I harruar prej vitesh, Stadiumi i Kumanovës nuk do të rikonstruohet as këtë vit
Stadiumi i Kumanovës nuk do të rikonstruohet as këtë vit, derisa qytetarët dhe sportistët ngrenë alarmin për rindërtimin e tij, Komuna e Kumanovës nuk e ka në plan ta bëjë këtë as gjatë këtij viti, shkruan Portalb.mk.
Objekti sportiv i cili prej vitesh ndodhet në gjendje të rënduar vazhdon të funksionojë falë mirëmbajtjes minimale dhe angazhimit të sportdashësve.
Lënia pas dore e kësaj hapsire ka nxitur reagime dhe kritika të shumta nga qytetarët si dhe opozita, e cila e akuzon autoritetet lokale për mospërfillje të stadiumit, pavarësisht nevojës.
Këshilltari komunal nga Aleanca për Shqiptarët, Huzeri Mustafa për Portalb.mk deklaroi se duke parë lënien pas dore të stadiumit, nuk beson se edhe vitin e ardhshëm do të ketë ndonjë investim në të.
“Kuadri i VLEN-it, nga Kumanova ushtron pozitën e zëvendësministrit të Sportit, po të ketë vullnet kryetari Komunës dhe shumica e pushtetit lokal, mund të sigurohen mjetet financiare për këtë investim. Por duket hapur se nuk kanë aspak interes për të bërë investim në stadiumin e qytetit, i cili është edhe identiteti sportiv i qytetit të Kumanovës”, u shpreh Musatafa.
Ai foli edhe për pjesën e pezulluar të tribunave nga ana e inspektoratit për shkak të rrezikshmërisë së shfrytëzimit të tyre.
“Komuna duhet seriozisht të merret me këtë problem dhe të përgatisë një projekt të ri për të investuar në stadiumin e qytetit. Po ashtu, duhet të përgatitë pjesën e dokumentacionit teknik dhe më pas të aplikohet nëpër thirrjet e qeverisë. Përderisa nuk ka iniciativë konkrete nga ana e komunës për të përgatitur projekte dhe për të aplikuar, gjendja e këtij stadiumi do të mbetet e njëjtë”, u shpreh Mustafa.
Futbollisti Yll Aziri për Portalb.mk deklaroi se investimi në sport është investim për një rini të shëndetshme. Sipas tij, përmirësimi i kushteve në stadiumin e qytetit do të tregonte se të rinjtë, veçanërisht fëmijët, kanë vëmendjen e duhur nga shteti.
“Zhvillimi i sportit është i rëndësishëm, pasi ndihmon në zbulimin e talenteve të rinj dhe ky investim gjithmonë i kthehet vendit. Kjo mund të bëhet përmes përfaqësimit të shtetit në arenën ndërkombëtare, por edhe duke forcuar ekipin kombëtar në garat evropiane”, u shpreh Aziri.
Nga ana tjetër, Komuna e Kumanovës për Portalb.mk, u përgjigjen se as për vitin 2026 nuk është planifikuar asnjë aktivitet për rindërtimin dhe dhe zhvillimin e stadiumit të qytetit në Kumanovë.
“Përkatësisht projekti nuk është përfshirë në Programin për Zhvillimin e Tokës Ndërtimore dhe Infrastrukturës së Komunës së Kumanovës për këtë vit. Komuna e Kumanovës monitoron vazhdimisht nevojat për përmirësimin e infrastrukturës sportive, dhe mundësitë për zbatimin e projekteve të tilla do të shqyrtohen në kuadër të planifikimit të ardhshëm të programit dhe buxhetit, në përputhje me prioritetet e përcaktuara dhe burimet financiare në dispozicion”, thanë nga Komuna e Kumanovës.
Deri më tani, Qeveria e Maqedonisë ka shpallur dy thirrje publike për të financuar projektet kapitale dhe infrastrukturore për komunat. Komuna e Kumanovës është një ndër komunat që ka marrë shumën më të madhe të fondeve, por në këtë financim nuk është përfshirë projekti për rikonstruimin e stadiumit të qytetiti të Kumanovës.
Kujtojmë se në vitin 2019 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski deklaroi se do të kërkojë ndihmë nga investitorë privatë për të rregulluar gjendjen e stadiumit.
Kurse në vitin 2021, Dimitrievski tha se duhen rreth 300 mijë euro vetëm për prishjen e stendeve ekzistuese dhe se kanë kërkuar fonde nga Agjencia për Rini dhe Sport.