Më 5 gusht do të realizohet spërkatje kundër mushkonjave në Kumanovë

Komuna e Kumanovës ka njoftuar se faza e dytë e spërkatjes ajrore kundër mushkonjave të rritura do të zhvillohet të mërkurën, më 5 gusht, duke nisur në orën 05:00, shkruan Portalb.mk.

Trajtimi do të mbulojë gjithsej 1,270 hektarë. Në të do të përfshihen rrjedhat e lumenjve Kumanovë, Likovë dhe Kojnare, bashkësitë lokale Babin Dol, Goce Delçev dhe Tode Mendol, pjesa qendrore e qytetit, si edhe hapësira rreth impiantit të trajtimit të NP “Ujësjellësi” në fshatin Dobrashan.

Sipas autoriteteve komunale, gjatë ndërhyrjes do të aplikohet preparati Aqua Perm-X 30-30. Komuna u kërkon bletarëve të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e kolonive të bletëve gjatë trajtimit. Në rast se moti pengon realizimin e spërkatjes në orarin e parashikuar, ajo do të zhvendoset për ditën pasuese, sapo kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme.