Më 19 qershor do të jetë fjala përmbyllëse e mbrojtjes rreth emërimit të paligjshëm të drejtorëve në shkollat e Strugës
Me dëshminë e të akuzuarit për emërim të paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore “Goce Dellçev” në Podgorcë (dy lëndë), “Murat Llabunishti” në Llabunishtë dhe “Ashim Agushi” në Ladorishtë sot në Gjykatën themelore në Strugë vazhdoi procesi gjyqësor kundër kryetarit të komunës, Ramiz Merko, raportoi MIA.
Në seancën e ardhshme të caktuar për më 19 qershor, mbrojtja, siç informoi gjykatësi i lëndës, Jordan Jovanov, do të ketë fjalë përmbyllëse për katër lëndë të bashkuara, pas çka do të kumtohet aktvendimi.
“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për katër lëndë të bashkuara në një, mbrojtja kërkoi kohë shtesë për të përgatitur fjalët përmbyllëse”, theksoi Jovanov.
Në dëshminë, Merko tha se nuk ka bërë asgjë gabim në raport me emërimin e drejtorëve në shkollat fillore, përkatësisht se ai vetëm ka nënshkruar atë që e kanë përgatitur shërbimet. Por, theksoi se nëse e ka shkelur ligjin, do t’i merreshin ingerencat nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke nënvizuar se ajo nuk ka ndodhur.
Ai pohoi se ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ka qenë i njoftuar me gjendjen dhe i ka dhënë sqarime se ekzistojnë kushte ligjore për t’u emëruar u.d. drejtor një person i cili nuk vjen nga radhët e të punësuarve në institucion nëse në konkurs, asnjëri nga shkolla nuk ka parashtruar kandidaturë për drejtor dhe se për atë ka ekzistuar qëndrim i vendosur nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë.
Theksoi se disa herë Shaqiri i ka propozuar njerëzit të cilët ishin emëruar në funksion, duke përkujtuar se edhe drejtorët kanë thënë se nuk kanë pasur takim me kryetarin e komunës, por ishin vendosur nga ministri.
Sipas tij, si ka qenë e mundur të akuzohet për gjoja vepra të kryera penale pa u akuzuar ministri i Arsimit në kushte kur kompetencat u janë caktuar në nen të njejtë të ligjit.
Ndryshe, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, më 9 qershor u lirua nga akuzat në procedurën për blerjen e një makine luksoze Audi me vlerë 67,000 euro, pasi Gjykata vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për vepër penale.
Zyrtari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Strugës, Ramis Merko, ndiqet për 20 vepra penale. MPB-ja, nga viti 2007 e deri në viti 2024 i ka ngritur 12 padi penale. 18 vepra kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe dy për pakujdesi gjatë punës në shërbim. Kallëzimi i fundit penal kundër Merkos është më 16 dhjetor 2024 dhe kishte të bënte me punë të pakujdesshme në shërbim.
Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është i akuzuar për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në shkollat fillore në fshatrat Podgorcë, Llabunishtë dhe Veleshtë dhe në “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë, ndërsa për shkollën në Veleshtë është duke u zhvilluar një lëndë e veçantë për shkak se ka më shumë të pandehur, të cilët akuzohen për “Punë e papërgjegjshme në shërbim”, e disa prej tyre ndiqen edhe për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”.