Me notën mesatare 6.7 u emërua docent në Universitetin e Tetovës

Forumi për Ndryshime në Arsim akuzon Ministrinë e Arsimit për heshtje në rastin e avancimit kundërligjor të një profesori të USHT-së, raporton Alsat. Sipas drejtuesve të Forumit, Agron Alili ka fituar thirrjen shkencore docent nga fakulteti i shkencave matematiko-natyrore pa i përmbushur kushtet elementare, përkatësisht titulli i është dhënë me mesataren prej 6.7 apo shumë me notë më të dobët se ajo që kërkohet me ligj.

Blendi Hodai tha se mos veprimin e tij, Ministri Shaqiri po mban në jetë me ‘oksigjen’ një prej shumë personave që ka ndikuar në uljen e nivelit të arsimit në vend.

“Me 23 prill të këtij viti arritën denoncime deri te Forumi për Ndryshime në Arsim se Agron Alili, i angazhuar si profesor në fakultetin e shkencave matematiko-natyrore pranë Universitetit të Tetovës, është avancuar me titullin docent në kundërshtim me ligjin. Më 14 korrik, pas kërkesës tonë u vërtetua se Agron Alili është avancuar kundërligjshëm, përkatësisht me mesatare 6.7 dhe nuk e ka gradën nga fusha shkencore për të cilën është përzgjedhur. Pas kësaj, lënda kalon në dorë të ministrit Jeton Shaqiri ndërsa sot që flasim edhe pse kanë kaluar 6 muaj, ministri s’ka lëvizë as edhe një gurë në drejtim të sanksionimit të këtij profesori, ashtu siç e kërkon ligji”, tha Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim gjithashtu thonë se i njëjti profesor që sipas tyre është avancuar në mënyrë të kundërligjshme është edhe donator i Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Rastësi ose jo, përkundër shkeljeve të konstatuara, i ‘paprekshmi’ i ministrit Shaqiri, Agron Alili në vitin 2021, një vit pas avancimit të kundërligjshëm ka donuar 180 mijë denarë apo rreth 3 mijë euro partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim. Tre, katër apo pesë mijë – ne në Forumin për Ndryshime në Arsim nuk e dimë se sa mund të kushtojë një avancim në kundërshtim me dispozitat ligjore. Por një gjë është e sigurt, as tre, as katër, e as pesë mijë euro nuk mund që të paguajnë çmimin e lartë të degradimit të arsimit në vend”, u shpreh Blendi Hodai, Forumi për Ndryshime në Arsim.

I kontaktuar nga Alsat, Ministri Shaqiri tha se ka është kërkuar përgjegjësi nga USHT-ja dhe se shërbimet e Ministrisë po ndërmarrin të gjitha veprimet juridike për këtë rast.

“Në rast se nuk ka bazë për dhënien e titullit, atëherë do të kërkohet respektimi i të gjitha dispozitave ligjore për arsim të lartë”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Ndryshe, në muajin gusht, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) përmes një reagimi ka njoftuar se kanë siguruar dokumentin e Inspektoratit të Arsimit në të cilin konfirmohen denoncimet e tyre se profesori Agron Alili në Universitetin e Tetovës nuk i ka plotësuar kushtet për t’u avancuar në titullin mësimor-shkencor docent.

Kujtojmë se për këtë rast, Forumi për Ndryshime në Arsim njoftoi në qershor të këtij viti se kanë dorëzuar parashtresë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit. Në lidhje me këtë rast, aso kohe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit patën thënë për Portalb.mk se kanë pranuar parashtresat dhe se për të njëjtat do të veprohet.