Këtë fundjavë në RMV do të ketë kufizime në e-banking, pagesat në dyqane dhe bankomatet do të funksionojnë normalisht

Përdorimi i shërbimeve të e-banking do të jetë pjesërisht i kufizuar gjatë fundjavës, njoftuan Stopanska Banka, Komercijalna Banka dhe NLB Banka përmes mesazheve drejtuar klientëve të tyre. Qytetarët nuk do të mund të kryejnë pagesa online nesër pas orës 14:00 dhe gjatë së dielës, pasi bankat në Maqedoninë e Veriut do të realizojnë përshtatje sistemore lidhur me instrumentet e reja të pagesave, transmeton Portalb.mk.

Bankat njoftojnë se gjatë fundjavës pagesat me kartela në terminalet POS në markete dhe dyqane do të funksionojnë rregullisht, sikurse edhe të gjithë bankomatët për deponimin dhe tërheqjen e parave të gatshme.

Ndryshime do të ketë në urdhërpagesat, kodet e qëllimit të pagesës dhe përdorimin e llogarive të pagesave në formatin IBAN. Qëllimi i përshtatjeve sistemore është të mundësohet zbatimi pa pengesa i këtyre ndryshimeve në përdorimin e përditshëm të shërbimeve të pagesave. Numrat ekzistues të llogarive të pagesave nuk do të ndryshojnë, ndërsa përshtatjen e paraqitjes dhe përdorimit të llogarive në formatin IBAN në shërbimet e-banking dhe mobile banking do ta bëjnë vetë bankat.

Shoqata e Bankave të Maqedonisë njoftoi se gjatë fundjavës së ardhshme të gjitha bankat do të realizojnë përshtatje të planifikuara teknike të sistemeve të tyre, në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e standardeve të reja në qarkullimin pagesor në denarë, të cilat fillojnë të zbatohen nga e hëna, më 9 nëntor.

„Gjatë realizimit të aktiviteteve teknike, bankat paralajmërojnë ndërprerje të mundshme të përkohshme ose qasje të kufizuar në shërbime të caktuara, veçanërisht në transaksionet e pagesave. Mosdisponueshmëria e përkohshme do të jetë e lidhur me këto përshtatje sistemore të planifikuara paraprakisht. Oraret e sakta të aktiviteteve, shërbimet që do të përfshihen dhe kohëzgjatja e pritshme e kufizimeve do të specifikohen në njoftimet individuale të bankave drejtuar klientëve të tyre“, thonë nga SHBM-ja.

Stopanska Banka njoftoi se nesër, të shtunën, të gjithë qytetarët që përdorin shërbimet e bankingut digjital do të mund të krijojnë urdhërpagesa deri në orën 14:00. Pas kësaj ore, e-banking nuk do të lejojë krijimin e urdhërpagesave për ditën aktuale dhe as me datë të ardhshme. Ky kufizim do të vlejë edhe gjatë së dielës, përkatësisht deri në hapjen e bankave të hënën.

Bankat njoftuan se nga e hëna do të fillojë zbatimi i ndryshimeve në shërbimet e pagesave që lidhen me transaksionet kombëtare të pagesave dhe llogaritë e pagesave, të cilat burojnë nga Ligji për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave dhe vendimet përkatëse të Bankës Popullore.

Në kuadër të harmonizimit me standardin ndërkombëtar ISO 20022, do të bëhet standardizimi i urdhërpagesave dhe të dhënave për pagesat, i kodeve për qëllimin e pagesës, si dhe i strukturës së llogarive të pagesave në denarë. Ndryshimet, të cilat përfshijnë të gjithë sistemin dhe të gjithë pjesëmarrësit në transaksionet e pagesave, do të fillojnë të zbatohen në gjysmën e parë të muajit nëntor, ndërsa për datën e saktë të zbatimit do të ketë njoftim shtesë, në përputhje me udhëzimet aktuale të rregullatorit.

Urdhërpagesat e reja të standardizuara do t’i zëvendësojnë formularët e deritanishëm PP10, PP30, PP40, PP50 dhe PP53, si në formë të shtypur, ashtu edhe në atë elektronike. Urdhërpagesat e reja do të jenë në format bardhë e zi, ndryshe nga formularët ekzistues me ngjyra.

Formularët në letër do të specifikohen veçmas për secilën bankë, duke vendosur logon e bankës përkatëse në vetë formularin.