Me donacion prej 200 mijë eurosh nga Turqia, pas 20 vitesh filloi rindërtimi i Sahat Kullës në Tetovë
Pas 20 vitesh pritjeje, falë donacionit prej 200 mijë eurosh nga Komuna turke e Konjës,ka nisur rindërtimi i objektit të rrënuar të njohur si Sahat Kulla në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
Për hartimin e projektit është përdorur edhe inteligjenca artificiale, pasi nuk ekzistojnë të dhëna të sakta për pamjen e dikurshme të Sahat Kullës. Janë ruajtur vetëm dy ose tre fotografi nga shekulli i kaluar, të cilat e paraqesin objektin në gjendje gjysmë të rrënuar.
Për të shënuar punimet në Tetovë u mblodhën zyrtarë të nivelit qendror dhe atij lokal.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Konservimit, Aleksandar Jordanovski tha se themelet e objektit u zbuluan për herë të parë në dhjetor të vitit 2005, ndërsa në mars të vitit 2006 vazhduan hulumtimet arkeologjike.
“Atëherë u përgatit një projekt për rindërtimin e Sahat Kullës, por ai u vlerësua si plagjiaturë e Sahat Kullës së Gostivarit dhe aty përfunduan të gjitha aktivitetet. Si drejtor, kërkova hulumtime shtesë historike për pamjen e Sahat Kullës dhe angazhova bashkëqytetarin tuaj Branisllav Svetozareviq, historian në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë, me ç’rast arritëm të siguronim të dhëna të reja për pamjen e saj. Më pas krijuam një ilustrim me inteligjencë artificiale, bazuar në të dhënat e gjetura”, tha Jordanovski.
Përveç donacionit prej 200 mijë eurosh nga Komuna e Konjës së Turqisë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se pas përgatitjes së projektit bazë nga Qendra e Konservimit do të dihet edhe kostoja e përgjithshme e projektit dhe sa mjete shtesë do të nevojiten për bashkëfinancim, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
“Me këtë rindërtim po rikthejmë një objekt të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore, duke dëshmuar se Tetova di ta ruajë historinë, traditën dhe kulturën e saj”, deklaroi Kasami.
Ndërtimi i Sahat Kullës është edhe premtim parazgjedhor i kreut të komunës së Tetovës, ai nuk arriti ta realizojë këtë gjatë mandatit të parë. Ndërtimi u paralajmërua në vitin 2025.
Përndryshe, edhe në të kaluarën ka pasur shumë premtime për ndërtimin e Sahat Kullës në vendin ku ka qenë më parë, në rrugën që të çon deri te Biblioteka e vjetër e qytetit, por pa rezultate në terren.