Histijan Mickoski, influenceri shtetëror numër një

Kryeministri si personifikim i partisë, pushtetit dhe shtetit, i hipur në krahët e marketingut politik të financuar drejtpërdrejt nga Buxheti, po surfon në valën e populizmit duke u bërë kështu influenceri shtetëror kryesor në një shoqëri që ka gjithnjë e më pak publik. Të përballur me një makineri të tillë mediat në Maqedoni me sa duket nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse t’i nënshtrohen një reinkarnimi Frankensteinian të motos revolucionare historike: liri përmes vdekjes, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nëse në Maqedoninë e Veriut hapet një kopsht fëmijësh i rinovuar, vendoset gur-themeli për zgjerimin e një shkolle fillore, fillon rindërtimi i një rruge lokale ose pastrohet një kanal, mundësia që atje të ketë kamera është shumë e madhe. Edhe më e madhe është mundësia që para tyre të qëndrojë personalisht njeriu i parë i vendit, kryeministri Hristijan Mickoski.

Në fjalorin politik kjo njihet si “aktivitete në terren”. Në fjalorin e rrjeteve sociale dhe influencerëve, kjo do të thotë përmbajtje. Shumë përmbajtje. Jo sepse projektet e tilla janë të parëndësishme, përkundrazi. Por sepse këto ngjarje kryeministri gjithmonë i përdor për të ashtuquajturin kontroll të narrativit ose për zvogëlimin e dëmeve nga skandalet e ndryshme në cirkun e përditshëm politik

Për hir të së vërtetës, krahasuar me “influencerët” e tjerë në Maqedoni, Mickoski nuk e ka numrin më të madh të ndjekësve në rrjetet sociale. Kjo vlen nëse e marrim parasysh TikTok-un (8 mijë), X (12 mijë) ose Instagram-in (35 mijë), ndërsa në Facebook me pothuajse 170 mijë “ndjekës” mund të thuhet se ai është atje diku në mesin e të parëve.

Por, nëse e marrim parasysh sasinë e produksionit, pra numrin e videove, postimeve dhe fotove në të cilat një person është vazhdimisht në qendër të vëmendjes, pastaj numrin e shikimeve dhe komenteve në të gjitha profilet e tij në rrjetet sociale, lirisht mund të themi se kryeministri është influenceri numër një në vend.

Komunikologu Sead Xhigall, profesor në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, thekson se kjo mënyrë e komunikimit të vazhdueshëm ku politikani bëhet një medium vetë më vete është diçka që gjithnjë e më shumë po praktikohet në epokën e mediave sociale.

Sead Xhigall, foto nga Meta.mk
Sead Xhigall, foto nga Meta.mk

Ai është i mendimit se nga njëra anë mund të argumentohet se komunikimi është pjesë e punës së kryeministrit sepse qytetarët presin dukshmëri të vazhdueshme, llogaridhënie dhe kontakt të drejtpërdrejtë.

“Nga ana tjetër, ekziston një dilemë e arsyeshme për atë nëse ekspozimi i tepërt mediatik mund të bëhet një qëllim në vetvete? Nëse komunikimi politik fillon të dominojë mbi proceset e krijimit dhe zbatimit të politikave, planifikimit strategjik dhe punës institucionale, atëherë ekziston rreziku që Qeveria të funksionojë më shumë si një produksion për mediat sesa si një pushtet ekzekutiv”, thotë Xhigall.

Kolegu i tij, Ivo Bosillkov nga Instituti i Shkencave Politike në Universitetin e Silesisë në Katovice është i mendimit se kjo sjellje e kryeministrit është e pritshme.

Ivo Bosillkov, foto nga Meta.mk
Ivo Bosillkov, foto nga Meta.mk

“Nuk mund ta fajësoj Mickoskin për atë që bën. Pengesat morale dhe ligjore në marketingun politik janë hequr prej kohësh”, thotë Bosillkov.

Sipas tij, do të ishte e paprecedentë që Mickoski të heqë dorë nga përfitimet e komunikimit digjital në emër të ndonjë pike morale ose të insistojë në format tradicionale të marketingut politik kur ekzistojnë zona gri në rregullimin e hapësirës digjitale që i japin atij qasje shumë më të fuqishme tek votuesit.

“Mund të ankohemi sa të duam, por atëherë do të ishim vetëm nostalgjikë për disa kohë më të mira, pa pikë kontakti me realitetin. Dhe realiteti është se kjo dukuri është shumë më e gjerë dhe më e thellë se Mickoski”, thekson Bosillkov.

Pas marketingut masiv politik shtetëror që e ndjek Mickoskin sigurisht që nuk qëndron një person i vetëm. Është fizikisht e pamundur të mbahet një produksion kaq intensiv në katër rrjetet më të mëdha sociale pa një ekip të organizuar. Profilet në TikTok, X, Instagram dhe Facebook janë profile personale ose faqe të Hristijan Mickoskit në të cilat ai është në rolin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së dhe të kryetarit të Qeverisë.

Një nga dy kanalet zyrtare dhe formale shtetërore në të cilat Mickoski shfaqet në rrjetet sociale është kanali qeveritar në YouTube. I dyti është faqja e Qeverisë në Facebook. Të gjitha transmetimet e drejtpërdrejta nga aktivitetet në terren publikohen këtu, ndërsa një pjesë e tyre më pas ripublikohet në profilet e tjera të kryeministrit, siç është faqja e tij personale në Facebook. Shërbimi i shtypit i Qeverisë përgatit edhe fotografi nga ngjarjet e tilla, të cilat më pas shfaqen edhe në kanalet e tjera të Mickoskit. Në profilet publikohen edhe video të shkurtra të redaktuara në format vertikal, ose reels-a. Krahas kësaj, shërbimi i shtypit përgatit edhe njoftime për shtyp nga ngjarjet të cilat u dërgohen mediave dhe publikohen në uebfaqen e Qeverisë.

Ilustrim: Portalb.mk
Ilustrim: Portalb.mk

Për qëllimet e këtij hulumtimi u analizuan të gjitha transmetimet e drejtpërdrejta në kanalin e Qeverisë në YouTube dhe u pa se që nga fillimi i mandatit të tij, pak më shumë se dy vjet më parë, Mickoski ka qenë personazhi kryesor në më shumë se 400 transmetime, 117 prej të cilave ishin vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026.

Sa për krahasim, YouTuber-i më i famshëm në Maqedoni ka më shumë se tre herë më pak transmetime të drejtpërdrejta në gjashtë muajt e parë të vitit.

Numri prej 421 transmetimesh nuk do të thotë që kryeministri Hristijan Mickoski ka marrë pjesë në 421 ngjarje të ndryshme gjatë dy viteve të tij në pushtet. Tek një pjesë e ngjarjeve Qeveria në kanalin e saj në Yutube ka transmetuar paralelisht në gjuhën maqedonase, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Kur të mblidhen të gjitha versionet gjuhësore, ato shtojnë 77 video në numrin e ngjarjeve të vetme. Në këtë analizë ato u numëruan si transmetime të veçanta sepse bëhet fjalë për video të ndara në kanal, të destinuara për audienca të ndryshme gjuhësore.

Nëse i marrim parasysh paraqitjet individuale të drejtpërdrejta të kryeministrit në transmetimet qeveritare, të tilla ka gjithsej 344 në dy vitet e fundit, dhe mbase ky është numri më i saktë që tregon se sa shpesh Mickoski ka dalë para kamerave shtetërore gjatë dy viteve të tij në pushtet. Nëse e dimë që një vit ka gjithsej 365 ditë, kjo do të thotë që kryeministri ka transmetuar pothuajse çdo të dytën ditë gjatë këtyre dy viteve në pushtet. Pavarësisht kësaj ne në analizën tonë vendosëm ta përdorim numrin e transmetimeve sepse ai e reflekton madhësinë e produksionit shtetëror. Numri i intervistave televizive, paraqitjeve si i ftuar në podkaste të tjera dhe fushatave partiake nuk është marrë parasysh.

“Nga kjo perspektivë mund të thuhet se pushteti i krijon drejtpërdrejt narrativat sipas pikëpamjeve dhe interesave të saj, ndërsa media funksionon si një rrjet për shpërndarje”, thotë komunikologu Sead Xhigall.

Sipas Xhigall, nga një këndvështrim organizativ, një intensitet i tillë kërkon burime të konsiderueshme.

“Edhe pse një transmetim mund të zgjasë vetëm dhjetë ose pesëmbëdhjetë minuta, ai kërkon një organizim të tërë kompleks pas tij, siç është planifikimi i eventeve, kamerat, xhirimet, mbështetja teknike, siguria, angazhimi i shërbimit për shtyp, prodhimi i përmbajtjes në formate të ndryshme, shpërndarja në rrjetet sociale dhe një gamë e tërë aktivitetesh për koordinim mediatik”, thotë ai.

Bosillkov, nga ana tjetër, bën një dallim midis të gjithë organizimit të ngjarjeve publike dhe ekipit të ngushtë të nevojshëm për t’i përshtatur ato me logjikën e platformave. Sipas tij, nevojiten vetëm disa njerëz që e kuptojnë se si funksionojnë algoritmet dhe që kanë njohuri në fushën e marketingut.

“Marketingu politik është shumë më i afërt me atë klasikun sesa është gazetaria”, thotë Bosillkov, dhe shton se aftësitë e gazetarëve profesionistë këtu janë të tepërta.

Sipas vlerësimit të tij, e gjitha që nevojitet janë ekspertë të marketingut dhe menaxherë të mediave sociale të kombinuara me kapacitetin e vetë politikanëve, të rritur dhe të trajnuar në këtë epokë digjitale.

“Ndërsa gazetarët jo-profesionistë janë më të dobishëm jashtë, në mediat e kooptuara që e sigurojnë mbijetesën e tyre duke bashkëpunuar me Qeverinë”, shton Bosillkov.

Përndryshe, edhe pse dërguam një sërë pyetjesh pranë Qeverisë, përfshirë këtu edhe zëdhënëses Marija Miteva, si dhe drejtuesit e Departamentit të marrëdhënieve me publikun dhe të gjithë Sektorit për protokoll, përkthim dhe marrëdhënie me publikun, deri në kohën kur u publikua ky hulumtim përgjigje nuk morëm.

Sipas informacionit më të fundit të disponueshëm publikisht, në vitin 2025 në Departamentin e marrëdhënieve me publikun pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë janë punësuar 13 persona.

Ndërkohë, në vitin 2026, përmes një konkursi të brendshëm është punësuar edhe një person tjetër. Më konkretisht, një person është transferuar nga Departamenti i përkthimit në Departamentin e marrëdhënieve me publikun. Kështu, vetëm në këtë Departament ka 14 punonjës.

Përndryshe, në Sektorin e protokollit, përkthimit dhe marrëdhënieve me publikun në vitin 2025 janë punësuar gjithsej 22 persona.

Sigurisht që gjatë vlerësimit të nevojave për burime njerëzore duhet të merret parasysh se Qeveria përdor një softuer të posaçëm me vlerë mbi 400.000 euro, i cili zyrtarisht quhet “Softuer për vlerësimin e ndikimit mediatik dhe konvertimin e të folurit në tekst në maqedonisht (on premise deployment)”.

Me këtë softuer, i cili u ble vitin e kaluar, 30 institucioneve shtetërore dhe politike, ministrive dhe agjencive, çdo mëngjes në orën 9 u dërgohet një raport i gjerë për gjithçka që është publikuar në të gjitha mediat, të shtypura, elektronike dhe online, dhe në të gjitha rrjetet sociale, Facebook, X, Instagram, YouTube, TikTok dhe LinkedIn, në gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe.

Ilustrim: Portalb.mk
Ilustrim: Portalb.mk

Qeveria e di se çfarë është virale, kush e kritikon, kush e lavdëron dhe kush është neutral. Dhe e gjithë kjo është në dispozicion të tyre nëpërmjet internetit dhe nëpërmjet një aplikacioni celular për të gjitha llojet e telefonave smart, në çdo kohë. Në këto aplikacione është i përfshirë edhe një modul për inteligjencë artificiale, mundësi për eksportim, transkriptim, përpunim, si dhe konvertim të të folurit në tekst, dhe kjo mund të jetë e disponueshme edhe kur nuk kanë internet.

Në pyetjet drejtuar Qeverisë kërkuam përgjigje edhe për atë nëse qeveria angazhon kompani ose individë të jashtëm që janë të përfshirë në marrëdhëniet me publikun dhe nëse këta individë kanë qasje në të dhënat dhe raportet e softuerit. Për fat të keq nuk morëm përgjigje për këto pyetje deri në kohën kur u publikua ky hulumtim.

Ilustrim: Portalb.mk
Ilustrim: Portalb.mk

Çdo transmetim që mbush arkivin shërben edhe si material nga i cili nxirren video të shkurtra (reels) për faqet e kryeministrit në Facebook, Instagram dhe TikTok. Përveç kësaj, mediat që e ndjekin çdo hap dhe e publikojnë çdo fjalë të thënë nga kryeministri i përforcojnë mesazhet që i përcjell Mickoski, pa dallim se çfarë ngjarje transmeton Qeveria.

Prania intensive në vetvete nuk vërteton se Qeveria i kontrollon mediat ose pyetjet gazetareske. Por, i mundëson asaj që të jetë e para që ofron interpretimin e saj të ngjarjeve aktuale politike pothuajse çdo ditë.

“Nga kjo perspektivë, mund të thuhet se qeveria krijon drejtpërdrejt narrativa sipas pikëpamjeve dhe interesave të saj, ndërsa media funksionon si një rrjet për distribuim”, thotë profesori Xhigall, duke shtuar se kontrolli i narrativit jo domosdoshmërisht ka një konotacion negativ.

“Çdo qeveri mundohet t’i theksojë sukseset e veta dhe ta vendosë agjendën e debatit publik”, thotë ai, por paralajmëron se kur çdo ngjarje infrastrukturore ose administrative shndërrohet në një ngjarje mediatike, atëherë humbet vija ndarëse midis informimit dhe marketingut politik.

Sipas Xhigall pyetja kryesore është se sa kritikisht dhe analitikisht përcillet kjo përmbajtje e servirur në mediat kryesore.

“Kjo është liri të vdesësh nëse nuk bën fitim. Por për sa kohë që bën fitim, gjithçka lejohet”, thekson Ivo Bosillkov

Nga ana tjetër, profesori Bosillkov thotë se modeli klasik i mediave masive nga epoka e artë e shekullit të 20-të nuk është më i qëndrueshëm. Ai përkujton katër funksionet e mediave: ta informojnë publikun në mënyrë objektive, të jenë “qen roje” (watchdog) që e zbulon korrupsionin te pushtetarët, të ofrojnë një forum për debat publik dhe, sigurisht, të argëtojnë. Sipas tij, përveç atij për argëtim, funksionet e tjera prej kohësh janë shuar.

“Fajtori për këtë në thelb është kapitalizmi si sistem ekonomik dhe atë në dy mënyra”, thotë Bosillkov. E para, sipas tij, është tendenca për inovacion teknologjik që e ndryshon fushën e lojës dhe që mundëson keqpërdorim. E dyta është derregulimi, gjegjësisht prioritizimi i lirisë në treg.

“Kjo është liri të vdesësh nëse nuk bën fitim. Por për sa kohë që bën fitim, gjithçka lejohet”, thekson ai.

Sipas Bosillkov, nëse mediat duan të vazhdojnë t’i përmbushin funksionet e tyre klasike, ato hyjnë në konflikt të hapur me shtetin, pushtetin ose partinë, të cilat praktikisht janë bërë sinonime dhe këtu kërcënohet vetë ekzistenca e mediave të tilla.

“Hyrja në një skemë me këto entitete është mënyra më e lehtë për të mbijetuar. Por, nëse ke një qëllim më të lartë sesa thjesht të mbijetosh, që historikisht është karakteristika thelbësore e mediave, atëherë ka një mënyrë për ta sfiduar të gjithë këtë sistem të padrejtë”, thotë Bosillkov.

Sipas tij, mediat profesionale mund t’i ruajnë funksionet e tyre themelore edhe në formatin e ndryshuar, por kjo kërkon më shumë kreativitet dhe përpjekje.

“Komunikimi digjital bart rreziqe, por edhe mundësi që mund të shfrytëzohen për t’i përmbushur funksionet themelore. Formati mediatik nuk duhet të jetë i njëjtë, por funksioni mund të jetë”, shton Bosillkov.

Hedhja e një lopate, kontrolli i shtratit të lumit, një pjesë të rrugës ose një vizitë në një fabrikë sigurisht që e ka rëndësinë e vetë. Por, të ketë mbaruar eventi, zakonisht mbaron edhe historia e tyre. Mesazhet e ndara në ato evente vazhdojnë të jetojnë si përmbajtje digjitale, sigurisht, me kryeministrin në rolin kryesor.

Ato janë gjithmonë në kohë, të shpejta dhe të drejtuara drejtpërdrejt ndaj kritikave më të fundit që e kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Komunikimi në rrjetet sociale dhe marketingu në përgjithësi është, pa dyshim, diçka që kjo Qeveri e Hristijan Mickoskit e bën më mirë, si në krahasim me qeveritë e tjera të Maqedonisë, ashtu edhe në krahasim me aktivitetet e tjera të Qeverisë.

Analiza tregon se në gjysmën e parë të vitit 2026 transmetim me kryeministrin në kanalin qeveritar në YouTube kishte në 83 nga 181 ditë. Gjatë këtyre gjashtë muajve janë transmetuar 117 transmetime. Prilli dhe qershori dallohen si muajt në të cilët produksioni qeveritar ka qenë më aktiv, por më e rëndësishmja, nuk ka muaj në të cilët nuk ka produksion. Spektakli, thjesht, duhet të vazhdojë.

Në të gjitha këto ngjarje kryeministri nuk e humbet mundësinë për të folur për temat aktuale politike përmes përgjigjeve të pyetjeve të gazetarëve. Ato në fakt janë mesazhet kryesore nga këto organizime kaq masive te ngjarjeve promovuese dhe në të shumtën e rasteve e diktojnë të gjithë renditjen e lajmeve për atë ditë.

Prandaj, në analizën tonë, u ndanë dhe u klasifikuan përgjigjet e pyetjeve gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta. Ato tregojnë se për cilat tema flet më shpesh kryeministri kur ndodhet para kamerave.

Çdo transmetim është konferencë për shtyp. Kryeministri më së shumti flet për politika partiake, koalicione dhe zgjedhje. Por edhe për ekonominë, çmimet dhe standardin jetësor. Si dhe për BE-në dhe kontestin me Bullgarinë.

Ilustrim: Portalb.mk
Ilustrim: Portalb.mk

Në 211 pyetje të veçuara nga 58 deklarata arritëm në përfundimin se numri më i madh i pyetjeve dhe përgjigjeve kanë qenë në temën politika dhe ekonomia. Së bashku, ato përfshijnë rreth 40 përqind të pyetjeve dhe përgjigjeve të analizuara. Krahas politikës partiake dhe ekonomisë, pra çmimeve dhe standardeve të jetesës, kryeministri kryesisht flet për infrastrukturën, punën dhe llogaridhënien e Qeverisë, si dhe politikën e jashtme, pra BE-në dhe kontestin me Bullgarinë, i cili, sipas tij, e kërcënon identitetin maqedonas.

Kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se Qeveria është ajo që i përcakton pyetjet që do t’i parashtrohen Mickoskit, e as se gazetarët janë pjesë e produksionit të saj. Por, në të shumtën e rasteve ai ka përgjigje të gatshme për pyetjet e bëra dhe produkti final mediatik përfundon në kanalin shtetëror në YouTube me kryeministrin në qendër të vëmendjes.

Sipas Xhigall, në fund pyetja thelbësore mund të mos jetë nëse kryeministri bën shumë transmetime online, por nëse rezultatet e politikave qeveritare janë proporcionale me intensitetin e komunikimit

Sipas komunikologut Xhigall, ky model i mundëson kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë që në vend që ta presin ciklin e zakonshëm të lajmeve në bazë ditore ta interpretojnë realitetin nga këndvështrimi i tyre dhe të jenë krijuesit dominant të kornizës programore, pra ta diktojnë agjendën.

Dalja e shpeshtë e kryeministrit para gazetarëve dhe përgjigjja e pyetjeve është përfitim demokratik. “Nga njëra anë, mund të argumentohet se komunikimi është pjesë e punës së kryeministrit”, thotë Xhigall.

Por pyetja thelbësore, shton ai, mbase nuk është nëse kryeministri bën shumë transmetime, por nëse rezultatet e politikave të qeverisë janë proporcionale me intensitetin e komunikimit.

Në pyetjen nëse ekziston ndonjë mënyrë tjetër për të qëndruar në pushtet përveç vetëpromovimit të paturpshëm për çdo ditë, Bosillkov u përgjigj me një kundërpyetje: edhe sikur të ekzistonte, pse do të mundohej dikush që ta gjente atë?

“Ndoshta diku atje ka shembuj të politikanëve që janë mjaftueshëm të mençur, frymëzues, karizmatikë ose thjesht mjaftueshëm kompetentë dhe punëtorë sa të mos kenë nevojë të përqendrohen aq shumë në komunikimin e tyre politik, por t’i lënë veprimet e tyre të flasin vetë. Por, këto shembuj janë jashtëzakonisht të rrallë, nëse ekzistojnë të tillë. Kur nuk i zotëron këto cilësi, siç është rasti me Mickoskin, propaganda politike e fokusuar mirë është një kompensim i sigurt dhe një recetë për të qëndruar në pushtet”, përfundon ai.

Si u bënë përllogaritjet

Për qëllimet e analizës u panë videot live të transmetuara në kanalin zyrtar në YouTube të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (youtube.com/@Vlada_MK) në dy vitet e fundit, përkatësisht nga 23 qershori i vitit 2024 deri më 30 qershor të vitit 2026, duke i përfshirë edhe dy datat e kufizimit. Prej aty u morën të gjithë titujt dhe meta të dhënat, si dhe të gjitha transkriptet e disponueshme të videove live. Kërkimi automatik për emrin e Mickoskit ndau 415 transmetime. Me kontroll shtesë manual të përshkrimeve dhe ngjarjeve me tituj gjenerikë u definuan edhe gjashtë transmetime të tjera në të cilat ai ka marrë pjesë, me ç’rast numri përfundimtar arriti në 421. Në periudhën nga janari deri në qershor të vitit 2026 u ndanë automatikisht 115 transmetime, ndërsa me versionet në dy gjuhë të ngjarjes nga 30 maji në titullin e të cilit nuk përmendej emri i tij, numri përfundimtar është 117. Videot e drejtpërdrejta në gjuhën maqedonase, gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe u numëruan si transmetime të veçanta, por edhe si paraqitje të vetme të kryeministrit para kamerës. Transkriptet pastaj u analizuan për temat, pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta. Temat u arritën të definohen qartë në 211 raste, më saktësisht 211 pyetje në 58 transmetime apo paraqitje të kryeministrit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.