në shumë rajone një nga arsyet kryesore për shpopullimin është mungesa e kushteve themelore për jetesë”, shtoi Bllazhevski.
Ai shton se projektet lokale zakonisht janë shumë të rëndësishme për popullatën që jeton atje, ndërsa për shkak të mungesës së mediave lokale publiku i gjerë zakonisht nuk di gjë për këtë.
Por, në të njëjtën kohë, projektet përdoren për marketing politik çdo të dytën ditë.
“Interesi publik në disa vende është më i ulët, në të tjera më i lartë, por kryesisht bëhet fjalë për një marketing agresiv politik të kryer sipas strategjisë, taktikave, por ndonjëherë edhe për shkak të një nevoje të përditshme për fokusim ose defokusim. Qëllimet e caktuara janë rritja e vazhdueshme e popullaritetit ose të paktën ruajtja e një niveli të lartë përmes PR-it partiak dhe qeveritar, glorifikimi i kreut të partisë, i cili është edhe kryeministri aktual, si dhe diktimi i ritmit të komunikimit me publikun përmes rrjeteve sociale dhe mediave, në një mënyrë të tillë që opozita ose media nuk mund as të analizojnë, e lëre më të thonë me siguri se çfarë është e vërtetë, gënjeshtër apo spin”, shton Bllazhevski.
Sipas tij publiku, me kalimin e kohës, duhet të mësohet ta njohë ndryshimin midis transparencës dhe llogaridhënies dhe paraqitjes së Kryeministrit çdo të dytën ditë në një aktivitet publik ku ai bën një deklaratë mbi temën – arsyen e vizitës, pas së cilës ai u përgjigjet pyetjeve për tema të tjera.
Krahas kryeministrit, siç thotë ai, ka edhe dy deri në tre ministra të tjerë – të preferuarit e kryeministrit, ndërsa i njëjti model po tentohet të ndiqet si nga ZNAM ashtu edhe nga VLEN.
“Gjithmonë, jo vetëm tani, gjatë atyre brifingjeve, deklaratave, fjalimeve ose sido që të doni t’i quani, gjithmonë ka pasur pyetje të dakorduara pas të cilave udhëheqësi politik, kushdo që të jetë, përgjigjet me breshëri”, përfundon ai.