Mbyllja e mediave që mbulojnë Ballkanin Perëndimor dhe pasojat
Ballkani Perëndimor – me rreth 20 milionë banorë – rrezikon të mbetet pa burime informacioni nga mediat që nuk janë nën ndikimin e forcave kryesore politike në shtetet e rajonit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Goditja fillestare u dha me ndërprerjen e fondeve nga buxheti i ish-USAID-it, ndërsa befasia më e fundit ishte mbyllja e projektit rajonal, Al Jazeera Balkans – i financuar nga Katari.
Më shumë se 200 punonjës të këtij rrjeti mediatik mbetën pa punë, ndërsa arsyet konkrete për mbylljen, sipas njoftimit të Al Jazeera-s, lidhen me një vendim që është “pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e pranisë digjitale dhe zgjerimin në platforma të reja mediatike”.
USAID-i – Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, që dikur mbështeste shumë media të pavarura përmes granteve – në praktikë nuk funksionon më; Zëri i Amerikës nuk ka publikuar asgjë që nga marsi; Radio Evropa e Lirë po përballet me mungesë fondesh prej katër muajsh, ndërsa pronarët e televizioneve N1 dhe Nova janë në proces riorganizimi dhe ndryshimesh në udhëheqje.
Këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari, paralajmëron se pa media të pavarura, “njerëzit do të jenë më pak të informuar ose të informuar keq, sepse përmbajtja e paverifikuar nga rrjetet sociale dhe burime të tjera të pasigurta, do ta mbushë boshllëkun”.
Sipas saj, mediat në të gjithë rajonin operojnë në një mjedis të vështirë, duke përfshirë “presione politike, kërcënime fizike dhe online, sulme ligjore, vështirësi financiare dhe kushte të këqija pune”.
“Gazetaria hulumtuese po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe vetë gazetaria nuk konsiderohet më një profesion tërheqës, për shkak të rreziqeve me të cilat përballen gazetarët”, thotë Kusari.