Siljanovska: BE-ja ka mekanizma për të thënë se integrimi evropian nuk mund të bllokohet për çështje identitare

Bashkimi Evropian ka mekanizma për të parandaluar bllokadat që bazohen në çështje identitare. Kështu ka deklaruar presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në një intervistë për Kanal 5, e pyetur për garancitë që vendi pret nga BE-ja, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se Maqedonia e Veriut angazhohet për zgjidhje që do të parandalojë bilateralizimin e procesit të integrimit evropian. Sipas saj, nuk ka siguri se nuk do të ketë veto të re nga ndonjë shtet anëtar, por BE-ja mund të vendosë rregulla që procesi i integrimit të mos pengohet për çështje që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit.

“BE-ja ka mekanizma, përfshirë interpretime zyrtare, me të cilat mund të thuhet se integrimi evropian nuk mund të bllokohet, jo vetëm për ne, por për asnjë vend kandidat, nëse arsyet lidhen me çështje identitare dhe nuk kanë të bëjnë me kriteret për përparim dhe vlerësim në kuadër të BE-së”, tha Siljanovska-Davkova.

Lidhur me Bullgarinë, presidentja tha se pas kontakteve të fundit me presidentin bullgar Rumen Radev sheh hapësirë për intensifikimin e dialogut dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta, edhe pse takimet kanë qenë protokollare dhe jo dialog thelbësor.

“Përfundimi është se nevojiten shumë përpjekje dhe shumë vullnet i mirë që të bëjmë përpara. Prandaj e vlerësoj edhe korrektësinë; Radevi ishte elementi më stabil në shtet. Sinjalet janë se duhet të sillemi me korrektësi ndaj njëri-tjetrit, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të shohim nëse ajo që themi vërtet ia vlen të merret parasysh. Duhet të investojmë së bashku për të arritur një zgjidhje”, tha ajo.

Presidentja u shpreh optimiste për procesin e integrimit evropian. Sipas saj, një datë kyçe është 30 shtatori, kur Komisioni Evropian do të publikojë për herë të parë raportin mbi strategjinë e re të zgjerimit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.